Publikohen disa nga historitë e panjohura të ndodhura në mes krerëve kryesorë të udhëheqjes së lartë komuniste në Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe qeverisë shqiptare, duke filluar nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Petrit Dume, Kadri Hazbiu. Memorie.al shkruan për raportet e marrëdhëniet që ata kishin me njëri-tjetrin, si dhe përse filloi goditja ndaj të ashtuquajturit “Grupi puçist në Ushtri” me në krye Beqir Ballukun në vitin 1974, dhe përse kryeministri Mehmet Shehu u tërhoq nga qëndrimi tij i parë, ku kishte kërkuar që ndaj ministrit Balluku dhe zëvëndësave të tij, të merreshin vetëm ndonjë masë e lehtë administrative?! Dëshmitë e rralla të ish-zv/ministrit të Mbrojtjes Popullore, deputetit dhe anëtarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Maliq Sadushi, lidhur me raportet e konfliktet në mes Enver Hoxhës dhe bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, Beqir Ballukut, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut etj., që nga viti 1974 e deri në 1983-in, për çfarë i akuzoi dhe si i përdori të gjithë ata kundër njëri tjetrit?! Çfarë ishte organizata “Oshëtima e Vjosës” dhe letra që ajo dërgoi në adresë të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 1982, ku i’u bënte thirrje ushtarakëve të lartë, të ngriheshin dhe të mbronin figurën e Mehmet Shehut?! Si u shkarkuan pesë zv/ministrat e Mbrojtjes Popullore nga detyra pas ngjarjes së Mehmet Shehut dhe përse i’u kërkua atyre që të largoheshin brenda 30 minutave nga ministria?!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Në mëngjezin e datës 18 dhjetor të vitit 1981, ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu, erdhi në ministri dhe na thirri në zyrën e tij, ne katër zv/ministrat: Maliq Sadushi, Nazar Berberi, Mendu Backa, Alfred Mojsiu dhe Veli Llakaj, që ishte dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë. Kadriu, që atë ditë ishte shumë i tronditur si asnjëherë tjetër na tha: Shoku Mehmet Shehu vrau veten. Pas këtyre fjalëve, njëri nga ne u shpreh: Bo, bo, e bëri si Ndue Marashi! Pas kësaj, Kadriu na tregoi se si ai bashkë me Ramiz Alinë, kishte shkuar dhe e kishte parë Mehmet Shehun të vdekur në dhomën e gjumit të shtëpisë tij. Në atë tension të jashtëzakonshëm që u ndodhëm ne pasi mësuam lajmin e hidhur të vetëvrasjes së ish-shefit tonë që e kishim pasur ministër për shtatë vjet me rradhë, dhe që na kishte zgjedhur vetë për të punuar si zevëndësa të tij, unë në mënyrë instiktive e pyeta Kadri Hazbiun: Mos ka lënë ndonjë letër? Kështu e kujtonte bisedën me shefin e tij, ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiu, mëngjezin e 18 dhjetorit të vitit 1981, ish-zë/ministry i Mbrojtjes Popullore, Maliq Sadushi, duke bërë publike dhe duke ndriçuar disa nga anët e panjohura të ish-shefit të tij, Mehmet Shehut, dhe mardhëniet që ai kishte me Enver Hoxhën e Kadri Hazbiun. Maliq Sadushi, ish-kolonel, deputet, antar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe zv / Ministër i Mbrojtjes Popullore nga viti 1974 e deri në 1982-in kur e larguan nga të gjitha funksionet e tij, për të vetmen arsye se kishte qenë një nga bashkëpuntorët e afërt të kryeministrit Mehmet Shehu, i cili u gjet i vrarë në dhomën e tij të gjumit, në mëngjezin e 18 dhjetorit të vitit 1981, me dëshmitë e tij, zbardh disa nga anët e panjohura të një prej ngjarjeve më të diskutuara dhe përfolura në historinë 45 vjeçare të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ngjarje e cila që nga ajo kohë e deri më sot, vazhdon të ngjallë përsëri kureshtje dhe interes. Po kush është Maliq Sadushi, cila është e kaluara e tij dhe si mundi ai që të ngjitej në postin e lartë të zv / Ministrit të Mbrojtjes dhe të antarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor? Cilat ishin mardhëniet e tij me Mehmet Shehun dhe çfarë përshtypjesh pati Sadushi nga takimi i parë me të në tetorin e vitit 1942, kur Mehmeti kishte vajtur në fshatin Vajzë të Vlorës, për të takuar Kadri Hazbiun? Përse Mehmeti kur ishte duke inspektuar kufirin Veri-Lindor në zonën e Kukësit, në majin e vitit 1968, i’u drejtua Beqir Ballukut, Petrit Dumes e ish-gjeneralëve të tjerë që e shoqëronin, duke u thënë se do t’i propozonte Enver Hoxhës për t’i shkarkuar ata? Cilat ishin akuzat që i’u bënë Beqir Ballukut dhe ushtarakëve të tjerë madhorë kur ata u etiketuan nga Enveri si “Grupi puçistë”? Si reaguan ushtarakët e tjerë që i zëvëndësuan ata dhe përse ishin dakord me të gjitha vendimet e Byrosë Politike për dënimin e tyre? A ka pasur disidencë në Ushtri, cili ishte qëndrimi i Mehmetit në lidhje me dënimin e të ashtuquajturit “Grupit puçist” dhe përse ai u tërhoq nga vendimi i parë i tij në lidhje me dënimin e Ballukut? Cilat ishin mardhëniet e Enverit me Mehmetin dhe të Mehmetit me Kadri Hazbiun, e çfarë thoshte Enveri në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes për Mehmetin? Përse Enveri i’a ngarkoi Mehmetit të gjitha funksionet që kishte mbajtur Hysni Kapo dhe si e cilësoi ai Mehmetin në mbledhjen e Këshillit të Mbrojtjes? Çfarë qëndrimi mbajti Hazbiu kur nisi fushata e kritikave ndaj Mehmetit dhe çfarë u thoshte ai vartësve të tij në lidhje me atë problem? Çfarë thuhej për Mehmet Shehun në letrën që Enveri e mbante në kasafortë e tij, kush i’a kishte dhënë atë dhe a kishte ajo fakte konkrete për ta akuzuar Mehmetin si agjent? Përse koloneli amerikan i CIA-s, shprehej se: “për të rrëzuar Enver Hoxhën më parë duhej eliminuar Mehmeti”?! Çfarë ishte organizata “Oshëtima e Vjosës” dhe çfarë thuhej në letrën që ajo i dërgoi Ministrit të Mbrojtjes, Kadri Hazbiu e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, në periudhën që bëhej demaskimi i Mehmetit si armik? Pse, dhe si u hapën fjalët që Kadriu me Veli Llakajn, ishin arratisur me avion jashtë Shqipërisë dhe si u bë për gjithë natën artikulli në “Zëri i Popullit” në lidhje me atë problem? Si u shkarkuan të katër zv/ministrat e Mbrojtjes që kishin punuar me Mehmetin, çfarë thuhej në vendimin e Byrosë Politike në lidhje me shkarkimin e tyre dhe përse atyre i’u kërkua që brenda 30 minutash të largoheshin nga Ministria?!
Lidhur me këto ngjarje të panjohura më parë dhe të tjera fakte, na njeh intervista e mëposhtëme e zotit Maliq Sadushi, njeriut që për shtatë vjet me radhë mbajti funksionin e zv/ministrit të Mbrojtjes, duke qenë ndihmës i parë i Mehmet Shehut.

Zoti Sadushi, kur e keni njohur për herë të parë Mehmet Shehun?
Mehmet Shehun e kam njohur për herë të parë në tetorin e vitit 1942, kur ai erdhi në fshatin tim, (Vajzë të Vlorës), tek shtëpia e Perlat Rexhepit (“Hero i Popullit”), pasi me të kishte një lidhje miqësore. E mbaj mënd si tani Mehmetin, i cili ishte i veshur shumë mire, me një kostum të ri ushtarak ngjyrë gri, që në atë kohë e përdornin oficerët italianë.

Me kë erdhi Mehmeti aty?
Atë e shoqëronin tre persona të tjerë, që nuk u kujtoj dot emrat dhe pasi u largua nga shtëpia e Perlat Rexhepit, unë së bashku me disa shokë të tjerë, i siguruam rrugën, sepse Mehmeti në atë kohë ishte zgjedhur Sekretar Organizativ i Qarkorit të Vlorës, dhe do të shkonte tek shtëpia e Kadri Hazbiut, në fshatin Hysoverdhë. Kjo ishte hera e parë që unë e shihja Mehmetin dhe ne të rinjëve të fshatit, atëhere na bëri përshtypje të madhe paraqitja e tij e jashtme, sepse mbante mustaqe dhe ne na u duk si njeri tepër i madh, ngaqë kishim dëgjuar për të se kishte marrë pjesë në Luftën e Spanjës.

Pas kësaj, kur patët rast ta takonit përsëri?
Për herë të dytë e kam parë në dhjetorin e vitit 1943, kur ai kishte ardhur me Brigadën e Parë Sulmuese në fshatin Ramicë të Vlorës, ku unë kisha shkuar për të çuar një letër në Komandën e Qarkut. Mehmeti takohej me partizanët dhe bisedonte e fliste me ta. Ai kishte shumë autoritet dhe një simpati të madhe, si tek partizanët ashtu dhe në popull. Kjo gjë vinte nga fama që ai kishte fituar në krye të Brigadës së Parë, për ato luftime që ajo kishte bërë deri në atë kohë. Kurse për herë të tretë, e kam parë në fshatin Potom të Skraparit, disa muaj më vonë kur aty u mblodh Brigada e Pestë. Atë ditë me rastin e nisjes së brigadës për në Veri, Mehmeti mbajti një fjalim, ku na shpjegoi ne partizanëve vendimet e Kongresit të Përmetit, si dhe na komunikoi lëvizjen e Hysni Kapos, nga komisar i Brigadës së Pestë, për në Divizionin e Parë, ku ai shkoi si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm dhe i Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare. Po në atë Divizion, ishte caktuar si zv / komandant dhe vetë Mehmeti, i cili në fund të fjalës së tij, na u drejtua ne partizanëve duke na thënë: Deri tani keni luftuar mirë se keni qenë afër xhixhave, (familjeve tona), por tani që do të shkojmë në Veri, do t’ju shohim.
Cilat kanë qenë kontaktet që ju keni pasur me Mehmet Shehun në periudhën e pasluftës?
Në vitin 1964, Mehmet Shehu erdhi në qytetin e Laçit, ku unë isha me detyrën e Komandantit të Brigadës së Këmbsorisë 6136, që porsa ishte krijuar aty. Në fakt ai erdhi në Laç për të parë se si shkonin punimet në Uzinën e Supefosfatit, që atëhere ishte duke u ndërtuar, por me atë rast, ai erdhi tek unë në Brigadë, së bashku me gjeneral-major Nuri Arapin që e shoqëronte, i cili ishte zv/ministër i Mbrojtjes Popullore për Prapavijën. Pasi u takuam, të tre dualëm në një kodër mbi qytet dhe unë i tregova tokat që do të ziheshin nga vendosja e ndërtesave dhe ambineteve të Brigadës, si zyrat, kapanonet, ofiçina etj. Mehmeti, pasi më dëgjoi, u kthye nga gjeneral Nuriu dhe shkopin që mbante në dorë, i’a vuri tek spaletat e i tha: Nuri, më ke marrë shumë toka buke për ushtrinë dhe po vazhdove kështu, do t’i hedh këto spaleta në tokë. Ndonëse ai i’u drejtua me ato fjalë gjeneral Nuriut, mua m’i aprovoi dhe m’i dha të gjitha tokat që kisha kërkuar për vendosjen e Brigadës. Një takim tjetër me Mehmetin, unë e kam pasur në majin e vitit 1968, kur ai erdhi në Kukës, ku unë isha me detyrën e Komandantit të Brigadës dhe atë e shoqëronin ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, Shefi I Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, Drejtori I Drejtorisë Politike të Ushtrisë, Hito Çako dhe shumë ushtarakë të tjerë madhorë. Gjatë asaj vizite e cila zgjati pesë ditë, Mehmeti me të gjithë ne që e shoqëronim, inspektoi kufirin shtetëror, për të parë masat që kishim marrë ne për mbrojtjen. Në atë kohë, unë kisha pasur një konflikt me Ministrinë, në lidhje me problemet e mbrojtjes dhe ai debat u hap përsëri aty. Mehmeti, pasi dëgjoi me vëmendje raportimin që i bëra unë, i’u kthye Beqir Ballukut e gjithë ish-gjeneralëve të tjerë që e shoqëronin dhe tepër i nevrikosur, i’u tha: Unë do t’i propozoj shokut Enver, që t’ju shkarkojë të gjithëve ju nga detyra.

Si reaguan ministri Balluku dhe ish-gjeneralët e tjerë?

Ata nuk u ndjenë fare. Mehmeti nuk e kishte zakon të shante dhe ofendonte, ai vetëm kërkonte llogari dhe donte t’i tregoje të vërtetën për gjithshka.
Si erdhët ju në postin e zv / Ministrit të Mbrojtjes?

Që kur u titullova oficer në tetorin e vitit 1944, e deri në dhjetorin e vitit 1974, unë kisha kryer disa detyra ushtarake, që nga zv/komisar Kompanie në Brigadën e Pestë Sulmuese, e me radhë deri në Komandant Brigade dhe Shef Shtabi Korpusi. Pas gjithë këtyre detyrave në disa rrethe të vendit, nga Jugu në Veri, në dhjetorin e vitit 1974, Mehmet Shehu, i cili ishte emëruar si Ministër i Mbrojtjes që në muajin korrik të po atij viti, (pas shkarkimit të Beqir Ballukut) më thirri mua dhe tre kolegë të tjerë dhe na komunikoi vendimin e Byrosë Politike, që emëroheshim zv/Ministra të Mbrojtjes. Në këtë detyrë unë do të mbuloja përgatitjen luftarake të Ushtrisë, shkollat dhe Akademitë Ushtarake, si dhe Kulturën e Propagandën.

Çfarë akuzash i’u bëri Enveri të ashtuquajturit “Grupi puçist i Beqir Ballukut”?
Në vija të përgjithshme, pa hyrë shumë në detaje të hollësishme të cilat janë thënë dhe herë të tjera, desha të theksoj se: akuzat kryesore që i’u bënë atëherë ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Ballukut dhe vartësve kryesorë të tij, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm Petrit Dume, Drejtorit Politik të Ushtrisë Hito Çako etj., kishin të bënin me një studim mbi “organizimin e Ushtrisë dhe platformën e mbrojtjes së vendit”. Për këtë studim, që njihet ndryshe edhe si “Teoria e rrëshqitjes”, i cili asokohe u përgatit nga disa kuadro kryesorë të Ministrisë Mbrojtjes, sipas udhëzimeve të Beqir Ballukut, atëherë na u tha që ishte bërë pa lejen dhe pa dijeninë e Komitetit Qëndror të PPSH-së dhe të Byrosë Politike. Kjo ishte akuza kryesore në parim, që i’u bë atëherë grupit të ushtarakëve të lartë me në krye Beqir Ballukun.

Çfarë qëndrimi mbajtët ju ushtarakët e tjerë që i zëvendësuat ata që u dënuan si armiq, në lidhje me akuzat që i’u bënë atyre?
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se në atë kohë, të gjithë ne ushtarakët u pajtuam dhe ishim dakord me vendimet e Byrosë Politike dhe të Enver Hoxhës, të cilët ato teza të atij studimi, i quajtën “Teza të zeza ” dhe i dënuam si armiqësore. Desha të them se gjërat dhe problemet duhen parë, analizuar e trajtuar në kohën që kanë ndodhur dhe në varësi të situatave të krijuara. Është krejt e lehtë të thuash sot se përse ne ushtarakët e lartë të asaj kohe, u pajtuam me dënimin e Beqir Ballukut dhe kolegëve të tjerë, por kjo gjë ka disa shkaqe. Së pari, duhet thënë dhe pranuar se me ato informacione që na jepeshin, me ato analiza që na servireshin dhe ato me situata që na paraqiteshin në atë kohë, ne ushtarakët e lartë kurrsesi nuk mund të ishim kundër dhe të vepronim në mënyrë tjetër, përveçse të ishim dakord me vendimet e Byrosë Politike e Komitetit Qëndror dhe t’i zbatonim me fanatizmin më të madh vendimet e tyre. Ne atëherë, ashtu i mendonim ato probleme që u shtruan në lidhje me të ashtuquajturin “Grup puçist” dhe kjo vinte pasi në Ushtri, nuk ka ekzistuar kurrë disidenca, por vetëm uniteti dhe unanimiteti. Ne në atë kohë, mendonim se Beqir Balluku e të tjerët kishin bërë gabime dhe ky qëndrim i yni, duhet parë në varësi me kohën dhe rrethanat kur ndodhën ato ngjarje, të cilat çuan në dënimin e të ashtuquajturit “Grup puçist”.

Cili ishte qëndrimi i Mehmet Shehut në lidhje me dënimin e “Grupit puçist”?
Në atë kohë që filluan analizat rreth këtij problemi, ashtu si të gjithë ne, edhe Mehmet Shehu i dënoi ato teza të atij studimi, si të papërshtatshme e të papajtueshëme me Artin Ushtarak Popullor. Mirëpo, Mehmeti kurrsesi nuk ishte dakort që në Ushtri të fillonte një valë spastrimesh me atë egërsi që filloi, gjë e cila çoi në dënimin kapital të Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos dhe burgosjet e internimet e shumë ushtarakëve të tjerë. Mehmeti në atë kohë kërkoi që për ato gabime që ishin bërë të mbante përgjegjësi vetëm Beqir Balluku, si ministër, dhe kjo me ndonjë masë administrative, kurse të tjerët të ndëshkoheshin me masa më të lehta. Nisur nga ky mendim që pati Mehmeti atëherë, ai propozoi që Petrit Dume dhe Hito Çako, të ishin zëvendësa të tij në Ministrinë e Mbrojtjes, kur ai u emërua ministër në vend të Beqir Ballukut dhe ajo gjë u pranua.

Po pse u tërhoq më pas Mehmeti nga mendimi i tij, lidhur me dënimin e Ballukut?
Siç i’u shpjegova dhe më lart, gjërat duhen parë në varësi me kohën në të cilën ato u zhvilluan. Në këtë kontekst duhet parë dhe qëndrimi i Mehmetit lidhur me pikpamjet e tij për dënimin e Beqir Ballukut. Desha të theksoj dhe duhet pranuar se, Mehmeti nuk i ndryshoi aspak pikpamjet e tij lidhur me dënimin e të ashtuquajturit “Grup puçist” të kryesuar nga Beqir Balluku, por ai u tërhoq nga mendimi i tij dhe u detyrua që të pranonte vendimet e Byrosë Politike e të Enver Hoxhës, vetëm atëherë kur ajo gjë u vendos në mënyrë unanime dhe ai nuk kishte asnjë mundësi për t’i mbrojtur ata. Askush nuk mund të vepronte dhe të dilte kundër vendimeve që merrte në atë kohë Byroja Politike dhe këtë gjë nuk mund ta bënte as Mehmet Shehu, i cili s’mund të dilte kundër konkluzioneve që bëri në atë kohë Enveri lidhur me “Grupin puçist”. Duke u nisur nga ky qëndrim i Mehmetit, i cili në atë kohë kërkoi që ata të dënoheshin sa më lehtë, e ka zanafillën dhe akuza që ngriti Enver Hoxha ndaj Mehmetit (pas vrasjes së tij), ku ai thoshte se “Mehmet Shehu ishte vetë kryetari i atij Grupi puçist, prandaj kërkonte që t’i mbronte ata”.
Po tani pas kaq kohësh, cili është mendimi juaj për dënimin e “Grupit puçist”
Duke e parë se si rrodhën ngjarjet më vonë dhe gjithë veprimtarinë e të ashtuquajturit “Grup puçist i Beqir Ballukut”, unë kam nxjerrë konkluzionin dhe këtë gjë e kam deklaruar publikisht edhe në shtyp, se pushkatimi i Ballukut, Dumes e Çakos, ishte një gabim mjaft i madh. Nuk them se ata nuk kishin gabime, por kurrsesi ata nuk e meritonin pushkatimin, sepse kishte dhe shumë mënyra të tjera për t’i dënuar. Për ata nuk është gjetur asnjë dokument, që të vërtetojë se ishin “agjentë”, apo “armiq” që kërkonin të merrnin pushtetin, etj., akuza siç na u tha atëherë për ta. Këto akuza që u bënë ndaj tyre, nuk u vërtetuan kurrë dhe ata nuk kishin çfarë pushteti të merrnin më shumë, sepse në pushtet ishin.

Ç’dini ju lidhur me marrëdhëniet e Mehmetit me Enver Hoxhën dhe a ka pasur përplasje mendimesh midis tyre, në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes?
Lidhur me këtë pyetje, dua të them se në mes Enverit dhe Mehmetit, për aq kohë sa unë kam qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes dhe kam marrë pjesë në ato mbledhje, kanë ekzistuar marrëdhënie të shkëlqyera. Enver Hoxha e donte dhe e vlerësonte shumë Mehmetin, jo vetëm si Kryeministër, por edhe si ushtarak, dhe për aq kohë sa unë kam qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Mbrojtjes, as nuk bëhet fjalë që të ketë pasur përplasje mendimesh në mes Enverit dhe Mehmetit. Përpara se të vazhdojë t’i përgjigjem kësaj pyetje, në parantezë desha të theksoj mendimin tim, por dhe të shumë kolegëve të mi, në lidhje me Mehmet Shehun, për të cilin jemi të një mëndje, se ai ka qenë një nga ushtarakët më të përgatitur dhe më të aftë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria dhe padyshim për atë kohë të gjatë që ai qëndroi si Kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes, dha një kontribut të jashtëzakonshëm në modernizimin e forcimin e Ushtrisë.

Këtë mendim dhe vlerësim që bëni ju për Mehmetin, a e kishte dhe e bënte Enver Hoxha, në atë kohë që Mehmeti ishte Ministër i Mbrojtjes?
Në mënyrë absolute po. Dua të them se: Enver Hoxha në çdo urdhër, apo vendim që do të merrte lidhur me Ushtrinë, ai mbështetej vetëm tek Mehmeti, dhe nuk bënte asgjë pa e pyetur më parë atë.
Por, disa nga ushtarakët e tjerë, kanë dëshmuar se Enveri i thërriste ata në zyrë dhe i pyeste për probleme të ndryshme të Ushtrisë në atë kohë që Mehmeti ishte Ministër i Mbrojtjes?
Po, kjo gjë është më se e vërtetë. Enver Hoxha e kishte zakon dhe na thërriste në zyrën e tij ne zv/ministrat dhe Drejtorët e Drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes dhe na pyeste për probleme të ndryshme që kishte Ushtria. Por, po kështu është fakt, se për çdo problem që dilte, ai na thoshte që t’i zgjidhnim me Mehmet Shehun. Këto mendime për Mehmetin, të paktën me sa di unë, Enver Hoxha i kishte që në dhjetorin e vitit 1979, kur u bë mbledhja e zgjeruar e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes.

Pse, çfarë tha Enveri në atë mbledhje për Mehmetin?
Në dhjetorin e vitit 1979, pak muaj pas vdekjes së Hysni Kapos, u bë mbledhja e zgjeruar e Këshillit të Lartë të Mbrojtjes dhe aty Enveri na komunikoi ndryshimet dhe lëvizjet që do bëheshin. Në atë mbledhje Enveri tha: “Byroja Politike ka vendosur që të bëjë disa ndryshime në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në atë të Brendëshme. Vdekja e Hysni Kapos, na krijoi një boshllëk të madh, prandaj ne kemi vendosur që shokun Mehmet Shehu, ta lirojmë nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes, për të marrë në dorë funksionet që kishte Hysniu në Komitetin Qëndror, si sekretar i Komitetit Qëndror dhe Komisar i Ushtrisë. Shoku Mehmet, duke marrë funksionet që kishte shoku ynë i paharruar Hysni, do të orientohet më mirë në drejtimin e punëve të Partisë. Ne e lirojmë shokun Mehmet nga funksioni i Ministrit të Mbrojtjes, në mënyrë që ai t’i përkushtohet më shumë detyrës si kryeministër, sepse deri tani ai ka qenë shumë i angazhuar me problemet e Ushtrisë”. Në fund të fjalës së tij, Enveri tha: “Shoku Mehmet si Ministër i Mbrojtjes, i ka kryer në mënyrë të shkëlqyer të gjitha detyrat që i janë ngarkuar, kurse tani, Byroja Politike ka caktuar në vend të tij shokun Kadri, i cili edhe ai ka qenë ushtarak me funksione që nga koha e Luftës dhe në këtë detyrë të re, ai do të ndihmohet shumë nga ju ushtarakët”./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb