Publikohet historia e panjohur të Esat Myftarit me origjinë nga Peja, i cili që në bankat e shkollës së mesme kur ishte anëtar i një grupi djemsh të rinj që kundërshtonin politikën e Beogradit zyrtar ndaj politikës diskriminuese që ushtrohej ndaj popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e veta, filloi punë si gazetar te “Rilindja” e Prishtinës nga ku u propozua për korrespodent i Agjensisë TANJUG, por e refuzoi atë dhe në vitin 1963 u detyrua të arratisej dhe të vinte në Shqipëri, me synimin për të kërkuar ndihmë dhe përkrahje nga shteti amë, për organizatën klandestine të “Djemve të Pejës”. Peripecitë e shumta në shtetin amë dhe ndjekjet e vazhdueshme të Sigurimit të Shtetit që gjatë kohës së studimeve në Tiranë dhe periudhës kur shërbente si arsmitar në qytezën e Shëngjinit e fshatrat e Bregut të Matës, ku dhe u arrestua në vitin 1975, pasi kishte kërkuar zyrtarisht riatdhesimin në vëndlindjen e tij Kosovë, duke e dënuar me dhjetë vite burg me akuzën për “agjitacion e propagandë”, të cilat i vuajti në kampin e Spaçit. E gjithë historia e dhimbëshme e gazetarit, publicistit, studjuesit, përkthyesit, deputetit dhe diplomatit, Esat Myftari, është e përshkruar me një mjeshtëri nga ana letrare në librin e tij, “Vdekja jote, jeta ime” një roman autobiografik që sapo ka dalë nga shtypi nga Shtëpia Botuese “Lena Graphic Desing” e Prishtinës, dhe me lejen e autorit, do publikohet pjesë pjesë nga Memorie.al

Historia e panjohur e gazetarit, publicistit e shkrimtarit Esat Myftari

Esat Myftari lindi më 16 qershor të vitit 1940, në qytetin Pejës në Kosovë, prej nga është dhe origjina e hershme e familjes së tij. Mësimet e para të shkollës fillore, 7-vjeçaren dhe gjimnazin, i kreu në vendlindjen e tij, duke i përfunduar ato në vitin 1959. Po në vitin 1959, Esati, djaloshi i ri, 19 vjeçar, filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit. I dashuruar pas historisë dhe letërsisë, fillon të shkruaj që në moshë të re kur ishte në bankat e shkollës 7-vjeçare dhe në periudhën e fakultetit, bëhet anëtar i Klubit Letrar “Përpjekja” me seli në Qytetin e Studentit të “Beogradit të Ri”, ku afirmohet shpejt dhe here mbas here, shkruan poezi e vështërime kritike letrare, por për shkak të përmbajtjes së tyre, nuk i dërgon për botim.

Në vitin 1961, mbasi kaloi me sukses konkursin përkatës, Esati filloi punë si gazetar në të përditshmen e krahinës së Kosovës, “Rilindja”, ku caktohet të mbulonte kronikën e qytetit të Prishtinës dhe Sindikatat e Kosovës. Po atë vit, i ofrohet një bursë kualifikimi, pranë Agjencisë Jugosllave “TANJUG”, me perspektivën për t’u bërë korrespondent jashtë Jugosllavisë së asaj kohe. Por gëzimi i tij për atë bursë kualifikimi që ishte destinuar për ta dërguar atë në botën e jashtëme, u shua shpejt, pasi specializimi që i ofrohej kishte si kusht antarësimin e tij në Lidhjen Komuniste të Serbisë, gjë të cilën Esati 20 vjeçar, e refuzoi në mënyrë kategorike.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë në vitin 1963, merr pjesë në një grup djemsh të rinj që nuk pajtoheshin dhe ishin kundër politikës që ndiqte Beogradi zyrtar ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe kudo ku ata ndodheshin në trojet e tyre nën Jugosllavi, dhe në emër të “Grupit klandestin të Pejës”, si përfaqësues i tyre, kalon kufirin ilegalisht dhe vjen në Shqipëri. Qëllimi Esatit si përfaqësues i “Grupit ilegal të djemve të Pejës”, ishte për të vendosur kontakte me shtetin shqiptar dhe për të kërkuar mbështetje e ndihma të ndryshme, për mirëfunksionimin e atij grupi djemsh të rinj, që synonte t’i bënte rezistencë politikës diskriminuese të Beogradit zyrtar ndaj popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në vitin 1974, një pjesë e anëtarëve të këtij grupi arrestohen nga autoritetet zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendëshme jugosllave, duke u akuzuar si pjesmarrës në manifestimet e vitit 1964, kohë kur u shpalosën flamujt kombëtar shqiptar nëpër qytetet kryesore të Kosovës dhe kur u ndërmorrën masa të rrepta policore e gjyqësore ndaj tyre. Motoja kryesore e kësaj lëvizjeje masive që ishte dhe e para e këtij lloji në Kosovën e mbasluftës, ishte bashkimi i trojeve shqiptare me shtetin e tyne “amë”, Shqipërinë.

Ndërkohë Esati që ndodhej në Shqipëri, ashtu si edhe disa nga bashkëatdhetarët e tij emigrantë kosovarë në Shqipëri, fitoi një të drejtë studimi dhe në vitin 1965, fillon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Tiranë, në degën “Bio-Kimi”. Mbas vitit të tretë të studimeve, i zhgënjyer nga politika zyrtare e regjimit komunist të Enver Hoxhës si dhe trajtimin që u bëhej emigrantëve kosovarë në Shqipëri, të cilët me ardhjen e tyre në në atdhëun amë, dukej se “nga shiu kishin rëndë në breshër”, i ndërpret studimet dhe kërkon riatdhesimin!

Natyrisht kjo gjë nuk i’u aprovua nga Tirana zyrtare dhe në vitin 1969, Esati fillon punën si arsimtar në shkollën 8-vjeçare të qytezës së Shëngjinit, në rrethin e Lezhës, ku punon deri në vitin 1974, nga ku e transferojnë në fshatin Tale të Bregut të Matës, ku ai gjithashtu punoi me përkushtim. Ashtu si gjatë gjithë periudhës që ishte me punë dhe banim në rrethin e Lezhës, Esati survejohej rregullisht me të gjitha mënyrat nga organet e Sigurimit të Shtetit, edhe në atë shkollë ku thuhej se atë e kishin dërguar me qëllim, pasi i frikësoheshin një arratisje të mundëshme të tij për në Jugosllavi nga Shëngjini, ai arrestohet dhe dënohet me 10 vite heqje lirije, i akuzuar për “agjitacion e propagandë ndaj pushtetit popullor”!

Pasi kryen dënimin e plotë duke vuajtur atë në kampin e Spaçit etj., (duke mos përfituar asnjë ditë ulje dënimi), Esati lirohet prej burgut politik në vitin 1985 e kthehet në rrethin e Lezhës ku kishte punuar dhe jetuar para dënimit dhe në vitin 1986, fillon punë si punëtor në Fabrikën e Letrës në Lezhë. Po atë vit krijon familje dhe më pas i lindin dy djemtë.

Në vitin 1990, në fillimet e pluralizmit, Esati merr pjesë aktive në lëvizjet popullore për përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që me krijimin e degës së Partisë Demokratike për rrethin e Lezhës, në fillimin e vitit 1991, për të kaluarën e tij dhe kontributin e madh në fillimin e atyre protestave popullore, ai zgjidhet sekretar i asaj dege.

Po kështu si rezultat i atij kontributi, në zgjedhjet e para pluraliste të 22 marsit të vitit 1991, Esati zgjidhet deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin Popullor, duke përfaqësuar aty zgjedhësit e Bregut të Matës, ku kishte punuar si arsimtar deri ditën e arrestimit në vitin 1975.

Një vit më vonë, në vjeshtën e 1992-it, emërohet në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Diasporës, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë që kryesohej prej ministrit, Alfred Serreqi. Në atë detyrë, Esati punoi me përkushtim deri në vitin 2000, kur u emërua në funksionin e diplomatit pranë Ambasadës Shqiptare në Riad, ku ai qëndroi deri sa doli në pension.

Që nga ajo periudhë kohe, Esati i kushtohet pasionit të tij, shkrimeve, studimeve dhe përkthimeve dhe që nga viti 2011, ai fillon të botojë disa libra, të cilët janë mirpritur nga kritika dhe lexuesit, edhe për shkak të tematikës së tyre, si dhe variantit të gegërishtes që ai ka shkruar ato, gjë e cila ndeshet shumë rrallë në botimet shqiptare, të shtetit amë!

Libri i parë i botuar nga Esat Myftari është “Emrush Myftari”(monografi), dhe pasi tij vijnë: “Kosova dhe Enver Hoxha” (studim), “Profili politik i Esat Mekulit” (monografi), si dhe “Vdekja jote, jeta ime”, i cili është një roman autobiografik, ku ai ka përshkruar me një mjeshtëri dhe në mënyrë kronologjike pjesën më të madhe të jetës së tij, që nga familja dhe jeta në Kosovë si gjimnazist, arratisja në Shqipëri, peripecitë e shumta nga survejimet e përndjekja e Sigurimit të Shtetit, arrestimi, hetuesia, gjyqi dhe dërgimi në burgun e Spaçit.

Të gjitha ngjarjet dhe çdo gjë që përshkruhen në librin “Vdekja jote, jeta ime”, janë reale dhe personazhet aty paraqiten me emra dhe mbiemrat e tyre konkretë, ndërsa vetëm ata persona që ndikuan për keq në jetën e tij, (kryesisht, ata të organeve të Ministrisë së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, si punëtorë operativë, hetues, policë, titullarë të Ministrisë së Punëve të Brendëshme e të Degës së Punëve të Brendëshme të Tropojës, Lezhës, dëshmitarët në gjyqin e tij, etj.), autori u ka ndryshuar vetëm emrat, duke i dhënë ata me mbiemrat e tyre të vërtetë.

Vijon nga numri i kaluar

Pjesë nga libri “Vdekja jote, jeta ime”, i autorit, Esat Myftari
Me banim dhe punë në qytetin e Përmetit

Roja dibran takimin e parë i’a kishte organizue me nji nëpunës të ri të Komitetit Ekzekutiv, në kafenenë e madhe të qytetit. Aty i thanë se, për të gjitha problemet, personi që posa i’a paraqitën, do të ishte lidhja e tij. Por besonin që nuk do të kishte probleme, mbasi qytetarët ishin shum të rregulltë e, ndoshta, ma të butët e republikës. Prandaj në ket pikëpamje duhej ta quente veten me fat. I banë edhe zbërthimin e çuditshëm që thoshte: se qyteti ka mjaft romë, por që ata janë ma të kulturuemit e vendit; se dikur ka qenë me plot histori të kandshme erotike midis tyne e agallarëve vendorë – madje edhe me ata të zbarkuem prej skajesh të ndryshme; se në lokalin ku po rrinin do të kishte rastin me ndigju legjenden e klarinetës shqiptare, e se herë mbas here aty kthente basi poashtu zulmmadh, Mentor Xhemali.

Edhe sekretar i parë ishte po rom, nji burr zotni në sjellje e në fjalë. Shkurt, se kishte zbritë në nji qytet për lakmi. Krejt në fund, e vunë në dijeni se përkohsisht do të flinte në hotelin e ri të qytetit dhe se qe caktue të punonte si normist në NBSH-n, ndërtesat e së cilës ndodheshin matanë lumit Vjosë, afër urës së hekurtë.

Ridvani i falënderoi për informacionin e hollsishëm dhe shprehu besimin se do të kalonte ditë të qeta mbas turbullimeve jo të vogëla që i kishin shkaktue shpërngulja dhe ndamja prej familjes e shokëve.

– Ajo që më ra në sy qysh se po i afroheshim qytetit – u tha Ridvani – ishte lumi që po ngjaka me Lumbardhin e Pejës.

– Mendoj se ka edhe male të ngjashme – shtoi ish roja dibran.

– Mundet, ndonëse po më duken ma të ulta e pa thepa grykash –ia ktheu Ridvani.

– Në rrethin e Permetit ke nga të gjitha peisazhet – ndërhyni nëpunësi i lidhjes.

– Sa mirë! – thirri Ridvani.

Në tavolinën katrore me mbulesë të bardhë e të shërbyem me birrë fuçije në kriklla të vogëla, ata ndejen plotë dy orë. Por për Pejën nuk e pyeti kush. Edhe Ridvani nuk e quejti të arsyeshme ta shkulte imazhin e saj e tua vinte para syve si njerëz të çinteresuem që ishin.

Kur po ndaheshin, shoqnuesit i uruen shendet e fat të ri.

Ridvanin e sistemuen në hotel, në katin e dytë, në nji dhomë më vete. Ishte nata e parë që nuk do të kishte njeri mbi krye e që tash e mbas do ta pjestonte kohën e vet të lirë simbas dëshirës së vet. Por, kjo natë e parë, në kujtesën e tij, do të hynte si nji natë torture: përveç zagushisë, ishte ushtria e çimkave ajo që e sulmoi në të katër anët dhe ai, i pamësuem me to, po përpëlitej sa në nji krah në tjetrin deri sa mori karrikën dhe zu vend te dritarja e hapun dhe po e luste Vjosën e akaciet përreth t’i çonin pak freski.

Shoqëria në Përmet me përkthyesin e famshëm, që recitonte dhe Fishtën!

Të nesërmen në mengjes, ndërsa po lante sytë në banjo, ndigjoi nji za recitues mbrapa krahëve:

Marash Uci i Uc Mehmetit

Anembanë i kish ra detit

Kishte pa pronat e mbretit…

Ridvani ktheu kryet i kapun në befasi: Fishta në

Permet! Pa nji burrë mbi të pesëdhjetat, trupvogël e të dobët, me dhambë të veshun me flori që i qeshi me përzemërsi dhe i uroi mirëseardhjen në shtetin amë. Mbasi folën shpejt e shpejtë në kambë për luftën me çimkat dhe natën e pagjumë, ata zbritën poshtë në kafene për njohje e muhabet. E quenin Ziso Vangjeli. I tregoi se me prejardhje ishte permetar dhe se qe largue në gyrbet në Amerikë si trembdhjetë vjeç, gjatë kohës së Zogut. Atje kishte mbarue fakultetin e historisë dhe zbarkimi në Normandi i aleatëve e kishte gjetë të mobilizuem si major në ushtrinë amerikane. Dhe meqë e njihte frengjishtën, fill mbas lufte i kishin ofrue nji punë të mirë në Qendrën Kulturore Amerikane në Paris, ku kishte qëndrue plot pesëmbdhjetë vjet. M’u në mbarim të kësaj përvoje jo të vogël, e kishte fillin edhe peripecia e vet pikëlluese. I mbetun beqar e me ndjeshmeni poeti, atë e kishte pas zaptue lëngimi për vendlindje dhe, me dijeninë që kishte grumbullue, kishte mendue me i ba shërbimet e matejshme vetëm për vend të vetë e me dinjitetin që të falë atdheu. Prandaj kishte shkue drejtë e në ambasadën tonë në Paris dhe e kishte shprehë dëshirën e vet për riatdhesim. Kishte thanë edhe se dëshironte që bibliotekën e vet shumë të pasun t’ia dhuronte Universitetit të Tiranës. Edhe ambasadori jonë nuk kishte mbetë mbrapa: e kishte përgëzue për gjestin e tij patriotik dhe, i vetdijshëm për aftësitë e tija të rralla, i kishte premtue se do të emërohej pedagog në katedrën e anglishtës ose të historisë, punë që e kishte vetë në dorë ta zgjidhte. Ziso Vangjeli at ditë kishte ngjitë shkallët për në qiellin e shtatë dhe kishte ndërmarrë të gjitha përgatitjet që mbrenda muejit të bante transferimin e librave të tija për në Tiranë. Të kota kishin qenë paralajmërimet e kolegëve të tij rreth premtimeve të ambasadorit dhe dyshimit se po shkonte në nji vend që s’përputhej me edukatën e tij liberale dhe se atje thyemja e fjalës së dhanë zyrtare ishte shenj mençunije e jo ligësije karakteri.

Gjatë tanë rrëfimi të tij, Ridvani kishte ndejë i heshtun dhe po e ndiqte me vëmendje, tue arsyetue më vete: pra edhe njerëz me kaq horizont e përvojë jete po bakan gabime të këtilla elementare?!

Në ket pikë të rrëfimit, Ziso Vangjeli ndaloi dhe i’u drejtue Ridvanit me nji shikim si të përlotun:

– Të mërzita?

– Aspak – nxitoi t’i përgjigjej Ridvani.

– Si lum ti, që je në fillim të jetës së vërtetë!

– Faleminderit!

– Mos harro edhe një gjë: çfarëdo që të të thonë, dije se këtu ti nuk je i huaj dhe se gëzon të drejtën e patjetërsueshme të gjakut!

– Keni ba përçapje për t’u emnue në universitet?

– Jo, është vendim i prerë që të mbetëm këtu, deri në fund. Por tashmë jam mësuar. Fundja, është vendlindja ime dhe unë avash-avash po i mbush të gjashtëdhjetat.

Në ditët në vazhdim, ata u banë miq pa dashtas, me gjithë ndryshimin në moshë, sepse njerëzit tjerë nuk po u afroheshin. Vërtè i buzëqeshnin me idiotësinë e maskave, por askush s’po bante ndonji hap drejt tij. Kjo i kishte ndodhë në fazën e parë edhe Zisos, ndonëse kishte njerëz të fisit të vet. Rrjedhimisht, për të davaritë sadopak mërzinë, ata kërkuen me mend e imagjinatë dhe, në fund, gjetën zgjidhjen e tyne: herë mbas here dilnin mbasditeve malit të afërt, mbanin nga nji thupër në dorë, u binin çufrrave midis shkambijsh të vegjel e thërrisnin me za të naltë shprehje të pakuptimta, të cilat shpërndaheshin nëpër druj e prroje si jehona parake. Mandej, kur mbaronte kjo shëti, zakonisht zbrisnin te nji teqe e vogël me ujë të cemtë e qiparise rrotull dhe lëshoheshin në bisedime me tema të vjetra nga koha osmane, që dervishi i kishte shumë për zemër. Kurse për kohën kur do të ishte vetëm në dhomë, Ziso Vangjeli i dha nji këshillë psikologësh modern amerikanë: të merrte gazeta dhe t’i griste ato me forcë e të lëshonte frymën nga mbrendia e mushknive në mënyrë ritmike. Është mënyrë e mirë shkarkimi dhe ekuilibrimi. E kam përdorë shpesh në Pensilvani dhe në Paris, i kishte thanë ai.

Mbas nja tre-katër muejsh, Ridvanit iu shpif nji ves tjetër që as Ziso Vangjeli erudit nuk po dinte me i dhanë dum: kur ecte i vetëm trotuarit, iu tek t’i numronte pllakat e tij. Ai zgjodhi numrin çift si të parapëlqyemin e vet kështuqë bante kujdes që pllakën teke të mos e cikte as me skajin e sholleve. Madje kur ndodhte që e gabonte rregullin e shejtë, kthehej mbrapa e niste prapë ecjen në atë pjesë trotuari. I shqetësuem për këtë shmangie të çuditshme e të panjohun, Ziso Vangjeli i tha: ndigjo Ridvan, kur të dalësh në trotuar tash e mbas, çoje mendjen të ndonji ngjarje e gëzueshme e jetës e jepu mbas saj sa të harrosh gjithçka që ke rrotull vetës. Fundja, ti je më lartë se gjithçkaja që të rrethon, ti je një i ri me ideal, gjë e rrallë kjo sot! Kurse të gjithë këta të tjerët janë në shërbim të trupit të tyne e të nji udhëzimi tinzar. Prandaj, mbaju fort librit e shpërfilljes sociale!

Rrëfimet e përkthyesit Ziso Vangjeli për Lasgushin

Kjo ishte shfaqja e parë e ngjyrës politike të Zisos, por që i doli në mënyrë gati të përdhuntë dhe që, në nji farë dore, shkak qe ba vetë. Ridvani u hoq sikur nuk kishte ndigjue gja.

– Por libraria qenka e vorfën – i tha.

– Pa merak, kam libra unë.

– Ashtu?

– Më kanë bërë një favor: më lejojnë të shkoj e të tërheqë libra nga biblioteka ime e dhuruar, që është vendosur në mjediset e katedrës së frëngjishtës.

– O, sa mirë. Keni rastin edhe të takoni njerëz të rangut tuej.

– Saherë shkoj, vizitoj tre persona: Lasgushin, Çabejn e Kokonën.

– Dhe?

– Përherë bëjmë muhabete të kontrolluara, dashami­rëse e mirëkuptuese. Njerëz që e njohin në gishta Evropën e kulturën e saj. Veç kësaj, më vjen fort mirë që këta të dy e ndihmojnë Lazgushin, i cili është mjaft ngusht.

– Do të thom nji episod rreth tij gjatë maturës dhe, po e gjetet me vend, lutëm t’ia tregoni.

– Hë, se jam shumë kureshtar. Lasgushi në shkollat e Kosovës!

– Në maturë, kur po na fliste profesori për të, i mbështetun në tekstin e Shuteriqit, na e trajtoi atë si përfaqësuesin e artit për art, që kishte kuptimin e poetit të shkëputun prej halleve të popullit, të mbyllun në “kullën e fidishtë” e pothuej reaksionar. Unë e pata kundërshtue tue thanë në prani të të gjithëve: për mue, ai ban pjesë në ajkën e poetëve shqiptarë dhe unë e pëlqej shum. Posa e kisha lexue “Vallen e yjeve” dhe qesh magjeps me të. Profesori u nxeh e ma ktheu:

– Dhe kush na flet kështu, nji i ri që ende mban bluzë me harna në brryla!

– Po kur të mos kemi ma harna në tesha – iu pata përgjigj – për se do të kemi nevojë? Profesor, me duket se Migjenin e kanë kthye qëllimisht në kamxhik për Fishten e Lasgushin.

Ziso Vangjeli ia rrahu pëllambën e dorës dhe i tha: të lumtë, i paske rënë pikës!

Mbas disa ditësh, Zisoja i pru dy libra të Rasinit e Molierit dhe nji monografi mbi Revolucionin borgjez francez. Dhe, si i tregoi se kishte qenë disa herë në vendet ku qenë zhvillue ngjarjet e famshme të kohës, i tha se pika e tij e dobët nuk ishte Robespjeri, por Sen Zhysti.

Ridvani, mbasi u hodhi nji shikim fluturak të tre librave të lidhuna mirë, me letër të butë e në format xhepi, e pyeti:

– Po letërsia e kohës?

Ziso qeshi.

– Mos i kërko, se ata i përkasin kutisë magjike të Index-it.

I Mbyllur në dhomë nën shoqërinë e librave që u gjetën në tavanin me pluhur të librarisë!

Librashitësi e vu në dijeni Rivanin se në tavanin e magazinës së tij kishte libra të hedhun andej këndej, por që ende vazhdonin të mbaheshin në invetar të vdekun. Ridvani shprehu dëshirën t’i shihte ato dhe shkuen atje. Kur hypën në tavan, librashitësi hapi kapakun e xhamtë të çatisë dhe drita e diellit vërshoi mbrenda hapsinës me ajr të randë. Para sysh po i delshin tituj librash me nam, nji pjesë të të cilëve i kishte lexue kur kishte qenë në Kosovë: “Idioti”, “Netët e bardha”, “Kumari”, “Ana Karenina”, novelat e Çehovit, Pushkini e nji mori tjetër përkthimesh, sidomos prej letërsisë gjermane. Gjeti aty madje edhe letërkëmbimin midis Gëtës e Shilerit, të futuna në nji vëllim të madh.

– Po këtu qenka nji thesar i tanë – thirri Ridvani me gëzim të papërmbajtun.

Por librashitësi nuk tregoi ndonji entuziazëm. I tha se, edhe në ditët e pacënueme të miqsisë me rusët, kishte pasë pak lexues të tyne, përjashto ndonji oficer apo intelektual të shkolluem atje. Rusishtja e kishte ça me zor rrugën e vet, kishte diçka penguese kjo gjuhë për shqiptarin, e siguroi ai.

Në fund, Ridvani bleu nji dorë të mirë të ktyne librave me çmime qesharake.

Kur shkoi në shtëpi, i ndeu ato për ajrim në ballkonin e vogël meqë ishin tanë pluhun e myk. Dy shokët e dhomës, nëpunës të NBSH, po e ndiqnin me nji farë habije zellin e tij për ato libra që koha i kishte ndëshkue keq sa të dergjeshin nëpër tavane – e pra, deri dje me aq sqimë! Që të dy ishin prej nji fshati të largët. Ardhjen e tyne mbrenda në qytet e quenin sukses jo të vogël dhe kandidimin për anëtar partije, si hap të madh të tyne drejt suksesit përfundimtar. Në ato pak diskutime që banë ditëve të para, Ridvani e pa se kishte të bante me nji kulturë të ngushtë e njidrejtimshe të tyne. Ata mbanin mend tek-tuk ndonji fjalë ruse, por kur e pru në dhomë metodën dy vëllimshme të Nina-Potapovnës, ata qeshën e thanë me tallje: O, Potapovna, dreqja, sa na ka pasë lodhë! Ridvanit, ende brum Peje, po i vinte mirë që ata po shfaqnin nënvleftësim për rusët – polemikat ideologjike me BS ishin në kulm, – por edhe po i vinte keq për ato kërveshje të paparimta ndaj këtyne kolosëve rusë. Ç’asht e vërteta, edhe vetë kurr s’e kishte mendue që do t’i kushtonte ndonji minut rusishtës, por tash që ajo gjuhë mbiu si burim i vetëm leximi ma elitar, u dha mbas atij teksti me zell. Dhe shpejt e kuptoi, si nji Zhorden në dialogun e vet komik, se, edhe pa atë metodë, ai e kishte dijtë gjys – rusishtën, falë gjuhës serbe. Kështu, mbrenda gjashtë muejsh, ai tashme ishte në gjendje t’i shfrytëzonte librat e posablemë. Lexonte kryesisht te vorrezat, matanë urës së Vjosës. Ulej në shezlongun përballë “ushtarit të plagosun” të Paskalit dhe lexonte me orë të tana, pa e trazue njeri i gjallë. Kurse të vdekunit, – ndonjenin prej tyne edhe e përmendnin nëpër artikuj përkujtimorë gazetash, – flinin gjumin e harresës së përjetshme. Vorret e Permetit ishin të rregullueme mirë, me drandofile e krizantema gjithandej. Edhe zogjtë nuk mungonin nëpër degët e drujve me kërcimet e harlisjet e tyne të hareshme.

Në fusha me kooperativistët, duke u matur normat me kompas!

Te vorret, po kshtu, Ridvani pushonte rëndom edhe kur kthehej prej fushës, ku bante matjen e punëve të kooperarivistëve, mbasi ato ndodheshin afër zyrës së tij. Në këto raste, ai bante pjesën e mërzitshme të punës: ndonji korrigjim shënimesh ose rakordimet e domosdoshme nëpër listat e zhubravitun të pesëmbdhjetditshit që ata të zyrës i thoshin “listat e kondiçinava”. Kurse gjatë punës në fushë – detyra e tij ishte që me nji kompas prej drrase të maste metrat lineare të punimeve – ai kishte pasë rastin me u njohë prej s’afërmi me disa gjana kurioze. Ridvanit i kishte lanë mbresë të madhe mënyra se si prashisnin punëtoret (shumica dërmuese ishin gra): merrnin dheun e nji hapësine të mihun dhe me të mbulojshin pjesën tjetër të paprekun e mandej, me faqen e jashtme të belit, kryenin rrafshime nëpër sipërfaqe. Sidomos gratë e nuset ia kujtonin huqin e maceve që, mbas shkarkimit, me putrat e tyne mundohen të mbulojë ekskrementet e veta. Ridvani kishte mbetë ndër dysh: t’u kthente punën ose të raportonte në drejtori, por atëherë me siguri që vetes e të tjerëve do t’u dukej nji spiun i vogël që ka ardhë nga ana e anës për me prishë jetë njerëzore. Por, edhe ta linte në heshtje këtë punë, i dukej padrejtësi e shpërdorim detyre.

Atëherë, si e pleqnoi me vete mirë e mirë këtë punë, gjykoi se, gjaja ma e mirë, do të ishte me e pezullue reagimin për do kohë në mënyrë që të kishte nji pamje ma të bardhë të çeshtjes. Me kalimin e ditëve, për çudi, vu re se raportimet e tij mbi sasinë e kryeme të punëve nuk po i kundërshtonte asnji prej specialistëve dhe se edhe të dhanat që i raportoheshin prej shefit të ekonomisë së NBSH-s Komitetit ekzekutiv i nënshtroheshin poashtu operacioneve të tjera, me laps mbi tavolinë, larg gjendjes reale në fushë. Gjaja tjetër që e goditi randë Ridvanin ishte ngranja e drekës nën hijen e pemëve: punëtoret baheshin grumbull dhe shpërthenin në gas e thumba mbi barazinë shembullore midis tyne. Menyja e tyne ishte e njajtë: bukë, domate, gjizë a djath dhe dhallë të futun në shishe. Kjo dietë vërtetë e tmerroi: jo se nuk kishte pa vorrfni në vendlindje – edhe Kosova kishte pasë ditë zije buke e mungesa gjithfarshe – por kjo që po shihte këtu ishte nji diçka e përditshme e pa perspektivë përmirësimi! Ndaj filloi me kuptue pse duert e grave ishin shollë dhe pse lëkura e ftyratë e nuseve mbrenda pak vitesh thaheshin, të reshkuna prej diellit e erës. Ishte nji plakje e parakohshme, që habiste edhe qiellin! Dhe erdh çasti që e përgëzoi veten për frenimin që pati e nuk u korrit në emen të nderit të detyrës! Kuptoi, po kështu, se ekzistonte nji rrjet i hollë “minimi”, i thurrun me fije të padukshme, që bashekzistonte me reklamën zyrtare në shoqninë shqiptare. Si u bind për ket të vërtetë, mori vendimin e premë: ty, Ridvan, i tha vetes, s’ka pse të duhen këto punë, sepse askujt s’i bahët vonë se ç’mendon ti, prandaj mos u hiq ma katolik se Papa!

Veç kësaj, kur ulej me ta nën hijen e gjanë të ndonji rrapi dhe shtroheshin në muhabet, nisi me pa se ata njerëz, të mbyllun para tij në rrugë, këtu edhe mund ta lëshonin paksa gjuhën. Habia e tij s’pati fund kur njeni prej punëtorëve, ndoshta për të hap pak perden e nji kohe absurde, i recitoi hymnin “Hej Slloveni”, pa kuptue asnji fjalë të përmbajtjes. E si për ta përforcue atë, nji tjetër tregoi se baba i tij kishte qenë partizan në Drenicë të Kosovës dhe se ishte befasue pse kosovarët e atjeshëm kishin refuzu me hy në betejë kundër partizanëve të Shqipërisë. Por kur, i prekun nga sa ndigjoi, mori me u ba ndonji pyetje ma të përimtueme, këta u mblodhën si iriqët nën mburojen e gjembave dhe i dhanë me kuptue se nuk duhej ta zgjaste.

Në shoqërinë e maturantes duke shkëmbyer libra dhe…

Megjithatë, për të gjithë këtë realitet, tashma historik, vu re se nuk kishte përkapje të njejtë midis tyne: pjesa ortodokse ishte ma e përmbajtun në djallëzimin e “tradhtisë jugosllave” e shumica mjaftohej me shprehjen “ashtu ishte ajo kohë”; kurse në pjesën tjetër bektashiane, ai kishte has 3-4 Dushana, të cilët prej kohësh i kishin shlye emnat e parë në regjistrat-amzë të komunës, por në jetën e përditshme nuk e kundërshtonin përdorimin e tyne, madje e ushtronin si nji argëtim.

Por prilli nuk ishte si janari: i ftohtë e dëbues. Ai erdh me lulëzim bajamesh, mollësh, mimozash…që e mbytën qytetin me aroma të kandshme e gjallnuese. Kurse për Ridvanin, prilli kishte ruejt nji surprizë me buzëqeshje rinore. Nji ditë, kur po kthehej mbas punës për në shtëpi, në fund të urës, pa siluetën e vetmueme e me hije melankolije të maturantës, së cilës i kishte huazue para do ditësh romanin “Etër e bijë”, libër që Ridvani e çmonte në mënyrë të veçantë, pse i kujtonte ditët e qëndrimit në Tiranë.

Kur i’u afrue, ajo i’a dha dorën, u përkul paksa dhe gjithë ndjesi i shprehu falenderimin.

– Të pëlqeu?

– Fort – tha ajo me za të dridhun.

– Gëzohëm, edhe un e kam lexue dy-tre herë, por në rrethana krejt tjera.

– Besoj se keni edhe ndonji tjetër?

– Natyrisht, do të shikoj e do ta zghedhë nji, besoj, po kaq të bukur.

Ata u vunë për udhën që të çonte në qytet. Po kur po merrnin kthesën, ajo befas e si me vrull i tha:

– Më falni, këtu po ndahemi, provincë është kjo!

Ridvani e miratoi me krye, i shtërnguen duert dhe ajo u largue. Por, mbas pak hapash, e zunë njeni-tjetrin tue kthye kryet mbapa dhe qeshën lehtë.

Në shtëpi Ridvani i hodhi nji sy librit dhe u mahnit: në mbi dhjetë faqe të ndryshme, në margjinat e librit, ajo kishte shkrue emnin e Ridvanit dhe të vetin, të kapun me nji vizë lidhëse. Por në alfabetin cirilik! “Eu, murmuriti më vete Ridvani, edhe kjo po me merrka për jugosllav, si të tjerët”. Se Ridvani ishte mërzit ato muej me spjegimet që duhej t’u bante njerëzve, sidomos të rijve, se ishte si ata, shqiptar, veçse i Kosovës. E megjithatë, ajo viza lidhëse zbulonte diçka ma valëzuese e hepuese se sa nji lajthitje të pasherr. Vetëm tash po i baheshin të qarta shejat që ajo i kishte dërgue prej kohësh në rrugë ose edhe në tribunën e fushës së basketbollit, ku shkonte për me i ndjekë stërvitjet e ekipit të femnave. Ishte ndoshta qenja e vetme që po tregonte se nuk mund të kishte asnji perde ndamëse midis tij e nji vendasi. Apo si shkak ishte mrekullia e nji kimizmi të lashtë?

Ridvani ma në fund vendoi ta pranonte ofertën e mbështjellë me aq delikatesë, zgjodhi “Lulet e mollës” të Gollsuordit dhe të nesërmen, i bindun se ajo do të shfaqej diku afër urës, e mori me vete. At ditë doli ndër të fundit prej zyrës dhe, posa kaloi pragun e jashtëm, pa se ajo po endej poshtë e naltë rrugës së djeshme.

Kur u takuen, tashma me nji ndjesi afrije e detyrimi të ndërsjellë, Ridvani i tha:

– Ta solla nji tregim të mrekullueshëm.

– Më kanë folë për shijen tuaj letrare.

I trembun se mos do të largohej vrik e në bef si dje, i tha:

– Prish punë sonte në orën 7 te Guri?

Ajo tha “po” pa u mendue aspak dhe u largue me hapa të shpejt.

Në mbramje, ndoshta pse ishte në kapërcyll të moshës, kur urdhnat politikë janë nji bezdi e padurueshme, erdhi në kohë, me të gjitha begatitë e veta, te Guri. Iu hodh në qafë pa u përshendetun mirë, edhe pse ishte takimi i tyne i parë. Ridvani i shkoi perrëshqit, sa për të shue disi nepsin e vet – kishte afër nji vjet që po bante jetë murgu – u ndal veçanarisht te qafa e gjoksi i saj i fortë, që edhe në fushën e basketbolit binin në sy e lakmohej prej shikuesve. Mandej kur u pashitën paksa pasionet e tyne, folën edhe për gjendjen e saj. Ajo e vu në dijeni mbi tronditjen e familjes për këtë lidhje – ajo nuk e kishte mbajtë të fshehtë simpatinë e saj për Ridvanin, ket djalë jabanxhi të lanë vetëm si gjys fantazme, por refuzoi me folë për motivet e kundërshtimit të tyne. Kryesorja është se unë jam gati për gjithçka, i tha ajo me nji lloj guximi heroik!

Takimet e tyne të fshehta nuk zgjatën ma shum se nji muej. Ditëve në vijim, e ama e ndali në rrugë dhe me plot takt, madje me nji shikim përgjërimi, i tha: Shoku Ridvan, të lutëm, largoju bijës time! Jo pse i ka telashet e maturës, po duhet të na kuptosh…Por mos kujto se jam kaq e egër! Ama, burrin e kam oficer!

Ridvani mbeti i ngrimë: nuk e kishte mendue se kaq shpejt do të vinte kjo ndërhymje, prandaj iu përgjegj, pa e zgjatë, simbas meritës: do të bahet si thoni Ju, zojë e nderueme. Pa merak!

Ridvani e kishte të pamundun me dijtë se ç’kishte ndodh midis tyne, sepse ditëve të tjera ajo nuk u duk ma as te fundi i urës, as te Guri, qoftë edhe për nji bisedë skjaruese. Shiu i vapës kishte pushue dhe Vjosa qe ngarkue me nji mision të ri për të. Ajo, Vjosa, po e pranonte me bujari e barazi: trupat lakuriq të qytetarëve po i freskonte njisoj me ujin e saj të bollshëm. Ridvani zgjodhi nji gur goxha të madh, me majë të sheshtë, anës nji pellgu pak ma të thellë se tjerët dhe prej atje kcente zhyt ose shtrihej në shpinë mbi syprinën me valë të plogta. Por, si shkoi aty tre – katër ditë ngjim, askush ma nuk i afrohej përreth. Për ma tepër, mbas disa ditësh, fëmijtë kishin fillue me pëshpërit: “mos shkoni aty, se është guri i atij kosovarit”, thirrje që u respektue si nji urdhën zyrtar!

Por me kalimin e ditëve, gjithnji e ma shum po bindej se ai muej me maturantën brune e plot imagjinatë, e nisun si nji lojë e kandshme, ishte nji diçka ma serioze. As e kishte parashikue se ajo do të kthehej në nji plagë të vogël që po zgjanohej tinëz e rrezikonte t’i përhapej në trup e mendime. Si nuk e kishte marrë parasysh se ajo ishte butësia e parë shqiptare që po e integronte në jetën normale, mbas tanë atyne hallakatjve shpirtnore si në Kosovë ashtu dhe gjatë qëndrimit shtatë mujor në bazën sekrete. Prandaj filloi me dalë ma shpesh në kafenenë e qytetit ku Laver klarinetisti shpaloste magjinë e vet. Zinte vend në tavolinën e qoshës e porosiste ndonji krikëll të madhe me birrë, kurse për meze kish zgjedhë djathin kaçkavall e ullijt si nji kombinim të mrekullueshëm tipik jugor që po i shijonte shum. Por edhe kjo praktikë e re nuk po i sillte ndonji ngushllim a harrim, sepse po e vinte ma në pah statusin e tij: në tavolinën e tij nuk po vinte askush, madje as në raste kur të tjerat ishin të zana. Përfundimisht, ndjesia e shpërfilljes filloi t’ia randonte ftymëmarrjen e ta zhyste në pusin e dyshimeve gjithfarshe, ndaj vendosi me heqë dorë edhe prej kësaj zbavitjeje të mundshme. Madje i kërkoi të falun edhe Ziso Vangjelit se për disa kohë nuk do të dilte me të në natyrë.

Lajmi gëzuar se kishte fituar të drejtën e studimit

Aty nga fundi i qershorit ndodhi i pari ndryshim pozitiv. Shoku i zyrës, që i kishte ndejë gjatë gjithë kohës tepër fjalëpak, po fillonte me iu hapë si nji gonxhe, me u gjallnue e me nxitë tema të ndryshme pa ndonji shkak të dukshëm. Nji ditë, shkoi aq larg sa e thirri të vizitonte teqen e Alipostivanit, ku i shtroi nji drekë me mish të pjekun në hell. Si zot shpije, ai po e mbante me muhabet dhe qe rrëmbye aq shumë sa kishte harrue se edhe miku i tij mund të kishte ndonji histori për rrëfim. Simbas ligjëratës së tij, Permeti ishte qendër kombëtare pse andej kishin dalë vllaznit Frashëri dhe pse aty qe mbajtë Kongresi i Permetit­. Kur Ridvani bani orvatjen e ndrojtun e ia kujtoi Lidhjen e Prizrenit e të Pejës, ishte njisoj sikur t’i flisje për historinë e Trojës së largët. Atëherë Ridvani e pa të udhës të mos i bante asnji kundërshtim, sepse po i dukej se edhe kjo drekë kishte diçka të dyshimtë mbrenda, dhe se nuk ishte thjesht bujari njerëzore.

Të nesërmën e thirrën në Komitein Ekzekutiv dhe i komunikuen të bëhej gati se, nga mesi i korrikut, duhej të shkonte në Tiranë, mbasi i kishte dalë e drejta e studimit.

Ridvani ishte ba tashma 25 vjeç. Iu kujtue se herën e parë, kur pati shkue për studime në Brograd, kishte qenë 19 vjeç, i mbushun me andrra gjithfarshe. Ishte koha kur posa kishte fillue seria e maturantëve shqiptarë që po përhapeshin nëpër Jugosllavi për studime dhe përcjellja e tyne po shoqnohej me shum pohe: vinin kushërij e shokë për përcjellje dhe stacioni i trenit kumbonte gjithë gazmend. Kurse tash, ai kishte nji mendje disi të plogët, dhe kureshtja për dije të sistemueme mund të ishte mpi ma shum se sa druhej. Megjithatë, u gëzue se po shkonte në kryeqytet, ku variacionet do të ishin ma të mëdha e ku do të takonte disa prej shokëve të klasës.

Ditën e nisjes, te stacioni i autobusit, kishte ardhë për ta përcjellë vetëm Ziso Vangjeli. Ai i dha diçka të mbështjellë në letër me lutjen që t’a hapte vetëm gjatë udhës. Po kur hypi në autobus e mori t’i hidhte shikimin e fundit qytetit, mu te cepi i shtëpisë së kulturës, ai hetoi maturantën kah po i bante si tinës me dorë. Ridvani iu përgjigj tue i mbështet 5 gishtat e hapuna të dorës mbi xham e nuk ia ndau sytë deri sa u nisë autobusi, i bindun se po linte mbrapa vetes përgjithmonë magjinë e nji nate vere.

Rrugës, sapo kaluen Këlcyrën, Ridvanit nuk iu durue ma edhe e shpështolli pakon e vockël: pa katër mafishe dhe nji copë letër të palosun poshtë tyne. E hapi me ngut: ishte poezia kushtue kohës e Lamartinit, shkrue me dorën e Zisos, të cilën e lexoi me sy të njomë:

Ô temps, suspends ton vol!

et vous, heures propices, suspendez votre cours!

Laissez-nous savourer les rapides délices

des plus beaux de nos jours! •

………………………..

O kohë, pezulloje fluturimin tand

Dhe ju çaste të lume, pezulloni rrjedhën tuej!

Le t’i shijojmë kënaqësit e shpejta

Të ma t’bukrave ditëve tona!/Memorie.al

Vijon nesër

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb