Nga Aleksandër Ndoja
Pjesa e tretë
– Një rrëfim i pazakontë nga Mihal Pumo, për jetën e tij në Mirditë, pasi u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, nëna e tij, Nina Pumo, profesoreshë e Universitetit të Tiranës…! –

Ka qenë shtatori i vitit 1977, kur nisa klasën e pestë në qytetin e Rrëshenit. Kishim mësuese kujdestare, Jolanda Bajramin, mësuese e gjuhës dhe letërsisë. Nxënësit shumica ishin vendas, nga qyteti dhe fshatrat për rreth ku ,nuk kishte shkolla 8-vjeçare. Por një pjesë e nxënësve nga qyteti, vinin nga zona të tjera të vendit, prindërit e të cilëve kishin ardhur me punë të ndryshme në Rrëshen, si mjekë, agronomë, inxhinierë, mësues, policë etj. Në klasën time ndodheshin edhe dy djem të cilët, njërin nga prindërit e kishin me kombësi të huaj, por që regjimi komunist i kishte shpallur “armiq të popullit” dhe i kishte arrestuar. Ata ishin shokët e mi të klasës, Mihal Pumo me nënën ruse, dhe Orest Kalaj, me babain me kombësi greke. Të dy ishin jetimë, me prindër gjallë, por në burg!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Mihal, po babai juaj Muntazi, ku punoi pas rënies së komunizmit dhe familja Pumo, a është tashmë e bashkuar?
Babai në Moskë nuk ka punuar, por tani gëzon pension të zakonshëm këtu, dhe kjo gjë jo si privilegj por, si e drejtë e çdo banori të Rusisë. Këtë 22 maj, u mbushën plot 64 vjet që, prindërit e mi janë bashkë të martuar. Ata janë një krenari e vërtetë për mua, si simbol qëndrese dhe dashurie, trimërie dhe vetëmohimi!

Nga sa keni biseduar me prindërit, si u njohën ata me njëri tjetrin në Rusi dhe a kanë ndonjë mendim të tyre sot, kush j’ua gatoi kalvarin, burgun, internimin?
Ata kanë qenë të dy studentë të Universitetit “Plehanov’ dhe janë njohur gjatë një mbrëmje vallëzimi. Babai ishte i dërguar nga shteti shqiptar, për të kryer studimet e larta në Moskë. Pasi u njohën, prindërit u martuan dhe më 1958-ën, babai u kthye në Shqipëri dhe mamaja vajti me të dashurin e saj, (babain tim) drejt skëterrës që as e kishte imagjinuar kurrë…! Kalvarin tonë e gatoi, po ai “qen” që gatoi kalvarin gjithë popullit shqiptar.

Cilin fajësoni për këto ngjarje kaq të rënda për familjen tuaj?
Është një pyetje retorike besoj kjo….! Më e çuditshmja është, një ndjenjë që provova dikur më 1990-ën, para se të largohesha nga Shqipëria për në Bashkimin Sovjetik…! Po rrija me shokët në Tiranë të Re, kur gjatë pushimit të madh të gjimnazit “Petro Nini Luarasi”, kaloi mbesa e xhelatit Enver Hoxha, Valbona, një vajzë ezmere shumë e bukur dhe elegante në atë kohë…!

Në atë kohë ca tipa, filluan ta ofendonin me fjalët më të rënda që edhe mua si mashkull, më vinte rëndë t’i dëgjoja…! Me që isha me shokë, ndërhyra duke i’u thënë këtyre tipave që, nuk bëhet trimëri me femrat…! Më erdhi shumë keq për të… s’ishte kjo personi i duhur, ndaj së cilit duhej shfryrë inati dhe zemërimi…? Sindroma e Stokholmit? Jo! Thjeshtë ne, ishim dhe mbetëm njerëz, ndërsa gjyshi i saj, ishte përbindësh!

Si i kujtoni mësuesit që keni pasur ndër vite në Tiranë dhe në Mirditë, p.sh., mësuesen tonë të përbashkët, Jolanda Bajramin?
Kam në memorie një mësuese shumë të dashur dhe të paharruar për mua në shkollën fillore në Tiranë, Eleonora Prifti. Ajo më donte shumë dhe unë prej saj shkoja në shkolle dhe mësoja me gëzim të madh. Ishte një grua e rrallë. Ndoshta e mbaj mënd dhe e kujtoj për mirë edhe për faktin se, ato ishin tre vite kur unë, isha thjeshtë një fëmijë i lumtur…!

Edhe Jolandën në Rrëshen, e kujtoj me dashurinë më të madhe. Mbetet një nga mësueset më të dashura për mua! Ajo ishte gjithmonë shumë dashamirëse dhe mjaft e sjellshme dhe jo vetëm me mua, por me të gjithë nxënësit. Për më tepër, ishte shumë e përgatitur në lëndën e saj, Gjuhë–Letërsi.

Çfarë kujtoni ndonjë gjë që ju ka mbetur në mëndje, lidhur me mësuese Jolandën?
Kujtoj dhe nuk harroj gjithashtu një provim me shkrim në matematikë, kur për mungesë të një presje, më vunë notën 9, pa pasur asnjë gabim tjetër…! Isha mësuar asokohe kur, mësuesit shpesh më vinin nota më pak se sa meritoja, sidomos kjo gjë shtua shumë në periudhën e shkollës së mesme. Unë e kisha të qartë pse bëhej kjo gjë…!

Kishte plot mësues të ndershëm që nuk ndikoheshin nga biografitë e nxënësve, por kishte edhe nga ata qe ndiqnin qorrazi direktivat që jepeshin nga lart. Ashtu siç kujtoj me mall shokun tim më të ngushtë, Orestin. E ëma, Muzoja, më trajtonte si djalin e vet ashtu si dhe tezja e tij, Dysho. Njerëz të mrekullueshëm dhe të shumëvuajtur. U jam përjetë mirënjohës. Ne na lidhte biografia “e shkëlqyer” dhe urrejtja për atë regjim.

Po nga ata që kishin probleme biografie ashtu si dhe familja juaj në atë kohë, me kë kishit miqësi dhe si e kujtoni tani?
Ne atë kohë kishim nderin të flisnim shpesh me një grua të madhërishme, siç ka qenë Musine Kokalari. Si tani e mbaj mend dhomën e saj, me bibliotekën me libra në të gjitha muret, një tavolinë shkrimi me bustin e Luixhi Pirandelos. Ajo na këshillonte përherë, të lexonim sa me shumë. Natyrisht edhe vetë lexonte vazhdimisht. Sa ishte gjallë, nuk i erdhi kush ta shihte dhe vdiq ashtu e braktisur dhe e vetmuar.

Pas vdekjes, përnjëherësh u gjenden ca kushërinj andej nga Kavaja në mos gaboj që, i morën të gjithë librat e saj…! Për të vazhduar më tej, më mirë mbaj mënd shumë mësues të shkollës se mesme, ku padyshim me të dashurit për mua kanë qenë: Fatos Bejko, Merita Pelo, Vitore Leli, Pavël Dhimitri, Dardanesha Andoni, Lume Meta dhe sigurisht, Ndue Gega, një mësues fenomenal, me një ndjenje humori shumë të mprehtë, me kusht që një ditë më parë, nuk kishte humbur në futboll “Vllaznia” e tij.

Po raste provokimesh, apo që jeni rrezikuar, a keni pasur gjatë periudhës së shkollës?
Në shkollë të mesme, ka pasur edhe peripecira të ndryshme si, një konstante e vazhdueshme e jetës sime…! Njëherë dikush më provokoi, duke më quajtur – “revizionist dhe superfuqi…”! Unë ia ktheva – “ik or vende dhe popuj…”! Përnjëherë bënë mbledhje partie dhe donin të më përjashtonin nga shkolla…!

Ja hodha atë radhë dhe shpëtova për fije të perit, ashtu si edhe në një rast tjetër më flagrant. Unë kisha një hobi dhe bëja makete ndërtesash me kuti brisqe “Astra”, të ngjitura me dylent. Pasi ndërtova një maket hoteli, më duheshin germat sipër. Ku mund t’i gjeja germat?

Gjëja më e thjeshtë ishin, parullat me germa me polistirol (ose bukë-peshku, siç i thonim ne) me të cilat bëheshin parullat me citatet e Enver Hoxhës që, ishin gjithandej. Por kur fillova të hiqja germat, më spiunuan ca të klasës…! Imagjinoni një “armik”, që prishte citatet e Enverit…! Pas kësaj, menjëherë thirrën nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, sekretarin e Partisë etj.

Bënë disa mbledhje dhe çuditërisht dikujt, i erdhi keq për mua, e çështjen e mbyllën pa më arrestuar. Kishte edhe raste më pak dramatike por, edhe disi qesharake kur, në orën e marksizmit të mësuesit P.C., meqë ishte ora e fundit, dëgjoja në bankën e fundit, “Hit parade-n” italiane, me një radio-transistor të vogël që, e mbaja me vete në çantë, pa ma parë kush.

Ky dhe disa mësues të tjerë, ishin shumë vigjilent për të më vënë një notë jo më tepër se shtatë, që donte të thoshte se, me atë notë në lëndën e marksizmit, nuk mund të vazhdoje studimet e larta. Për ironinë e fatit në Moskë, në provimin e Filozofisë, komisioni shtetëror i universitetit prestigjioz në Moskë, më dha notën maksimale, 5 (d.m.th. 10, sipas shkallës shqiptare të asaj kohe). Kjo më bën të kuptoj që, botëkuptimi im, nuk ishte aspak marksist, ose absurditeti i asaj kohe, kalonte çdo kufi…!

Mihal, ju falenderoj që pranuat të jepnit këtë intervistë!

Ju falenderoj unë ju, që i kujtoni ato kohë të vështira që kemi kaluar ne dhe pothuaj pjesa më e madhe e shqiptarëve.

Requiem
Dokumenti që i internoi për herë të dytë familjen Pumo në Perlat, më 3 shkurt 1989…!

Dosje Nr. 732, viti 1989.

Vendimi nr. 2, datë 3. 2. 1989 i Komisionit Qendror të Internimeve dhe Dëbimeve

Muntaz Pumo, i datëlindjes 1933, lindur në Gjirokastër dhe banues në qytetin e Rrëshenit, shtresë e mesme, me arsim të lartë, merceolog, i martuar, ka dy fëmijë, i pa dënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.

Mihail Muntaz Pumo, i datëlindjes 1967, lindur në Tiranë e banues në qytetin e Rrëshenit, me arsim të mesëm, pa punë, beqar, i pa dënuar, me kombësi e shtetësi shqiptare.

Muntazi ka qenë në Bashkimin Sovjetik e ka studiuar për merceologji.

Gjatë kohës që kryente studimet, është martuar me Nina Pumon, e cila në vitin 1975, është dënuar me 14 vite heqje lirie për, spiunazh e agjitacion e propagandë armiqësore dhe në vitin 1987, është riatdhesuar në Bashkimin Sovjetik, bashkë me djalin, Ilirin.

Muntazi ka qenë me shërbim në Itali, Jugosllavi, Greqi, Austri e Kubë dhe kur është kthyer, ka propaganduar jetën e “e mirë” që bëhet jashtë shtetit.

Ai është shprehur: “…Shqipëria është si burg, në krahasim me vendet e tjera, unë t’i shoh me litarë në fyt këta të qeverisë, nuk jua heq, pasi këta më kanë shkatërruar jetën, më kanë dënuar gruan, më kanë hequr nga Tirana e më kanë sjellë në Rrëshen, ku ha pula gurë…”!

Gruaja e tij Nina, në procesin hetimor, ka thënë se e ka porositur Zbulimi Sovjetik që, informatat me karakter politik, do t’i merrte nëpërmjet burrit të saj, i cili punonte në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme.

Në vitin 1987, Muntazi i ka shkruar gruas së tij në Bashkimin Sovjetik se: “…Nuk është nevoja të komentosh e të na shpjegosh veprimin e kryer të largimit tënd, pasi ishte i domosdoshëm dhe të këshilloj të jesh gjithmonë optimiste se, ne do të takohemi përsëri…”!

Gjithashtu ai nxit djalin, Mihalin, për t’u arratisur në Bashkimin Sovjetik, duke i thënë, të ketë kujdes.

Ndërsa Mihali i shkruan Ninës: “…Unë mendoj se duhet ta mbajmë fort njëri-tjetrin se, punët kanë për t’u rregulluar avash-avash, kam besim të patundur se ne, do të shihemi së shpejti, nuk kam arsye pse të jem pesimist dhe dua që edhe ti e dashur mami, të kesh këtë optimizëm…”!

Më vjen keq për babin që, do të mbetet i vetmuar, gjithashtu peng do të më mbetet edhe vajza që njoh, nuk kam për ta harruar kurrë…”!

Të internohen për pesë vjet kohë në fshatin Përlat, të rrethit të Mirditës.

Afati i internimit fillon me datën 3.2.1989 dhe mbaron më datën 3.2.1994.

Vërtetohet njësimi me origjinalin, nga Drejtoria e Sistemit të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb