Pjesa e shtatë

Publikohen disa pjesë nga libri me kujtime i autorit Ejëll Çoba, intelektualit të njohur nga qyteti i Shkodrës, pinjoll i një prej familjeve më në zë të atij qyteti, i cili pasi ishte diplomuar në Universitetin ‘La Sapienza’ të Romës në vitin 1932, u kthye në atdhe ku ushtroi profesionin e tij, duke ndjekur karrierën administrative, si ‘Dottore in Giurisprudenca’ dhe më pas për disa vjet me rradhë në administratën e lartë shtetërore, ku e zuri edhe periudha e pushtimit të vendit, (1939-1944), ku ai mbajti disa funksione të larta, si Drejtor në Ministrinë e Drejtësisë, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zv / Ministër i Punëve të Brendshme, etj. Arrestimi i tij në vitin 1946, (së bashku me vëllanë, Kelin) i akuzuar si pjesmarrës në ‘Lëvizjen e Postribës’ dhe pas një hetuesie të gjatë në Shkodër dhe Tiranë, u dënua me 25 vjet burg, nga të cilat vuajti plot 23 vjet e pesë muaj, e pesë dit burg, në kampet e tmerrshme të punës së detyruar, e deri në ferrin e Burrelit. Kujtimet e panjohura të Ejell Çobës, të cilat vijnë me një parathënie të bashkëqytetarit të tij, shkrimtarit të njohur, Zija Çela, paraqesin para lexuesit një panoramë të ‘pikturuar me penelin’ e dhimbjes, ku jepen detaje dhe hollësirë për vuajtjet e tij në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, si dhe të bashkëvuajtësve të tjerë, emra të njohur e të panjohur, si: Padër Bernardin Palaj, Guljelm Suma, Syrri Anamali, Ramdan Sokoli, Cin Serreqi, Padër Karol Serreqi, Padër Filip Mazrreku, Hamdi Isufi, Hafiz Ali Kraja, Beqir Çela, Musa Gjylbegu, Asim Abdurahmani, Prof. Selman Riza, Petrit Merlika, Kolec Deda, Nikoll Deda, Felatun Vila, Gjush Deda, Sali Vuçiterni, Emin Bakalli, Qani Katroshi, Sali Doda, etj., si dhe disa emra hetuesish, gardianësh, oficerësh të Sigurimit të Shtetit, si Fadil Kapisyzi.

                                                             Vijon nga numri i kaluar

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

B U R G I M E T

                                   Kujtime të shkruara nga gusht 1973 deri në fund të dhjetorit 1977

                                                      Mund të durohen vetëm gjanat ekstreme

                                                             Konti Rober dë Monteskje

Kur drejtori deshi me dalë bashkë me të ishte dhe një toger të cilin unë e njoha, por Hamdiu që zgjati kryet mbi shpatulla, tha tue shtri dorën:

  • Ma jep dorën, shoku toger Gaqo! E togeri duke u largue tha:
  • S’ta jap dorën ty! – Mue më fali pushteti e ti s’ma jep dorën?!

Nuk e di ç’ka më ndali pa i thënë Hamdisë, se: ç’ka të duhet dora e tij?! Toger Gaqon, Hamdiu e kishte pasë vartës, në Xhandarmëri ose në Polici. Mbasi u larguen të tjerët, kapterri na tha:

  • Mblidhni teshat, e shkoni nalt.

Atëherë u përqafuem me të tre shokët e qelisë. Kapterri pak si me ton tha: “Prisni pak”, dhe e mbylli derën me shul. Tue shpresue se kapterri nuk do të vononte me ardhë, lidhëm teshat e u shtrimë me shokët.

Një roje, që po bante kontrollin e zakonshëm, kur pa prej sportelit se kishim mbledhë teshat, hapi derën e na tha:

  • Ç’prisni pse s’bini?!
  • Po presim kapterrin për me shkue nalt në burg – i thamë.
  • Kushedi kur vjen kapterri, e për sonte nuk ju lë të dilni.

Ramë atë natë e për plot tetë ditë të tjera. Kapterrit si vinte mirë që përqafoheshim me shokët, dhe ai shpresonte që për familjet tona, prej gëzimit të ç’ojshin ushqim special ose kafe pluhur, që ishte e rrallë në atë kohë. Pranaj na la aty dhe një javë.

Kishte fillue vapa e ndihej mungesa e ujit. Përditë pritnim të na bashkojshin me të burgosurit e tjerë. Pas 4-5 ditësh, Hamdiu më tha:

  • Mos janë t’u u tall me ne këta?!
  • Edhe nëse janë tallë, mirë po na e bajnë, se po flejm të qetë.

Por Hamdiu kishte natyrë hakmarrëse dhe bënte plane për të ardhmen. Njëherë më tha që do duhej me formue një “dorë të zezë” për me zhdukë kundërshtarët. Unë nuk ja miratojsha. Nga ana tjetër, më vinte keq me zhgënjye ëndrrat e tij. Ai nuk e kishte kuptue që situata në Shqipëri kishte ndryshue, e nuk kthente ma. Sistemi politik e shoqëror i vendosur në vend nga turqit osmanë, kishte perëndue përgjithmonë si sitemi feudal në Europë. Shqipëria po kalonte lindjen e borgjezisë, qoftë edhe në socializëm. Ka një ligj në zhvillimin e jetës shoqërore, që nuk mund të shpëtojë asnji popull. Populli shqiptar po kalonte një periudhë shumë të dhimbshme e me viktima të shumta.

  • Kur të vijë kapterri për me na bashkue me të burgosurit, mos t’i lejmë teshat, por t’i marrim rrëshanë që të mos na lej ma këtu.

Unë qesha me hallin e Hamdiut. Një ditë kur një roje na solli ushqimin, na tha:

  • A u frikësuet kur ju lajmëruen se do ju dënonin me vdekje?
  • Pse a t’u duk gja e vogël?! Roja në shenjë pohimi tundi kokën.

Në 24 qershor 1947, kur hangrëm drekë e po pushojshim, erdhi kapterri e na tha të merrshim teshat e të shkonim lart. U veshëm shpejt e u përshëndetëm me shokët. Në koridor kapterri na dha një kile sheqer që na kishin sjellë familjet.

  • Po kafen? – i tha Hamdiu kapterrit.
  • S’ju kanë sjellë kafe – na tha ai me gjysëm zëri.

Njëri prej rojeve na tha: “Merre at shami, se është e jotja!”. Në sytë e tij e mora dhe e hodha në oborrin jashtë.

Kur mbërritëm në krye të shkallëve, në koridor ulëm teshat. Burgu ishte në heshtje në pushim të drekës. Papritmas, si me një të lëvizur të sustës, dolën të burgosurit e krahut jugor si bletët prej zgjojit! Të gjithë erdhën me na përqafue e me sy të përlotur. Kishin marrë vesh që ishim ekzekutue na dhe jo Gjush Deda e Asim Avdurrahmani.

Inxhinier Petrit Merlika, më dha kafe në qelinë e tij. Më pas Ndoc Sheldia, më dha aranxhatë se kishte ditën e emnit të djalit, Gjovalinit. Atë ditë ndjeva një kënaqësi të paharrueshme nga përqafimet e shokëve e kolegëve. Kështu filloi jeta ime e panderpreme e burgut, që do të zgjaste 23 vjet.

Megjithëse ishte e ndalume me shku në anën tjetër të burgut, bana si bana dhe shkova me takue Shuk Gurakuqin. Pas ca ditësh më tha Pjetër Haxhiu, që kur kishte marrë vesh që unë e Hamdiu do liroheshim, ishte emocionue pa masë. E besojshim sepse ai ushqente simpati për ne. Një moment gëzimi i veçantë qe takimi që bana me motrën dhe vëllain pas 8 muajsh, edhe pse me dy palë hekra.

U interesova dhe për vëllain tjetër, Kelin, që ishte i burgosun i padënuem. Kisha frikë se shpëtimi im nga vdekja do rëndonte mbi të. Nuk kisha besim te drejtësia e asaj kohe, e as te gjykatësat e vendimet e tyre. Nuk ishim të informue për akuzat që i ishin ba. Natyrisht nuk i thashë për torturat që i kishin ba. Po ashtu, nuk i informova për ato që kisha heqë unë.

Në përgjithësi gjëndja shpirtnore e të burgosurve ishte optimiste e deri euforike. Shumica besonte se hovi revolucionar po vinte duke u shue, e midis komunistave do hynte një grindje. Pra mund të kishte disi pasoja zbutëse për të burgosurit. Edhe ata të paktë që nuk ishin optimistë e përkrahnin këtë gjë, për të mos ra në pesimizëm. Unë e pashë si të papërshtatshme këtë rrugë. Vetëm Shuk Gurakuqi, nuk besonte se situata do të ndryshonte dhe nuk besonte se do kishte shenja të brëndshme ose të jashtme, që do të shembnin sistemin. Por edhe ai besonte në optimizmin e tyre. Shpejt fillova të kujtoj se disa të rinj oportunistë, kishin fillue me kuptue se disa ide komuniste, ishin me vend, e nuk kishte qenë me vend kundërshtimi frontal i tyre.

Në botën nacionaliste shqiptare, shihnim patjetër shumë kontradita, por derisa këto ishin joantagoniste, po të përdornim një shprehje marksiste, duhej studiue rruga me i zgjidhë problemet në të ardhmen. Por ajo që më çuditi ishte biseda që pata një ditë në oborrin e burgut, me profesor, Selman Rizën. Selmani ishte kosovar e studimet i kishte ba në Liceun e Korçës me përfundime shumë të mira, e mandej kishte mbarue universitetin në Francë. Po kisha mbetë i çuditun nga një artikull që kishte botue në revistën e Branko Merxhanit “Përpjekja Shqiptare” ku, megjithëse kosovar, mbronte tezën se gjuha zyrtare, duhej të ishte toskënishtja, t’ue shpjegue se gjuha zyrtare duhej të ishte tosknishtja, t’ue shpjegue se gjuha e Elbasanit, e adoptueme prej Komisisë Letrare të 1916-s, në fakt nuk ekzistonte, mbasi vetë Aleksandër Xhuvani, shkruante shkodranishten ma të bukur. Pavarsisht nga meritat gjuhësore të një teze të tillë, e çmova pavarsinë intelektuale të tij dhe çlirimin e shpirtit të tij nga çdo kushtëzim krahinor.

Një ditë, në burg, Selmani kërkoi që të bisedojshim në oborr në kohën kur të burgosunit dilshin për të marrë ajër.

Patjetër pranova me gjithë qejf, pse edhe mue më kishte marrë malli të rifillojsha bisedimet e vjetra me të. Kur u takuem, Selmani foli pa ndërpremje, për gati gjysëm ore, e më shpjegoi se çfarë përfundimesh kishte mbërrijtë në mendimet e tij politike. Unë u çudita kaq shumë nga fjalët e tij, saqë e pyeta.

  • A jam tue folë me Selmanin që e njoh, apo me një tjetër?
  • Po – m’u përgjigj – unë aprovoj plotësisht ideologjinë e veprimet e komunistave shqiptarë, por nuk e shpall, vetëm e vetëm sepse do të interpretohet si oportunizëm e dallkaukllëk.

Mjerisht, nuk pata rast tjetër të rrahshim mendimet me Selmanin, sepse mbas pak ditëve, e dorzuen në Jugosllavi për t’u gjykue për veprimet e tij në favor të Shqipnisë Etnike. Nuk e di a asht dënue atje dhe me ç’aktivitet asht marrë.

Në burg ishte krijue një dhomë përkthimesh, ku ishin Mit’hat Aranitasi, Kostandin Boshnjaku, Mihal Sherko, Selman Riza (që kishte marrë si sekretar Viktor Dostin), Filip Fishta, Suad Asllani, Kadri Hoxha e të tjerë. Po në atë dhomë ishte edhe Shuk Gurakuqi, i cili nuk merrej me përkthime, por mblidhte për vete terminologjinë shqipe të bimëve.

Një mëngjes, radioja dhe lajmin se ishte vra Llesh (Sandër) Gjonmarkaj me tre shokë, të arratisun në malet e Mirditës. Mbas pak minutash, tue kalue nëpër korridor, ndigjova një za që bërtiste: “Më mbytën, më mbytën!”.

Pashë Esad Malon, që po vraponte në drejtim të “hekurave”, portës së burgut. Mbas pak u për-hap fjala, se në dhomën e studentave mbas lajmit të vrasjes së Llesh Gjonmarkajt, të gjithë kishin ngushëllue Dedën, të vëllanë e Zefit, të kushrinin, e mandej secili kishte shkue në vendin e vet, tue ndejë në heshtje të përmortshme.

Komanda menjiherë e mbylli dhomën e studentave. Prej ministrie erdhën 3-4 oficera, të cilët i nxorën studentat një e nga një prej dhomës e, tue i rrahë me shqelma e me grushta, i ndrynë të gjithë në qelitë e katit përdhesë, e i lanë në çimento për një muej me bukë e ujë.

Ishin vitet kur shtypi shqiptar gjente te Bashkimi Sovjetik shkencën ma të përparueme, moralin ma të përsosun, letërsinë ma realiste, kinematografinë ma artistike, sociologjinë shpëtimtare të njerëzimit, regjimin ma të drejtë, prandaj edhe torturat ma të rafinueme atje, do të gjindeshin e prej atje i morën xhelatët shqiptarë. Shumë herë në gjumë ndigjojasha zanet e viktimave që nuk kishte arritë t’i mbyste fizarmonika shurdhuese, e ato skena të trishtueme më shfaqeshin se në një andërr të llahtarshme. E ata që vuajtën ishin shqiptarë të tana krahinave, e të tana besimeve, të gjitha shtresave, sidomos fshatarë, njerëz të vorfën, pak bejlerë, mjaft intelektualë, shumica me ndjenja nacionaliste të vërteta, me pikëpamje të ndryshme, ndërmjet tyne edhe socialista, edhe social-demokratë, edhe nacionalçlirimtarë e komunista të zhgënjyem.

Gazetat filluen të japin korrespondenca nga gjyqi i Abdyl Kokoshit, inxhinier Klosit etj. Abdyl Kokoshi i mohoi të gjitha deklaratat e bame në hetuesi, t’ue thanë se i ishin marrë me tortura. Me to kishte ngarkue veten dhe shumë të tjerë, ndër të cilët edhe vëllanë tim, Kelin, gjoja se me anë të tij organizata ku bante pjesë Abdyli, ishte marrë vesh me Klerin Katolik. Im vëlla, po paguante për mue. E kjo gja më idhnoi sa s’thuhet. Të nesërmen, kur kryetari i gjyqit rifilloi seancën, tue marrë në pyetje të pandehunit e tjerë, Abdyli kërkoi fjalën dhe deklaroi: “Sa kam thënë në hetuesi, janë të gjitha të vërteta”. Kryetari i gjyqit nuk kërkoi të shpjegonte pse një ditë ma parë i kishte mohue. Kuptohej: Abdyli donte të vinte në dijeni publikun, se thaniet në hetuesi, si edhe deklarata e ditës së dytë në gjyq, ishin efekt shtrëngimi. Kush donte me e kuptue, e kuptonte.

Më ka tregue ma vonë Kudret Kokoshi, kushri i Abdylit, se kur kishin marrë vesh se Abdyli i kishte mohue thaniet e hetuesisë, si ai, si axha i tyne, Qazim Kokoshi, të cilët ishin në burg në Vlonë, ishin gëzue kaq shumë sa po atë ditë, në drekë, Qazimit i kishte ra pika prej gëzimit e kishte vdekë. Mjerisht, të tilla fenomene janë shfaqë në të gjitha kohët, e në të gjitha vendet. Historitë e regjimeve shtypëse janë të mbushuna me pohime të rreme, e me vetëkauza.

Në vitin 1947, pjesa ma e madhe e të burgosunve nuk besojshin ende se gjendja e përparshme nuk mund të kthehej ma. Pritshin një ndrrim të menjihershëm të gjendjes politike, por prej kujt e pse?! Askush nuk dinte me dhanë një përgjigje të besueshme. Çudia ma e madhe ishte se edhe familjet në takime, e ushqejshin një shpresë të tillë euforike.

Përditë vijshin të dënuem të rij, që na tregojshin për dënime të reja, për tortura e sidomos për fakte e ngjarje, për masa e propaganda, për nënshtrim të dissave që besoheshin besnik të sigurtë të dëshueme të kundërshtarëve të arratisun nga Shqipnia, e për asnji efekt të veprimtarisë së të arratisunve jashtë. Por në burg, shumë të pakët ishin ata që e shihshin sa çashtja jonë ishte e humbun, si mbrenda, si jashtë. Asht për t’u çuditë, se si vazhdojshin me pasë ende shpresa disa prej atyne që e kishin marrë vesh se kryetari i delegacionit anglez, kur i kishin paraqit një memorandum, i kishte thanë Gjergj Kokoshit: “Për na njizet vjet, do t’i keni këta”. Kur përpiqesha me e analizue këtë iluzion kolektiv, më dukej e shpjegueshme sa vijon:

  1. Besimi i përgjithsuem në masën injorante e fetare, se “ç’ka qenë, do të jetë”. Nuk e di ku e ka burimin ky iluzion fatalist, pa themel do t’u ketë ushqye shpirtin e zemrën të gjithë atyne shqiptarëve, që gjatë sundimit turk, i kanë mbetë besnikë idealit të Skënderbeut. Edhe për ata, për ma se katër shekuj, asnji shenjë objektive shpëtimi nuk ka ekzistue, por i ka ngushllue e i ka forcue iluzioni se “ç’ka qenë, do të jetë”. Me këtë shpresë iluzioni kanë luftue e kanë vdekë me guxim.
  2. Ndër intelektualët nuk kishim studiuesa të thellë të historisë, as nuk kishim njerëz të praktikuem për interpretimin e fakteve e të ngjarjeve, sa me u ngritë në një përgjithësim realist të gjendjes. Nuk e kishim kuptue thellësisht e në mënyrë bindëse, se populli shqiptar ishte një gur shahu në dorën e dy blloqeve e, si i tillë, nuk mund të kishte asnjë peshë as për veten e vet, mund t’i vlente vetes, vetëm për aq sa i’a lejojshin njeni ose tjetri bllok.

Kur Blloku që do të përkrahte nacionalistat e humbi çashtjen në Shqipni, ishte e kotë, madje ishte i damshëm çdo vazhdim i luftës nga ana e shqiptarëve. Shqipnia i ishte lanë Bllokut Lindor, e çdo nxitje prej anglo-amerikanëve bahej vetëm e vetëm për planet e tyne në Luftën e Ftohtë me Bashkimin Sovjetik, e askush s’përpiqej me ndrrue gjendjen në Shqipni.

Në atë kohë shpresa për një Luftë të Tretë Botnore, ishte thjesht një iluzion njerzish të mbytun. Ata që kishin fitue luftën kundër Hitlerit, ishin kënaqë. Nuk mund të kishte ma një shpërblim të përshtatshëm për një luftë të tretë. Frika reciproke e dy blloqeve, si e tregoi edhe koha, nuk ishte e atillë sa me justifikue një kasaphanë të tretë botnore. Pra, Shqipnija ishte e rrethueme në një bazë, që asnjë lëvizje e mbrendshme, nuk mund të përmbyste dhe as të ndryshonte gjendjen.

Por ‘spes ultima da’ edhe për intelektualët shqiptarë të burgosun!

Në kundërshtim me çdo arsyetim të ftohtë, në burg të Tiranës, mbretnonte thuajse hareja. Po thom “në burg të Tiranës”, se nga lajmet që na vijshin në burgun e Shkodrës, sundonte terrori ma i zi, jo vetëm në Seksion e në Hetuesi, por edhe mbas dënimit, në burg.

Ma shumë se fatkeqësia që na kishte gjetë, ishte për t’u vajtue paaftësia me e realizue në mënyrë të ndërgjegjshme gjendjen tonë të mjerë. Edhe ndër ata të pakët intelektual që mund të arrijshin me e kapë thelbin e problemti shqiptar, ekzistonte një heshtje, për të mos e bisedue, e për të mos e përhapë, kështu që shumica ma pak e përgatitun zhgënjehej në shpresat e veta, e për pasojë binte në dëshpërim, ose ma keq, kërkonte rrugë të tjera aspak të ndershme për karakterin shqiptar/Memorie.al