Pjesa e njëzetë e pestë

Memorie.al publikon disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.

Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al

Prolog

Lexues të dashur!

Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.

Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.

Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.

Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!

Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.

Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!

Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!

Kaso Hoxha.

Llavrio, Greqi 1985

Vijon nga numri i kaluar

Përpjekja ime për ta bindur Telin, që të mos i jepte fund jetës!

U ngrita dhe e morra në dorë shokun tim të masakruar dhe duke e shtrirë në batanie, i fola, por ai ishte pa ndjenja! S’kisha ku t’i bëja masazh, pasi të gjithë mishrat i kishte me plagë dhe të nxira nga goditjet.

Dinin vallë nënat se ç’po hiqnin, se ç’po vuanin bijtë e tyre që i kishin rritur me mjerim e mundim, e me njëmijë halle?! Dinte vallë bota se ndodhte kështu mbi tokë dhe në një vënd që e quante veten socialist, një Enver dhe parti që i jepnin mësim botës e proletariatit botëror, se si të fitonin lirinë?!

Kjo është liria, kjo është demokracia, ky është humanizmi?!

I ngroha mishrat e nxirrë me frymë, duke i fërkuar me orë të tëra, deri sa u përmënd. Teli i hapi sytë përgjysëm dhe më hodhi një vështrim të ëmbël, mirënjohës. Ai vështrim, dukej sikur të shprehte falenderimin për kujdesin dhe shërbimin që po i bëja në ato momente tragjike.

Teli lëvizi pak dhe një rënkim i doli nga thellësia e krahërorit.

-“Tel”, i fola avash mbi kokë, shokut tim, vëllait tim, me të cilin jetoja momentet më të vështira të jetës!

Teli më tha: “Kaso, kështu s’dua të jetoj më”, dhe filloi grevën e urisë!

-“Kaso’, m’u përgjigj fatziu me një zë sikur i foli Zotit. ‘Kaso, efkaristo poli, kështu s’dua të jetoj më”!

-“Jo Teli, kurajo vëlla, mos e lësho veten, ti je 24 vjeç, jeta jote është përpara”, mundohesha t’i jepja zëmër.

-“Jo vëlla, kjo s’durohet, unë dua të vdes, dua t’i jap qetësi shpirtit dhe eshtrave, s’kam më forca, e kuptoj se po vdes”!

-A mund ta çliroja nga ky pesimizëm që kishte mbërthyer tërë qënien e tij?! Ishte e pamundur, Teli ishte njeri i vendosur!

Teli s’pranoi më të hante bukë, duke bërë grevën e urisë në qeli! Nuk kishte gjë më të llahtarshme tek shikoje një djalë 24 vjeçar që po vdiste?! Kaluan dy ditë, kaluan pesë ditë dhe ditën e shtatë, Komanda e Burgut e nxorri nga qelia.

Nuk di se si i vajti halli gjatë atyre ditëve që unë vazhdoja të isha në qeli?! Kur dola pas një muaji, unë isha kthyer në një fantazëm, por me shpirt të fortë, e gjeta Telin në oborr të burgut, tek po ecte këmbadoras, dhe lakuriq fare! Ju afrova, e zura për krahu, e ngrita dhe e pyeta, se pse vepronte kështu?!

-“Unë nuk dua të jem më njeri”, ma ktheu. Nëqoftë se policët janë njerëz, as si vishen këta nuk dua, por po qe se këta janë njerëz, unë do të pranoj, që jam më mirë një kafshë dhe si kafshë, do rri dhe do eci”, e vazhdoi të ecte nëpër oborr!

Ndonjë i burgosur mëndjelehtë, qeshte duke mos e kuptuar se sa domëthënëse ishte veprimi i këtij njeriu të madh!

Policët, posa e morrën vesh se një i burgosur bënte xheste që fyente sistemin, erdhën me vrap dhe u turrën mbi trupin e tij lakuriq, me kamzhikët e zinj, e duke e hequr zvarrë, e futën përsëri në qeli. Por Komisari, e quajti si njeri të çmëndur dhe dha urdhër ta lironin.

Teli erdhi në dhomë i vrarë, i lodhur, i uritur, pa asnjë shpresë dhe u shtri në krevatin e tij, ku kishte një dyshek byku të grisur. U fut në kashtë dhe u shtri.

Në drekë, i’u luta të vinte të hante pak bukë dhe pas shumë lutjeve, Teli qeshi:

-“Efkaristo Kaso. Unë kam bërë një llogaritje”, vazhdoi ai.

-“Sa të zbres katin e të shkoj në mensë dhe të ngjitem prap në katin e tretë, nuk i’a vlen, se kjo lodhje do të paktën 500-800 kalori. Kurse unë do ha 200 gram bukë, që nuk bëjnë as 300-400 kalori! Edhe të hash’, vazhdoi Teli, ‘edhe mos të hash, prapë njhëlloj është, për të vdekur se për të vdekur ke. Më mirë s’po ha fare, që të vdes më shpejt, nga këto vuajtje”!

Teli s’donte t’ja dinte për lutjet tona, kishte vendosur të vdiste dhe ne s’e ndaluam dot…!

Sado që i’u luta unë dhe shokët e tij, ai kishte vendosur që të vdiste! Komanda, kur e pa se po vdiste, e morri gjoja që ta çonte në spital. Autoburgu e la Telin në Burgun e Tiranës, (Reparti 313), për të pritur që të vinte autoambulanca ta merrte që ta çonte në spital. Telin e shtrinë gjysëm të vdekur në një qoshe të “Kaushit”, që ishte plot me të burgosur. Teli s’ngrihej, as të hante dhe as të delte në WC, apo ajrim, por i mbuluar me një batanije kokë e këmbë, priste të vinte e rrahura e fundit e zëmrës!

Të burgosurit, e shikonin dhe e zgjonin duke i’u lutur që të ngrihej e të hante, por ai u’a kishte prerë dhe u ishte lutur, që ta linin të qetë! Kështu që të burgosurit nuk flisnin më, sepse pandehnin se mos ky njeri ishte si një psikopat dhe mund t’u jepte ndonjë boks fytyrës!

Një i burgosur që flinte afër, kishte më tepër se 20 orë që kishte parë që ky njeri nuk lëvizte fare! Ju afrua, e zbuloi dhe u tmerrua, kur pa fytyrën e tij pa gjak, sytë e mbyllur përjetësisht. Goja me nofullat e shtërnguara jashtë mase dhe trupi i kishte ngrirë!

Ai u tha shokëve se: i burgosuri i ardhur nga Spaçi, kishte vdekur! Të burgosurit u afruan në heshtje pranë kufomës së tij pajetë duke hequr kapelet dhe sytë e tyre u përlotën përpara asaj drame!

Një i burgosur lajmëroi policët, të cilët erdhën dhe e morrën kufomën me batanije. Të burgosurit i dhanë lamtumirën e fundit, për në varrin që nuk i dihej se ku do ishte!

Spaç 1978

Si dhe pse krijova familje të re në SHBA-ve, me vajzën që njoha në Greqi!

Në shtator të vitit 1988, vendosa të krijoj familje, pasi i humba të gjitha shpresat se gjëndja politike në Shqipëri mund të ndryshonte. Selfua dhe Rexhepi, më bënë presion të hiqja dorë nga vajza greke që kisha njohur. Shkova në Greqi dhe u martova me atë vajzë që më priste, njeri i shenjtë për mua atëhere dhe do të mbetet për jetë të jetëve. Unë u martova me një ceremoni të bukur në qytetin e Igumenicës dhe pas disa ditësh, i nxorra vizën në ambasadën amerikane.

U ktheva në Amerikë me shokun tim të jetës, ku sollëm në jetë tre fëmijë. Kushërinjtë e mij dhe fshatarët e mi, u zëmëruan, nuk më folën dhe unë bëra të njëjtën gjë, duke i braktisuar ata pa u thënë lamtumirë! Rroj i qetë dhe me shpresë se ndonjëri do më kuptojë se kush kam qenë dhe kush u bëra?!

Epilog

Qoftë e bekuar Shqipëria, ajo tokë e bukur me njerzit e saj, duke përjashtuar njerzit e shëmtuar!

Kombet do provojnë se demokracia nuk është një formë qeverimi për rrugën e jetës, lidhur me një traditë të madhe, traditë me bazë morale. Unë e dija, e kisha të qartë, që Amerika ka qenë dhe mbtetet: botë e lirë. Por ajo që më mahnit më shumë, e cila më bëri fondamentalisht një qytetar amerikan të mirë, por gjithashtu kontraversal në vëndin ku linda, pse e morra anën e qytetërimit perendimor, duke hedhur poshtë totalitarizmin, radikalizmin dhe mentalitetin e shekujve të mesjetës, që pengoi integrimin e popullit tim në botën e qytetëruar.

Më bëri shumë përshtypje, duke mbetur i mahnitur, nga tolerance e lirisë, të menduarit, e shprehjes së lirë dhe i lirë të besosh në atë zot që është më afër së vërtetës.

Kjo ka qenë një gurë i rëndë në themelin e bindjeve të mija, kur unë studjova Teologji në Spaç dhe mbetet tani që unë u betova para gjykatësit, të jem qytetar amerikan.

Një ditë e paharruar për mua dhe familjen time të re. Me emër të ri i pranueshëm nga bota që më rrethon.

Unë e braktisa të kaluarën duke e deklaruar publikisht se nuk mund të rroja në një vënd ku populli nuk ishte i lire dhe nuk mund të shprehte atë që mëndonte. Unë e dija se sa e drejtë ishte që zgjodha Amerikën si vënd. Bukuria e Amerikës në tolerancës së idesë së çdo njeriu, pa pasur frikë se çfarë do të ndodh të nesërmen, ashtu siç ndodhte në regjimin komunist të Enver Hoxhës!

Vlersimi i thellë për Amerikën, i vlerës thelbësore të jetës, më ndihmoi të shpjegoj, se pse unë e pranova me gjithë zëmër, duke i braktisur për jetë, të gjithë ata njerëz që i ngjanin aq shumë njëri tjetrit, në mënyrën e të menduarit.

Mendoj se kam shkruar në përgjithësi, atë që ndodhi deri diku, bëra ç’ishte e mundur, deri edhe tek aspektet më intime, të kësaj përmbledhjeje me kujtime, që është një rrëfim i sinqertë dhe me vlera historike.

Sidoqoftë e gjeta veten të obliguar të flisja mbi këtë dramë të popullit tim. Nuk kam qenë i kujdesshëm për t’ju shpëtuar gabimeve! Sidoqoftë, kështu ndodhi dhe është e vërtetë…?!

Qoftë e bekuar ajo tokë e bukur me njerzit e saj? Duke përjashtuar njerzit e shëmtuar!

Chicago 1987 Kaso Hoxha

Autori

Kush isha unë dhe familja ime?

(Me fjalët e mija)

Kazmaxhiu dhe çobani nga fshati Markat në Jug të Shqipërisë. Ndonëse i pashkolluar, isha tepër kurjoz për jetën dhe botën ku linda. Dëshira ime për të mësuar, e kalonte imagjinatën e një njeriu të rëndomtë, të kësaj shoqërie të prapambetur nga bota e qytetëruar!

Prindërit e mi, Çerçiz dhe Honja, ishin analfabetë, por të thjeshtë dhe të ndershëm. Ata nuk kishin përgjigjie pyetjeve të mia, kureshtare për botën dhe jetën, thjesht më përgjigjeshin: “Ashtu e ka bërë Zoti”!

Nëna ime, bija e Sadik e Shabane Kola. Babai im, i biri i Kaso e Shabo Hoxhës, gjyshja ime, vajzë nga Pashakajt. Babai, në moshën 27 vjeç, bashkë me disa djem të tjerë nga krahina, morrën pjesë në Revolucionin e Fan Nolit të 1924-ës. Më vonë, u martua me Honën, nënën time që do të më sillte në këtë botë.

Nëna ime, kishte mbetur e ve me dy fëmijë të vegjël, Lazen dhe Dilon, në fshatin Pandelejmon, jo shumë larg nga fshati Markat. 1939-ta, sa kishte filluar Lufta e Dytë Botërore, nëna e saj, Shabua, bënte merak për vajzën e saj, mbetur larg pa njeri.

Ajo ju lut, kunatit të saj, Ali Kolës, që ta sillte në Markat. Edhe nënë Shabua kishte mbetur e ve në moshë shumë të re. Babai i nënës sime, Sadik Kola, vdiq i ri nga një grip i rëndë. Nënë Shabua kishte mbetur në shtëpi me Qemalin, që ishte më i vogli i fëmijve të saj.

Ali Kola, një burrë i ndershëm dhe i respektuar në fshat, xhaxhai i nënës sime, mendoi se do të ishte më mirë, për mbesën e tij, ta martonte me Çerçiz Hoxhën, nëse ky do ta pranonte këtë grua me dy fëmijë jetim!

Aliu vuri njerëz që të pyesnin Çerçizin nëse ky donte të martohej, megjithse i kishte kaluar të 50-at. Në atë kohë njerzit rronin me mentalitetin e fanatizmin e Mesjetës dhe martesat bëheshin me ndërmjetësi të njerëzve! Kështu u bë e nënës ime, madje edhe e imja!

Çerçizi, e pranoi këtë krushqi, u martua me Honen, rriti pa i ndarë nga fëmijët e tij edhe të dy jetimët. Nëna ime, solli në jetë edhe pesë fëmijë të tjerë, dy motrat dhe në vitin 1951, linda unë që më quajtën Kasëm Hoxha, nëna imë lindi edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë, të cilët vdiqën të mitur, për shkak të epidemive dhe mungesës së vaksinave! Kasëm, ishte emri i gjyshit tim.

Unë erdha në këtë botë në mes të dimrit, cilido që vjen në këtë botë, nuk e di fatin e tij, unë nuk e dija se jeta ime do të ishte dimër i përjetshëm!

Domosdoshmërisht, nuk i shpëton asnjeri, çka do të ndodhi, ashtu siç ka për të ndodhur! Kjo nuk ishte rastësi që unë erdha në këtë botë, rastësia e çan rrugën përmes domosdoshmërisë, gjërat mund të ndodhin, por edhe mund të mos ndodhin!

Kjo nuk ishte rastësi, që ky njeri i quajtur, Kaso Hoxha, një njeri që fati i tij, ishte të merrte të gjithë thellësitë e oqeanit, të vuajtjeve njerzore në tokën e quajtur Shqipëri!

Këtu, më 14 janar 1951, nisi odiseja e gjatë me vuajtje aq të mëdha e tragjike.

LAVDI ZOTIT, që kishte ruajtur pak ditë të mira në jetën time.

Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb