NGA DORJANA BEZAT
“Kam 2 vite që vërej se ish- bashkëshorti më ngacmon fëmijët. Para një viti i pashë të ngacmonte me duar djalin dhe vajzën, dhe jo t’i puthte e përqafonte si një prind. Vendosa të divorcohem prej tij. Duke parë se veprimet e tij vazhdojnë ende vendosa ta denoncoj”.

Ky ka qenë rrëfimi në polici i nënës 29-vjeçare R. M. e cila ka denoncuar në komisariatin nr. 3 në Tiranë ish-bashkëshortin e saj Denis Shmili pasi sipas saj ai ngacmonte seksualisht fëmijët 7 vjeç dhe 6 vjeç.

Pas kallëzimit Policia e Tiranës ka arrestuar në banesën ku jetonte 32-vjeçarin, i cili i ka mohuar akuzat.

Shmili ka thënë se është një besimtar i devotshëm dhe se fëmijëve iu falte vetëm dashuri atërore. Nga ana tjetër ish-bashkëshortja ka kërkuar urdhër mbrojtjeje nga gjykata pasi sipas saj, 32-vjeçari e dhunonte psikologjikisht me qëllim që ajo të vazhdonte martesën me të. Policia po heton për zbardhjen e vërtetë të kësaj ngjarjeje.

32-vjeçari është një emër i panjohur për policinë pasi vetëm pak kohë më parë ai ishte dënuar për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Policia deklaroi sot se 32-vjeçari dyshohet se ka ngacmuar në banesë fëmijët e tij me inicialet A. SH., 7 vjeç dhe U. Sh., 6 vjeç.

Po ashtu ai akuzohet se ka ushtruar dhunë psikologjike, e kryer vepra të turpshme, ndaj ish-bashkëshortes së tij shtetases, R. M., 29 vjeçe, të cilës iu plotësua kërkesë padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershëm.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb