TIRANË- Zbardhet një tjetër dëshmi e rëndësishme në çështjen “Doshi”. Bëhet fjalë për dëshminë e dhënë nga Kryeministri Edi Rama në Prokurorinë për Krimet e Rënda, për llogari të hetimit të çështjes “Doshi”. Përpara prokurorëve Adnand Xholi dhe Blerim Tominaj, Kryeministri Rama ka rrëfyer se ishte vënë në dijeni nga vetë Tom Doshi në lidhje me pretendimet e deputetit për një “komplot” për vrasjen e tij.

Pas kësaj, Rama ka kërkuar që të informohet kryeprokurori dhe ministri Saimir Tahiri. Por, Doshi këmbëngulte se kryeprokurori ishte i përfshirë vetë në plan, ndërsa te Tahiri s’kishte besim.

Sipas materialeve të publikuara nga “SYRI.net”, Rama thënë se ka zhvilluar një ballafaqim me kryetarin e Parlamentit Ilir Meta, ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe deputetin Tom Doshi, në lokalin pranë rezidencës qeveritare në Durrës dhe se që prej nëntorit 2014 nuk komunikonte më me deputetin Doshi.

DËSHMIA NË PROKURORI:
Pyetje: Jeni thirrur sot për të dhënë shpjegime në lidhje me procedimin penal Nr.63 të vitit 2015, regjistruar kryesisht pranë zyrës sonë për veprën penale “Vrasje të funksionarëve publike” e mbetur në tentativë e parashikuar nga neni 79/a dhe 22 i Kodit Penal, referuar deklarimeve të dhëna nga ana e shtetasit Tom Doshi para mediave audio­vizive dhe në rrjete sociale në datë 02.03.2015. A mund të na jepni shpjegime rreth deklaratave të bëra prej tij në media dhe rrjete sociale ku përmendet dhe emri juaj, i cili pretendon se ju ka informuar për këtë ngjarje?

Përgjigje: Në lidhje me çështjen dua të them se jam vënë në dijeni për të, në periudhën e fund muajit Gusht dhe fillim muajit Shtator të vitit 2014. Kam qenë në Durrës në rezidencën qeveritare, ku deputeti Tom Doshi i shqetësuar më ka thënë se donin ta vrisnin dhe se ishte një komplot i organizuar nga disa njerëz që u mblidhnin tek një lokal në bllok dhe më ka përmendur një person te quajtur Toni gjithashtu më përmendi Agron Kuliçajn, Eugen Geçin dhe Agim Ramën. Tom Doshi më tha se personat mblidheshin bashkë tek ky lokal dhe se vrasjen do ja bënin me eksploziv.

Toma më tha se personi që do bënte vrasjen kishte shkuar dhe ja kishte thënë vetë Tomës. Unë e pyeta “perse erdhi ta tha ty” dhe ai u përgjigj “sepse në momentin që duhej të aktivizonte eksplozivin, vrasesit te penduar i erdhi keq pasi kishte dëgjuar shume per mua dhe mendoj se perse duhet ta bente kete gje ketij njeriu”. Unë në e pyeta “po kur ka ndodhur kjo gje” dhe ai më tha “une kisha kohë që dëgjoja se po gatuhej dicka kundër meje derisa ky me erdhi vete”. Unë e pyeta se kush ja kishte thënë për herë të parë që po gatuhej kjo gjë dhe Toma më tha se i kishte thënë Mark Frroku. Toma gjithashtu më tha se kishte bërë investigimin e vet pasi i kishte thënë Mark Frroku këtë gjë.

Unë i kam thënë Tomës se duhet të fliste me Prokurorin e Përgjithshëm, dhe ai më tha se kishte folur me Prokurorin por edhe Prokurori i Përgjithshëm është pjesë e kësaj loje. Toma më tregoi një histori me një ngjarje ku kishte ndodhur një plagosje dhe si rezultat i kësaj ngjarje nga personat e përfshirë, përkatësisht nga Eugen Beçi, ishte dekonspiruar biseda e Tomës me Prokurorin e Përjgithshëm pasi sipas Tomës, Prokurori i Përgjithshëm i kishte dërguar fjalë Eugenit se të bënin kujdes pasi Toma e kishte marrë vesh që donin ti bënin dicka.

Prandaj më tha, se kjo punë duhet të fillojë nga Prokurori i Pergjithshëm, unë e pyeta se ç’deshte të thonte dhe ai më tha “ta plasim dhe ta heqim Prokurorin e Përgjithshëm ne Parlament”. Tek kjo fjali e Tomës i thashë “te lutem mos te shkojme ne kete vijë pasi nuk mund të nisem une nga një ordiner qe te thote ty se paska marre leke per te te vrarë dhe unë te filloj luften me Prokurorin e Pergjithshem”.

Ndërkohë u shqetësova nga ky fakt sepse natyrshëm, personat që përmendeshim të çonin logjikisht tek prapavija politike e Sali Berishës. I thashë Tomës të thërrisnim Ministrin e Brendshëm, por ai më tha që nuk kishte besim tek ai. I thashë që nuk dija rrugë tjetër për të trajtuar këtë gjë pa Ministrin e Brendshem. Kam telefonuar Ministrin e Brendshëm dhe i kam thënë që dëgjova një histori të çuditshme nga Toma dhe Ministri më tha “se duhet te ishin nga ato muhabetet e Tomes”.

Më pas, të nesërmen, kam takuar Prokurorin e Përgjithshëm në zyrën time dhe ja kam treguar gjithë cfarë më tha Toma. Prokurori i Përgjithshëm buzëqeshi dhe tha se ishte absurde dhe nuk e kishte dëgjuar më parë për këtë fakt. Prokurori më tregoi se i kishte thënë Tomes, që nëse donte mund të bënte një kallëzim, pasi ishte e vetmja mënyrë për ta ndjekur kete cështje. Biseda që pata me Prokurorin më lehtësoi sepse isha i shqetësuar realisht, por nga ana tjetër kisha përsëri merakun që të kuptoja më shumë se ç’ndodhte në këtë histori.

Gjatë këtyre ditëve që kam qenë tek rezidenca qeveritare në Durrës, ka ardhë Toma tek une dhe më ka thënë “kam njeriun ketu tek shtepia ime”. I thashe “te lutem mua mos me ngatërro me njerez te asaj kategorie dhe neqoftese do suport nga une ka vetem një rruge, te përfshihet Ministri i Brendshëm dhe kjo të ndiqet në rrugë ligjore”. Aty kam thirrur unë Ministrin e Brendshëm, kemi rifolur për këtë histori dhe aty i është shpjeguar në detaje Tomës se si mund të vihej ligjërisht në dispozicion të zbardhjes së çështjes ky personi që Toma kishte në shtëpi.

Toma kërkoi që Ministri i Brendshëm t’ja komunikonte personit këtë gjë dhe unë i thashë që këtë Ministri i Brendshem mund ta bënte nëse Toma merrte personin dhe e conte tek institucioni policisë. Toma kërkoi që Ministri ta takonte aty për aty personin që ta bindte dhe ti jepte besim për të ardhur në polici. E kam porositur ministrin që të kishte një kontakt sa më të shkurter me atë person dhe pastaj ngjarja ka vijuar ashtu sic e ka përshkruar Ministri në deklaratat e tij.

Pyetje: A keni komunikuar me Ministrin e Brendshëm në lidhje me personin që pretendohej nga Tom Doshi për te kryer këtë ngjarje?

Përgjigje: Ministri më pati thënë, se nuk kishte shans që kjo të ishte e vërtetë dhe më tregoi se ç’përfaqësonte personi që mbante Toma dhe më shpjegoi se ai kish precedentë penalë.

Pyetje: Keni organizuar ndonjë takim me Ministrin e Brendshëm, Tom Doshin dhe Kryetarin e Kuvendit lidhur me këtë ngjarje?

Përgjigje: Toma ka përmendur edhe kryetarin e kuvendit, që sipas tij i kishte dalë emri nga Agim Rama i cili ja kishte thënë Ton Qerosit (Fatjon Skënderi) dhe më pas Toni ja kishte thënë personit që mbante Toma. Për këtë gjë unë i thashë se mua më dukej film fare kjo punë, por nga ana tjetër duke e parë Tomën shumë të shqetësuar dhe nën ndikimin e idesë që këta njerëz ishin përfshirë i kam thënë që shiko se duket si një intrigë për të krijuar përplasje dhe për të fshehur se ku i ka rrënjët në fakt kjo porosi.

Toma këtë ja ka thënë edhe vetë kryetarit të kuvendit, Ilir Metës. Unë, Iliri , Saimiri dhe Toma jemi takuar në Durrës tek lokali i rezidencës qeveritare. Për hir të të vërtetës, Kryetari i Parlamentit ishte shumë i shqetësuar pasi njësoj si unë mendonte që kjo ishte një intrigë dhe të them të drejtën as unë as Kryetari nuk dyshuam që kjo ishte e vërtetë por që këtë akt ata që po e organizonin donin ta shfrytëzonin për të goditur mazhorancën, duke ngarkuar me përgjegjësi Kryetarin e Kuvendit.

Ndërkohë nga Toma ka dalë se donin të vrisnin edhe deputetin Mhill Fufi. Gjë për të cilën Ministri i Brendshëm ishte terësisht i ftohtë në gjithë këtë histori, gjë që në ato momente krijonte një dyzim shumë të forte dhe ideja e përfshirjes së Mhill Fufit dukej sikur e rriste besueshmërinë e skenarit sepse lidhte Tomën dhe Mhillin me sebepin e hakmarrjes së Kryetarit të Kuvendit lidhur me të shkuarën.

Pra Tomën do e vriste për tu hakmarrë për videon e Dritan Priftit kurse Mhillin për tu hakmarrë për vrasjen e një militanti të LSI në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 në Laç.

Pyetje: A keni patur ndonjë konflikt, debat, pakënaqësi, apo interes me deputetin Tom Doshi. Nëse po, cfarë lloj konflikti, në cfar periudhe ka filluar ky konflikt dhe a keni dijeni se është organizuar apo paguar ndonjë person për eliminimin e tij?

Përgjigje: Unë kam patur dhe kam marrëdhëniet normale me të. Që nga fillimi i muajit nëntor të vitit 2014, unë nuk komunikoj me të, pasi herën e fundit më ka thënë se do të iki në USA që t’ia jap dëshminë dhe që ka edhe një video që i kam regjistruar nëndrejtorit të FBI-­së. Unë i thashë që kjo ishte e papranueshme dhe ty vetë të implikon në marrje dëshmie në rrugë të paligjshme për t’i bërë shantazh kryetarit të Kuvendit dhe qeverisë, prandaj duhet të jesh i përgatitur të përballesh me pasoja, pas këtij momenti nuk jam takuar dhe as kam komunikuar më me Tomën.

Kam për të thënë se në momentet kur Toma ka pranuar që të vinte në takim Saimir Tahiri, në Durrës, ai më ka thënë se i kishte regjistruar me video thëniet e personit në lidhje me ngjarjen dhe më tha se e kishte bindur që ta regjistronte, si dhe kishin rënë dakord që të luante rolin sikur e kishte marrë peng personin që po regjistronte Toma.

Më tha se i kishte ndenjur me armë te koka, pasi vetë personi kishte problemin që ata të tjerët do të thoshin që i kishte shitur te Toma dhe do ta vrisnin. Toma më tha që këta janë njerëz me karakter dhe nuk mund të pranojnë që të rrëfehen. Procesverbali, pasi lexohet dhe gjendet i rregullt, nënshkruhet pa pasur vërejtje nga të pranishmit.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb