Pjesa e njëzetë

Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.  Memorie.al shkruan se e gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

                                                 Prolog

                                          Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

 Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

                                                       Vijon nga numri i kaluar

Trajtimi që më bëri ASFALIA dhe marrja në pyetje prej tyre!

Pritej që të vinte nga Janina, Shefi i ASFALISË greke. Ishte kohë darke. Një oficer shtroi në tavolionë një pjatancë të madhe me bërxolla, spageti, patate të tiganisura, sallatë, fruta, verë dhe disa gjëra të tjera që unë nuk u’a dija emrin se çfarë ishin! Ata më thanë që t’i haja, por të gjitha ato ishin një ushqim i mjaftueshëm për një skuadër ushtarësh dhe unë u thashë se nuk ndjehesha mirë e nuk kisha oreks.

-“Me zor, duhet t’i hash të gjitha. Oreksi vjen duke ngrënë”, më thanë ata.

Unë nuk u’a prisha dhe hëngra pak nga të gjitha ato gjëra që stomaku im nuk kishte provuar kurrë më parë në jetë!

Sa mbarova së ngrëni, erdhi një makinë “Xhip”-s i zi dhe prej tij zbritën dy burra me fizik të fuqishëm që mbanin syze dielli të zeza, të cilët bënë toka me të gjithë dhe u prezantuan se: njëri ishte shefi i ASFALISË për Janinën, kurse tjetri që e shoqëronte, ishte Komandanti i Sigurimit të Kufirit.

Ata në fillim më pyetën se si quhesha dhe se pse isha arratisur. Përgjigjia ime ishte shumë e gjatë. U tregova se në Shqipëri kisha lënë nënën, tre fëmijë të vegjël dhe tre motra, se isha i persekutuar nga regjimi komunist i Tiranës, i dënuar me dhjetë vite burg, të cilat i kisha vuajtur në kampin 303 të Spaçit.

Për t’i bindur se ato që u thosha ishin të gjitha të vërteta, u tregova se në burgun e Spaçit, kisha njohur shumë minoritarë grekë që vuanin dënimin aty, duke dhënë emrat e tyre, si, p.sh.: Vasil Dhimitrudha, Lluka Krisidhi (Bonjaku), Spiro Petricopulos, Stefan Çavidhi, Dhimitër Muçango, e shumë e shumë të tjerë.

Ata shprehën habi të madhe se si ishte e mundur që në burgjet komuniste të Shqipërisë, të kishte gjithë ata shtetas shqiptarë me kombësi greke nga zona e minoritetit!

Pas gjithë atyre dëshmive që u tregova, oficeri i ASFALISE, u bind se unë nuk isha ndonjë agjent i dërguar nga Tirana me mision. Pas kësaj unë u kërkova që të më jepnin ndihmë mjeksore dhe të më mbronin nga agjentët e Tiranës, të cilët ishin vënë në lëvizje nga ana e ambasadës shqiptare në Athinë.

Deputeti grek më morri në mbrojtje nga ambasadori Ksenofon Nushi dhe agjentët e Tiranës!

Ndërkaq, oficeri urdhëroi që të më dërgonin menjëherë në Spitalin e vogël të Filatit, ku mjekët që më vizituan, më bënë të gjitha analizat dhe infermierët më mjekuan plagët e këmbëve të gjakosura. Po kështu ata më vunë në serum për të më pastruar gjakun e helmuar dhe në dhomën që kishte dy krevatë, një ditë më pas, sollën dhe një pacient tjetër. Ai ishte një burrë me moshë rreth 50 vjeç, e dukej se ishte shumë i mbajtur.

Ky njeri i mirë dhe familja e tij u bë shpëtimtari im dhe miku im i përjetshëm, duke më ndihmuar shpirtërisht. Frika ime ishte se mos më kthente në Shqipëri, qeveria socialiste greke e Papandreut. Ky njeri, të cilin e quanin, Spiro Rubi, mbrojtësi im dhe si deputet që ishte për zonën e Camadait, ndërhyri deri në qeveri që të më mbronin nga agjentët e Tiranës.

Qeveria greke e informoi atë se ambasadori shqiptar në Athinë, Ksenofon Nushi, kishte ardhur deri në Thesproti me agjentët e tij, me shpresë që t’u mbushte mëndjen autoriteteve greke që të më kthenin në Shqipëri. Pas disa ditëve unë dola nga spitali dhe më dërguan në kampin e refugjatëve, Llavrio, afër Athinës.

Spiro Rubi më dha adresën e shtëpisë së tij dhe numrin e telefonit, duke m’u lutur si një baba i mirë, që unë ta informoja rregullisht për gjëndjen time shëndetësore dhe çdo problem që mund të kisha. Kështu, “armiqtë e mi” u bënë shpëtimtarët e mi, kurse “vëllezërit e mi” u bënë armiqtë e mi!

Por unë akoma nuk isha jashtë rrezikut, pasi e dija fare mirë se qeveria e Tiranës tashmë nën udhëheqjen e Ramiz Alisë, i cili ishte betuar për “vazhdimësinë”, dhe se do t’i qëndronte besnik Enver Hoxhës, do të bënte të pamundurën për të më eliminuar fizikisht. Regjimit komunist të Tiranës, i dhimbte shumë arratisja ime, pasi ata e kishin të qartë se unë do t’i denoncoja në shtypin grek dhe atë botëror, duke folur për kampet dhe burgjet që ndodheshin në Shqipëri.

Ndërkohë reporterët prisnin në Athinë dhe unë dhashë disa intervista në gazetat greke, të cilat në mes të tjerash shkruanin në faqet e para, si: “Spaç 303”, “Në Shqipëri, kullon gjak”, “Në tokën shqiptare, njeriu për njeriun është ujk”, e shumë artikuj të tjerë, të cilat e tërbuan Tiranën zyrtare.

Menjëherë pas këtyre shkrimeve dhe deklaratave të mia në shtypin grek, udhëheqësi kryesor i Shqipërisë, Ramiz Alia, erdhi për një vizitë në Leskovik, pranë kufirit me Greqinë, me qëllim për t’i mbushur mëndjen popullit shqiptar, se ato që thuheshin në televizionin dhe shtypin grek, nuk ishin të vërteta.

“Shpifjet dhe gënjeshtrat e disa armiqëve të popullit, tradhëtarë që lanë familjet e tyre të vuanin, i shërbejnë shovinistëve grekë”. Me këto fjalë që tha Ramiz Alia e kishte fjalën për mua dhe aktivistin vorio-epiriot, Ilia Leka, i cili luftonte për të mbrojtur të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri. Ndërkohë, Sigurimi i Shtetit në Shqipëri, u hodh i tëri në sulm, me anë të agjentëve të tyre kudo që i kishin një botë, për të mbytur zërin tim dhe mundësisht që të më zhduknin fizikisht!

Pak ditë pas arratisjes sime, Sigurimi i Shtetit përgatiti një agjent, duke e hedhur në Greqi, gjoja si të arratisur për shkaqe politike. Ky ishte një ushtar i Shëbrimit Sekret në kufi me Greqinë, i quajtur E.M. Ky ushtar “i arratisur” që kërkoi strehim politik në Greqi, do të ishte në kontakt me mua në Kampin e Refugjatëve, Llavrio. Se çfarë instruksionesh kishte marrë ai nga padronët e tij në Tiranë, unë nuk di hollësira?!

Por nëqoftë se një ditë do të hapen dosjet e Ministrisë së Punëve të Brendëshme të Shqipërisë, me siguri them se do të gjendet aty misioni sekret që i ngarkuan atij njeriu! Ndoshta jam gabim që dal në këto konkluzione, por eksperienca e burgut më bën të dyshoj, pasi veç të tjerash, ai djalë ishte shumë i shoqërueshëm dhe tregohej i dashur!

Ndërkohë fshati im, Markati dhe gjithë bota, morrën vesh arratisejn time, nëpërmjet shtypit dhe televizionit grek. Kushërinjtë e mij, bënë njëmijë përpjekje për t’u vënë në kontakt me telefon me mua.

Ishte tepër emocionuse kur fola në telefon me Rexhepin dhe Selfo Hoxhën nga SHBA-ës, të cilët nuk e besonin se po flisnin me kushëririn e tyre, Kaso Hoxhën! Ata u gëzuan shumë por njëkohësisht u hidhëruan nga lajmet e hidhura që dëgjuan! Ata më këshilluan që të mos flisja dhe nuk e di se pse?! Mos vallë ishin të friksuar nga agjentët e Tiranës, që ishin kudo?! Apo mos vallë u shërbenin këtyre…?!

Tragjedia në familjen e dajos tim, në SHBA-ës, nga “ushtari i arratisur”?!

I pyeta për Bilal Xhaferrin se si ishte dhe përgjigjia e Selfos ishte tronëditëse! Ai më tha: “Mos më pyet për atë palaço, do llafosemi kur të vish”. E pyeta se si ishte dajkua im, Zeqo Kola dhe përsëri përgjigjia e tij, ishte tronditëse.

Ai ma tha: “Zeqo, është në spital, ka një muaj dhe nuk dihet se sa do të rroj”?! Dhëndërri i tij, një djalë nga Korça, e quajnë Ali, ishte ushtar dhe para pak kohësh, u arratis nga Shqipëria. Skënder Shuaipi, i bëri garanci, e solli këtu dhe e martuam me vajzën e Zeqos. Në shënjestër të parin, kishte vënë Skënderin, por ai doli jashtë, atëhere, ky u kthye me revolen e tij, qëlloi Zeqon, djalin e Zeqos, Isufin dhe gruan e tij, që ishte shtatëzanë, Havanë. Një tragjedi e madhe, do të llafosemi kur të vish këtu”.

Ky lajm më hidhëroi dhe menjëherë më erdhi ndërmënd, K. A., një agjent i Tiranës, i kthyer në Shqipëri. Nuk e di se për çfarë arsye, ndoshta pse i dështoi misioni, i cili ishte në Çikago! Në një bisedë, më thotë se: Markaqotët, me në krye Skënder Shuaipin dhe Bilal Xhaferrin, nuk e kanë të gjatë! K.A. dinte diçka, ky agjent besnik i regjimit, i futi në varr gruan e tij, fëmijën e tij, dhe gjithë ata njerëz që e ndihmuan të kishte një jetë të mirë në botën e lirë!

Ky akt i parrëfyeshëm kriminal, më shtoi më tepër dyshimin e ushtarit të arratisur, E.M., që ndodhej me mua në Llavrio! Me gjithë këshillat e Selfos dhe të Rexhepit, unë nuk heshta, duke i dhënë përgjigjie, Ramiz Alisë, me një intervistë që bëra për televizionin grek. Ajo intervistë u trasmetua pjesërisht në radio dhe televizionin grek:

Intervista ime në televizionin grek, kundër regjimit të Enver Hoxhës

Të dashur nëna, baballarë, vëllezër, motra, të rinj, e të reja.

S’jam as armik, as tradhtar siç kërkojnë të më paraqesin xhelatët e Tiranës. Unë jam ai njeri që ngrita zërin kundër skllavërisë, dhe genocidit ndaj regjimit diktatorial të Enver Hoxhës. Ngrita zërin për të mbrojtur të drejtat dhe liritë tuaja, të popullit të thjeshtë dhe fukara. Babai im ka qënë një fshatar i thjeshtë që e ka fituar bukën me ndershmëri. Unë jam bir i tij dhe i popullit tim për të cilin, do luftoj sa të fitoj lirinë, derisa të hedh poshtë vargonjtë e skllavërisë më të egër që ka njohur njerzimi.

Të dashur vëllezër, e kuptoni tani çdo të thotë socializëm i Enver Hoxhës? E kam të qartë që e kuptoni por s’keni guxim që të ngrini zërin. Epoka e Enver Hoxhës ka qënë epoka e dhunës, e terrorit, e gjakut, e burgjeve, e degjenerimit moral dhe politik të brezave. Gjithshka e mbështet mbi gënjeshtrën ku vëllanë e hodhi kundër vëllait, ku njëri s’ka besim tek tjetri, ku njeriu ha njeriun, jo mishin të cilin e shet për të fituar ndonjë privilegj.

Socializëmi i Enver Hoxhës do të thotë të lindësh në rresht dhe të vdesësh në rresht! Populli shqiptar e ka harruar fjalën liri, nuk e kupton çdo të thotë demokraci, dhe se jeton në kushte skllavërie. Deri kur do pranojë populli shqiptar një gjëndje të tillë? Pse qeveria e re e Tiranës u betua për t’i qëndruar besnike Enver Hoxhës?!

Enver Hoxha dhe gjithë bashkpuntorët e tij janë kriminelë dhe xhelatë. Ata degraduan një komb të tërë dhe tani po rritet një brez dështakësh. Ai e ktheu Shqipërinë në një burg popujsh, duke e rrethuar me klon të 28 mijë km. katror, ku populli ndërtoi me duart e veta, burgjet dhe kampet.

Të dashur vëllezër, fshatari është i lidhur ngushtë pas tokës dhe këtë mentalitet nuk mund t’ja heqi atij sado ndryshime cilësore të ndodhin në shoqëri. Enver Hoxha me demagogjinë e tij gjatë Luftës u paraqit përpara popullit si shpëtimtar i tij. Por e mashtroi shumë bukur.

Sot fshatari dhe puntori, mbetën me gisht në gojë duke i mbyllur brënda katër mureve të haurit ku punojnë 10 – 12 orë në ditë! Për 5 kg. bukë, ku duhet të presin me orë të tëra në rresht për të marrë rracionin e ushqimit. Shumë produkte të konsumit mungojnë në treg. Njerëzit e Partisë (komunistët) janë bërë agallarë të rinj, njerëz të qejfeve e veseve më banale, dhe kanë gjithçka ndërsa populli nuk ka asgjë veç zheleve. Po bëhet një luftë e ashpër klasore deri në familje, ku po nxisin hasmërinë për të përçarë popullin, duke e lodhur në punë fizike!

Për të mos i lënë fare kohë, për t’i munduar, e kanë më të lehtë t’i sundojnë! Rinia shqiptare është e ndrydhur dhe në dashuri. Partia vendos për gjithçka. Një i ri komunist nuk mund të dashurojë një të re me biografi të keqe, dhe e anasjelltas. Kjo rini po jeton në epokën më të zezë, atë të një tirani që kujtimin e tij mendojnë ta mbajnë gjallë duke i thurur lavdi.

Këtë përpjekje e bën PPSH-ja dhe njerëzit e saj të cilët e ndërtuan mirëqënien e tyre në kurriz të popullit fukara. Populli i thjeshtë i zhgënjyer nga politika e diktatorit, tani është vonë që t’i shpëtojë skllavërisë. Enveri, për të ruajtur pozitën, filloi që të likujdoi fizikisht shokët dhe miqtë e tij të Luftës, me të cilët kishte kontradita duke shfrytëzuar gjithë mosmarrëveshjet brënda kampit socialist.

U prish me Titon që e vuri në krye të partisë dhe qeverisë, për t’u lidhur me Stalinin, të cilin jugosllavët e hodhën poshtë. Enver Hoxha akuzoi grupin e Koci Xoxes, Bedri Spahiut, Teme Sejkos, Beqir Ballukut, dhe në fund atë të Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut, duke u’a hedhur fajin këtyre për dështimet në ekonomi, dhe politikë. Vetëm ky ishte komunist i kulluar që i donte të mirën popullit.

I mbetur vetëm, hodhi parrullën që “të mbështetemi në forcat tona”, për të çarë bllokadën imperialisto revizioniste. Këtu filloi mjerimi i popullit shqiptar. Ai e mbushi botën me propagandë dhe i bënte thirrje proletariatit botëror që të merrte shëmbull nga ne, që ishim fanar ndriçues në brigjet e Adriatikut, ku nuk egzistonte papunësia. Si mund të flitet për papunësi, kur i gjithë populli shqiptar është skllav, dhe i detyron që të punojnë për dy kg. bukë në ditë!

Ku nuk ka asnjëlloj takse, çfarë takse do i merret atij kur i kanë mbetur vetëm zhelet?! Ku nuk njeh asnjëlloj krize veç asaj të urisë! Dokrra që ndoshta bota i ha për të vërteta.

Të dashur vëllezër, kjo është fytyra e vërtetë e socializmit të Enver Hoxhës, i cili e dhunoi shumë bukur tokën dhe popullin shqiptar. Kam besim se një ditë gjithshka do ndryshojë, duhet pak guxim që të thyeni vargonjtë e të dilni nga errësira që i’u ka pllakosur sytë. Këtë gjë ua uroj nga zemra.

Llavrio, 7 gusht 1985

Kaso Hoxha

 

Mobilizimi i agjentëve të Tiranës!

Agjentët e Tiranës kudo ku ishin në botë u ishte ngarkuar misioni që të mbysnin zërin tim. Enver Hoxha përfitonte nga liberalizmi në botën e lirë dhe infiltronte njerëzit e tij në emigracionin shqiptar. Unë isha vënë në shënjestër dhe këtë e thonë njerëz të shërbimit informativ grek. Unë duhet të largohesha nga kampi i refugjatëve në Llavrio. Bisedova me miqtë e mi në Kanada të cilët më drejtuan tek dhespoti i Janinës dhe ky i fundit tek arqipeshkvi i Athinës, Serafin i cili më fshehu në një manastir të quajtur Moni Petraqi. Bisedova shumë herë në telefon me mikun tim Spiro Rubi i cili, më strehoi në shtëpinë e tij ku ndënji disa javë. Dëshira e tij ishte që unë të krijoja familje. Ai më njohu me vajzën e shokut të tij të quajtur Katerina, e cila…! /Memorie.al