Memorie.al publikon historinë e panjohur të Hasan Hazbiut, vëllait të ish-anëtarit të Byrosë Politike dhe Ministrit të Brendshëm e të Mbrojtjes, Kadri Hazbi Dautajt, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit më 11 tetorin e vitit 1982, vetëm pak orë pasi vëllait të tij, Kadriut, vartësit e tij i kishin vënë hekurat për ta dërguar në qelitë e Hetuesisë së Tiranës prej nga ku nuk do të dilte më i gjallë! Dëshmia e rrallë e Shqipe Hazbiut (Avdiu), mbesës së ish-Ministrit të Brendshëm dhe të Mbrojtjes së Enver Hoxhës, se ç’ndodhte me xhaxhanë, e saj Kadriun, pas goditjes së tij nga Enveri dhe babanë e saj, Hasanin, i cili u zhduk në rrethana misterioze në Burgun e Zejmenit në vitin 1986 dhe peripecitë për gjetjen e eshtrave të tij vetëm pas viteve ’90-të.

Kur unë trokita në shtëpinë e babait, atë ma hapi njerka ime Havaja, e cila më bëri shenjë që të mos flisja. Ndërkohë, unë hyra brenda dhe pashë babanë, Hasanin të ulur këmbëkryq mbi divan dhe ai ishte bërë sa një grusht. Pasi më puthi në ballë, më tha të shkoja në dhomën tjetër, ku ishte vëllai im Myfiti, të cilin sapo e kishin sjellë “pako-postale” nga Suedia, ku ai punonte si atashe tregtar në ambasadën tonë”. Myfiti më tha: ‘Bëhu e fortë, se këto punë kështu e kanë! Kurse nga guzhina, babai më tha: “Mos u largo nga Fatosi (bashkëshorti im) dhe bëj si të thotë ai. Tani shko, se kanë vajtur fëmijët në shtëpi dhe ki kujdes, se xhaxhanë tënd dhe vëllanë tim e kanë arrestuar”. Kështu e kujton Shqipe Hazbiu momentet e fundit të takimit të saj me babanë, Hasanin, vëllanë e madh të ish-ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në pasditen e 11 tetorit të vitit 1982, pak orë pas të vëllait. Po kush ishte Hasan Hazbiu, cilat ishin marrëdhëniet e tij me të vëllanë, Kadriun, dhe si u zhduk ai nga Sigurimi i Shtetit më 1986-ën teksa vuante dënimin në burgun e Zejmenit? Për të gjitha këto, e të tjera ngjarje të panjohura nga jeta e tij, na njeh intervista e së bijës, Shqipes, ekskluzivisht për Memorie.al që po botojmë më poshtë në këtë shkrim, ku përveç historisë së panjohur të babajt të saj, znj. Hazbiu na rrëfen edhe disa anë të panjohura se ç’ndodhte me xhaxhanë e saj, Kadri Hazbiun, pak kohë para se ai të goditej nga Enver Hoxha dhe të arrestohej më pas.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Zonja Shqipe, a i dinte babai juaj, Hasani, fjalët që ishin përhapur për Kadri Hazbiun, shumë kohë para se ai të arrestohej, se gjoja ai ishte arratisur me avion me gjithë familjen nga Shqipëria dhe a e ndiente ai se edhe me të mund të ndodhte diçka?
Patjetër që babai kishte dijeni për ato fjalë, pasi ai me Kadriun kishte marrëdhënie të shkëlqyera, por ne nuk na thoshte gjë. Në atë kohë që qarkullonin ato fjalë për xhaxhanë tonë, Kadriun, unë me bashkëshortin tim Fatosin (Avdiu) takuam rastësisht dhëndrin e tij, Agron Aranitasin, të cilin kur e pyetëm se si ishin ai na tha: “Nuk e keni marrë vesh, na kanë bërë të gjithëve të arratisur. Por ju mos u mërzisni, se ne ja ku jemi”. Ky ishte dhe sinjali i parë që morëm ne në atë kohë, para arrestimit të babait. Në gushtin e vitit 1982, Enveri e thirri Kadriun në Pogradec dhe aty nuk dihet se çfarë kanë biseduar. Kur u kthye në Tiranë, Kadriu shkoi në Pezë, por vizita e tij në televizion nuk u pasqyrua si herët e tjera. Pas gjithë këtyre që po ndodhnin, Hasani e pa se diçka jo e mirë po ndodhte, por ai e bluante përbrenda dhe nuk na thoshte gjë ne.

Si e kujtoni arrestimin e babait tuaj?
Babai ynë, Hasani, u arrestua në pasditen e 11 tetorit të vitit 1982, pikërisht atë ditë që është arrestuar edhe i vëllai i tij, Kadriu. Paraditen e 11 tetorit, e cila ka qenë ditë e shtunë dhe unë nuk do ta harroj kurrë, shkova tek babai për t’i lënë çelësin e shtëpisë sime, ashtu siç bëja zakonisht, pasi shtëpitë i kishim shumë afër. Teksa po më përcillte tek dera, babai më tha: “Shqipe, kur të shkosh në shkollë, puno me kujdes!” Pas kësaj u largova nga shtëpia, por ato fjalë të babait më bënë shumë përshtypje, pasi në atë mënyrë ai nuk më kishte folur kurrë. Atë kohë unë punoja si arsimtare në shkollën “Ylli i Kuq”, në Laprakë, dhe atë pasdite së bashku me kolektivin isha e ftuar për vizitë tek një shoqja jonë që martohej. Kur vajtëm tek shtëpia e shoqes sonë, të gjitha karriget ishin të zëna dhe asnjë nga koleget e mija nuk më ftoi të ulesha. Aty ndjeva një ftohtësi nga të gjitha shoqet dhe menjeherë m’u kujtuan fjalët që më kishte thënë babai atë paradite. Në moment mendova se diçka kishte ndodhur, megjithatë nuk e dhashë veten. Pas kësaj sekretarja e partisë së shkollës më ftoi të ulesha në një karrige me të dhe filloi të më provokonte, duke më bërë pyetje nga më të ndryshmet.

Në kohën që ju ishit për urim tek shoqja juaj, a ishte arrestuar babai juaj, apo vetëm xhaxhai, Kadriu?
Atë kohë ishte arrestuar vetëm xhaxhai, Kadriu, ndërsa arrestimi i babait ndodhi atë pasdite, kur unë u ktheva në shtëpi. Trokita në derë, atë ma hapi njerka ime Havaja (Progri), e cila më bëri shenjë që të mos flisja. Ndërkohë, unë hyra brenda dhe pashë babanë të ulur këmbëkryq mbi divan, ai ishte bërë sa një grusht. Pasi më puthi në ballë, ai më tha të shkoja në dhomën tjetër ku ishte vëllai im Myfiti, të cilin sapo e kishin sjellë “pako-postale” nga Suedia, ku ai punonte si atashe tregtar në ambasadën tonë. Myfiti më tha: “Bëhu e fortë, se këto punë kështu e kanë”. Kurse nga guzhina babai më tha: “Mos u largo nga Fatosi (bashkëshorti im) dhe bëj si të thotë ai. Tani shko, se kanë vajtur fëmijët në shtëpi dhe ki kujdes, se xhaxhanë tënd dhe vëllanë tim e kanë arrestuar. Arsyet sepse, i di partia. Ai ka qenë dhe është vëllai im dhe xhaxhai juaj”.

Ç’farë bëtë më pas ?
Pas fjalëve të tij unë u ktheva menjëherë në shtëpi dhe rrija në ballkon, duke parë nga shtëpia e babait. Pas disa minutash, pashë njerkën time, Havanë, e cila doli në ballkon dhe duke shikuar nga unë, më bënte shenja me dy duart. Me shumë vështirësi unë e kuptova se ajo më thoshte që çadrën e shtëpisë (siç e përdorim ne nga Vlora për të zotin e shtëpisë), e kishin arrestuar. Ndërsa unë vazhdoja të qëndroja në ballkon, Havaja u fut brenda dhe, si duket, ajo iu lut njerëzve të Sigurimit, pas pak aty në ballkon doli babai, Hasani, i shoqëruar nga një njeri tjetër. Ai qëndroi aty për tre katër minuta pa folur dhe pastaj u fut brenda përsëri. Pas kësaj unë u futa brenda dhe duke qarë i thashë Fatosit se babanë e kishin arrestuar. Fatosi mundohej të më qetësonte, por unë nuk e kontrolloja dot veten. Atë natë që u arrestua babai, ne nuk vumë gjumë në sy pasi ishim tepër të tronditur.

A u takuat përsëri me Havanë për ta pyetur se ç’kishte ndodhur me babënë tuaj?
Po, të nesërmen në mëngjes, kur unë dola për të blerë ushqimet, pashë Havanë që po shkonte për nga shtëpia e saj e shoqëruar me një polic. Ajo më bëri me shenjë që të mos i afrohesha dhe kur unë e ndoqa nga pas, pashë një kamion në hyrje të pallatit të saj dhe disa punëtorë që hidhnin nga lart plaçkat e saj, sikur ato të ishin plehra. Havaja qëndronte në shi pa lëvizur, duke parë plaçkat që i shkatërroheshin. Më pas kamioni u nis për në Lapardha të Beratit, ku ishte vendosur internimi i saj. Aty në atë fshat ajo qëndroi deri në vitin 1991, së bashku me djalin, Benin, të cilin atë ditë e hoqën nga shkolla e Ministrisë së Brendshme, ku studionte dhe e dërguan ushtar në Berat.

Pas arrestimit të babait tuaj, Hasanit, çfarë ndodhi me ju të tjerët?
Tri-katër ditë pas arrestimit të babait, mua më thirrën në Hetuesinë e Tiranës, (aty ku sot është Burgu 313) dhe një hetues më mori në pyetje. Unë isha shumë e tronditur kur hyra brenda dhe kur e pyeta hetuesin se mos babai im ndodhej aty, ai më tha: “Këtu pyetjet i bëj unë”. Pas kësaj ai më pyeti nëse e kisha ruajtur unë një kartolinë që më kishte dërguar babai me rastin e ditëlindjes sime, shumë kohë më parë. Kur unë iu përgjigja se ajo mund të ishte në shtëpi, ai më tha: “Po pate mundësi na e dërgo me njeri, që të mos mundohesh vetë”. Kur unë i thashë se do ua çoja me djalin, ai më la të lirë të largohesha që andej. Kur shkova në shtëpi, unë e gjeta kartolinën dhe ua dërgova me djalin tim Sokolin (në atë kohë ishte 20-vjeç), të cilin e kishin marrë në pyetje njëlloj si mua, por qëllimi kryesor i tyre ishte që të shkonte edhe Sokoli atje. Këtë gjë ne e mësuam më vonë, pas dy-tre muajsh, kur Sokolin e thërritën për dëshmitar në gjyqin e gjyshit të tij.

A morët pjesë ju në gjyq dhe çfarë dëshmoi Sokoli atje?
Ne nuk na njoftoi njeri, por as Sokoli nuk asistoi kurrë në gjyqin e Hasanit. Kur vajti herën e parë Sokoli, i thanë se gjyqi ishte shtyrë pasi gjoja Hasani ishte i sëmurë. Kur vajti herën e dytë, i thanë se ishte shtyrë për një ditë tjetër dhe kur vajti herën e tretë, i thanë se ishte me vonesë, pasi gjyqi kishte mbaruar para dy orësh. Kështu që asnjë nga ne nuk mori pjesë në gjyqin e tij dhe asnjë njeri nuk na njoftoi sa ishte dënuar Hasani. Jo vetëm kaq, por ne nuk dinim asgjë se ku mund të ndodhej ai dhe këtë unë e kam mësuar disa muaj më vonë, kur më hoqën nga arsimi dhe më çuan si punëtore në Fabrikën e Këpucëve në Laprakë. Në atë ndërmarrje, ku mua më trajtuan në mënyrë të shkëlqyer, unë mësova se babai ynë ndodhej në burgun e Zejmenit në Lezhë. Këtë ma thonin me zë të ulët disa punëtorë që kishin të afërmit e tyre në atë burg. Si fillim, unë nuk i besoja, por më pas ma tha edhe sekretarja e organizatës së Partisë, e cila më mbante afër dhe më trajtonte shumë mirë.
Pasi e mësuat se ku ndodhej babai, a u takuat me të?
Për t’u takuar nuk u takuam dot, me përjashtim të djalit, Sokolit, i cili mundi që ta takonte vetëm një herë për dy-tri minuta në Sanatoriumin e Tiranës, ku Hasanin e kishin sjellë për ta kuruar. Por ai na dërgonte vazhdimisht letra dhe kartolina nga kampi i Zejmenit, të cilat u ndërprenë në prillin e 1985-s, kur ai vdiq atje në burg.

Si e mësuat vdekjen e tij?
E mësuam shumë kohë më pas, kur rastësisht takuam në Tiranë njerkën tonë, Havanë, e cila kishte ardhur nga internimi për t’u vizituar. Atë e kishin njoftuar për të shkuar dhe për të marrë plaçkat e tij në burg, por ajo nuk kishte shkuar dot, pasi ishte e sëmurë për vete. Deri më 1990-ën ne nuk mësuam asgjë se në ç’rrethana kishte vdekur babai dhe nuk kishim asnjë njoftim zyrtar. Më 1990-ën në shtëpinë time këtu në Tiranë, erdhi një kosovar që sapo ishte liruar nga burgu i Zejmenit. Ai më kërkoi mua, pasi vëllai im Myfiti ndodhej ende i internuar në Gjegjan të Pukës. Kosovari na tha se kishte qenë miku më i afërt i babait tonë në burgun e Zejmenit dhe se Hasani kishte dhënë shpirt në duart e tij. Po atë ditë ai na tregoi edhe vendin se ku ishte varrosur babai (duke na e bërë me skicë, pasi varret nuk kishin emra, por vetëm numra) dhe emrin e njeriut që ishte kujdesur për ato varre.

Pas kësaj, a i gjetët eshtrat e babait?
Pas vitit 1991, kur vëllai im Myfiti erdhi në Tiranë, ai shkoi disa herë në Zejmen dhe e gjeti plakun që ishte kujdesur për varret e të burgosurve, i cili ia tregoi varrin e Hasanit, sipas numrit që kishte ruajtur. Pasi e gjetëm, ne i morëm dhe i sollëm ato në varrezat e Sharrës në Tiranë, duke i bashkuar me eshtrat e xhaxhait, Kadriut, dhe djalit të tij Gonit, që vdiq në minierën e Kurbneshit. Që nga viti 1995, eshtrat e atyre tre njerëzve tanë më të dashur prehen bashkë aty në varrezat e Sharrës.

Hipokrizia e Enverit: Telegram urimi Hazbiut para arrestimit
Arrestimi i Hasan Hazbiut në 11 tetorin e vitit 1982 nuk ishte krejt i papritur si për të, ashtu dhe familjen e tij, pasi Hasani kishte kohë që po e ndiente se vëllai i tij Kadriu, ish-ministër i Brendshëm dhe anëtari i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, që nga viti 1953, nuk i kishte punët fort mirë me Enver Hoxhën. Që gjashtë muaj më parë, edhe Hasanit i kishin shkuar në vesh të gjitha fjalët që ishin përhapur në atë kohë për vëllanë e tij, Kadriun, ministrin e Mbrojtjes, për të cilin u fol se ishte arratisur me avion ushtarak nga Shqipëria dhe kishte përfunduar në SHBA me gjithë familjen e tij. Edhe pse nuk ishte e vërtetë, për Hasanin dhe familjen e tij kjo rëndonte shumë. Lidhur me fjalët që u përhapën në atë kohë për Kadri Hazbiun, mbesa e tij Shqipe Hazbiu dëshmon: “Ndonëse ne dëgjonim vetëm fjalë lart e poshtë, xhaxhai ynë Kadriu e dinte dhe e kishte parandjerë më herët atë që po ndodhte me të. Shumë vonë ne kemi dëgjuar se me rastin e ditëlindjes së tij, më 16 korrik 1982, Enver Hoxha i kishte dërguar Kadriut një përshëndetje, letra e së cilës ishte ambalazhuar me një dosje të bukur me ngjyra. Por kur njerzit e Enverit ia kishin çuar atë në shtëpi, as Kadriu dhe asnjë nga familjarët e tij nuk kishin marrë mundimin që ta lexonin se çfarë shkruhej aty. Kjo gjë kishte ndodhur, pasi Kadriu, më mirë se kushdo, e njihte mirë hipokrizinë e Enverit, i cili, para se të të godiste, të lante dhe të lyente. Kështu, letra përshëndetëse e Enverit, me shumë lëvdata për Kadriun, përfundoi në duart e nipit të tij 6-vjeçar, djalit të Mozës.

Kush ishte Hasani, vëllai i vetëm i Kadri Hazbiut?
Hasan Hazbiu u lind në vitin 1915 në fshatin Hysoverdhë të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së Hazbi Dautajt, një nga më të njohurat e fshatrave të Lumit të Vlorës, i cili më 1920 mori pjesë në Kongresin e Lushnjës si delegat i zgjedhur nga populli i asaj krahine. Hasani ishte më i madhi i djemve të Hazbi Dautajt, pas tij vinte Njaziu, i cili vdiq fare i ri, në moshën 20-vjeçare dhe më i vogli i tyre ishte Kadriu, i cili u lind në vitin 1922. Familja Hazbiu ka qenë një familje shumë e pasur, e cila është marrë me blegtori dhe në pronat e shtëpisë së tyre, deri në fillimin e viteve ’40-të, punonin vazhdimisht nga katër-pesë argatë. Nisur nga gjendja e mirë ekonomike, të dy djemtë e Hazbiut, Hasani dhe Kadriu, u shkolluan fillimisht në Shkollën Tregtare të Vlorës, por Hasani nuk arriti ta përfundonte dot atë, pasi, pas vdekjes së t’et, Hazbiut, ai e ndërpreu atë dhe u kthye në fshat për të marrë mbi supe barrën e familjes. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste, në vitet ’40-të, shtëpia e Hazbi Dautajt u bë një nga bazat kryesore, duke u vënë e gjitha në shërbim të partizanëve, ku ishin inkuadruar Hasani me Kadriun. Me mbarimin e Luftës, ndërsa Kadriu erdhi në Tiranë, ku u emërua në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, i vëllai, Hasani, qëndroi në fshat, ku u zgjodh Kryetar i Këshillit Popullor për krahinën e Drashovicës. Në atë funksion Hasani qëndroi deri në vitin 1951 dhe në atë kohë ai erdhi në Tiranë për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së tij të sëmurë, Salushes, e cila gjatë periudhës së Luftës ishte marrë vazhdimisht me pritjen e përcjelljen e partizanëve, duke gatuar edhe bukën për të gjithë atë shtëpi të madhe, që nuk mbetej kurrë bosh. Disa kohë pas vdekjes së Salushes (me të cilën kishte dy fëmijë, Shqipen dhe Myfitin), Hasani u detyrua dhe u martua përsëri me Hava Progrin, me të cilën pati vetëm një djalë, Benin. Pas ardhjes në Tiranë, Hasani filloi punë në ndërmarrjen “Rruga Ura”, (më pas u bë Shef i Kuadrit) dhe banoi si qiraxhi deri më 1981-in, kur mori shtëpi tek rruga “Myslym Shyri”. Në funksionin e Shefit të Kuadrit te “Rruga Ura” Hasani qëndroi deri më 11 tetor 1982, kur u arrestua nga Sigurimi, pikërisht atë ditë që ishte arrestuar edhe vëllai i tij, Kadriu, ish-anëtari i Byrosë Politike, ministri i Brendshëm dhe i Mbrojtjes i Enver Hoxhës, të cilit i shërbeu deri në fund me një besnikëri të rrallë dhe ndoshta pa i shkuar kurrë ndërmend se një ditë edhe ai do ishte viktima e tij?!/Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb