Publikohet historia e panjohur dhe e bujshme të ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, ku bënin pjesë: Sabaudin Haznedari, Xhevdet Mustafa dhe Halit Bajrami, të cilët në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982, me anë të një motoskafi të vogël që ishte nisur nga brigjet italiane, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, ku pasi vranë një oficer policie dhe një fshatar të zonës, nën forcën e armëve, mbajtën peng një polic tjetër, i cili do t’u tregonte rrugën për të përparuar në brendësi të territorit shqiptar, deri sa ata arritën në qytezën e vogël të Rrogozhinës, ku u zbuluan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe pas një përpjekje me armë, ‘kapo’ i saj Sabaudin Haznedari, mbeti i vrarë në një qendër zjarri, dhe po ashtu të njëjtin “fat” do të kishte edhe Xhevdet Mustafa, që mbeti i vrarë pas disa orësh, në një shtëpi të fshatit Zhamë të Lushnjes, pasi më parë kishte vrarë të zotin e shtëpisë dhe një nënoficer policie që po e ndiqte me motoçikletë. Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit nga qyteti i Durrësit, vëllait të ‘kapos’ së asaj bande, që rrëfen për herë të parë gjithë historinë e së ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, e cila sipas versionit të Enver Hoxhës, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.

Ngjarja e panjohur, vjen nëpërmjet vëllait të ‘kapobandës’, Haznedari, duke filluar nga historia e tyre familjare për të cilën aktori dhe dramaturgu i njohur, Sulejman Pitarka, do t’i kushtonte dramën “Familja e peshkatari”, si dhe të gjithë kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, që nga arratisja e tyre dhe deri në ngjarjen e 26 shtatorit 1982, ku Sabaudini dhe Xhevdeti mbetën të vrarë, në përpjekje me forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse Halit Bajrami, pasi u mbajt disa kohë në “Hetuesi” dhe te Hotel “Tirana”, u përcoll nga Zbulimi Shqiptar në Zelandën e Re, ku jetoi i qetë edhe pas viteve ’90-të, duke mos pranuar të shkelte më në Shqipëri!
Plot 39-vjet më parë, në paraditen e së dielës së 26 shtatorit të vitit 1982, një ngjarje aspak e zakontë dhe tepër e bujshme e ndodhur në një qytezë të vogël të Shqipërisë së Mesme. Shprishi heshtjen e monotoninë mbytëse që mbizotëronte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, duke shkaktuar pështjellim e panik të madh edhe në radhët e hierarkisë së lartë të udhëheqjes komuniste të kryesuar prej Enver Hoxhës. Po atë pasdite, lajmi mbi atë ngjarje, që ishte përhapur me një shpejtësi po të pazakontë pothuaj në të gjithë vendin, duke u rrëfyer në forma nga më të ndryshmet. U bë i ditur edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, me anë të një njoftim zyrtar të dhënë nëpërmjet një komunikate zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u transmetua në emisionin e lajmeve të orës 20.00. Ajo komunikatë zyrtare në mes të tjerash, bënte të ditur se: ‘një bandë e armatosur e financuar dhe e stërvitur nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinje, në bashkëpunim dhe me armiqtë e popullit shqiptar, kishte zbarkuar disa km. në thellësi të territorit shqiptar në bregdetin e Divjakës, ku dhe ishte asgjësuar plotësisht nga forcat e Ministrisë së Brendshme’.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Afro dy muaj më pas, akoma pa u shuar jehona e asaj ngjarje, gjatë një takimi që kreu i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, mbajti me zgjedhësit e zonës së tij elektorale në Tiranë, në mes të tjerash foli dhe për atë “bandë” që tashmë ishte bërë e njohur, kudo në të gjithë Shqipërinë, si “Banda e Xhevdet Mustafës”. Lidhur me këtë, ai u shpreh: “Banda e armatosur e kriminelit Xhevdet Mustafa, që u përgatit dhe u financua nga Leka Zogu në bashkëpunim me UDB-në jugosllave dhe shërbimet e huaja sekrete, të disa vendeve fqinje, u asgjësua e u eliminua plotësisht brenda gjashtë orëve nga zbarkimi i tyre, akoma pa e parë mirë diellin shqiptar”.

Për këtë ngjarje të bujshme, që asokohe tronditi gjithë Shqipërinë dhe hapi panik të madh për disa muaj me radhë duke vënë në gatishmëri të lartë të gjitha repartet e Forcave të Armatosura dhe çetat vullnetare, është folur dhe shkruar vetëm pas viteve ’90-të, me shembjen e regjimit komunist, por përsëri, e gjithë ngjarja e 26 shtatorit të vitit 1982, ku mbetën të vrarë Sabaudin Haznedari dhe Xhevdet Mustafa, si dhe e ashtuquajtura “banda Xhevdet Mustafa”, edhe pse kanë kaluar katër dekada që nga ajo kohë, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister, duke mbajtur mbi vetë një sërë pikëpyetjesh!

Në këtë kontekst, me qëllimin për të tentuar për të hedhur sadopak dritë mbi atë ngjarje të largët, Memorie.al i rikthehet përsëri një cikli shkrimesh për të ashtuquajturën “banda Xhevdet Mustafa”, duke publikur fakte dhe ngjarje të reja të panjohur më parë, të cilat vijnë nëpërmjet intervistës me Gafurr Haznedarin nga qyteti i Durrësit, i cili është vëllai i Sabaudin Haznedarit, kryetarit të “grupit komando”, që së bashku me Xhevdet Mustafën e Halit Bajramin, zbarkoi në bregdetin e Divjakës në mesnatën e largët të 26-shtatorit të vitit 1982, ku sipas versionit të Tiranës zyrtare të artikuluar nga vetë Enver Hoxha në fjalën e mbajtur para zgjedhësve të tij të zonës elektorale në Tiranë, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”.

Pas intervistës me z. Gafurr Haznedari që do të publikohet në gjashtë numra radhazi, (duke filluar nga sot), Memorie.al do vazhdoj përsëri me shkrime të tjera, me dëshmi dhe intervista, nga aktorë të asaj ngjarje, të afërm të familjeve të tyre, si dhe dëshmitarë të ndryshëm, që rastësia i lidhi, apo i çoi në atë vend ku 39 vite më parë zbarkoi ‘grupi i armatosur komando’ i njohur ndryshe si “banda Xhevdet Mustafa”, ngjarje e cila edhe sot pas katër dekadash, vazhdon të mbetet e mbuluar me mister.

Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit, vëllait të “kapos’ së “Bandës Xhevdet Mustafa”

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Gafur, çfarë dini rreth veprimtarisë së Sabaudinit, para se të vinte në Shqipëri me Xhevdet Mustafën dhe Halit Bajramin?

Para se Sabaudini të vinte në Shqipëri, Sabaudini jetonte në kryeqytetin italian, Romë, së bashku me vajzën e tij të vetme, bashkëshorten italiane, siç thashë më lart, i’a helmoi Sigurimi i Shtetit, pasi ai hodhi bombat në ambasadën shqiptare atje, së bashku me Avdul Banushin. Që kur ishte vendosur në Romë, Sabaudini kishte hapur një lavanderi private dhe kishte arritur të nxirrte të ardhura të konsiderueshme. Por ato të ardhura ai i shpenzonte më shumë duke ndihmuar emigrantët shqiptarë antikomunistë dhe shtëpinë e tij në Romë, e kishte kthyer në një qendër bamirësie, për të gjithë ata që arratiseshin për në Perëndim. Këtë e dëshmojnë akoma edhe sot shumë shqiptarë që kanë pasur rastin, të ndihmoheshin prej tij. Po kështu, këtë gjë na e ka dëshmuar një shqiptar nga Tivari, i quajtur Hasan Gorana, i cili në vitin 1970, në një letër që na dërgonte ne, nga New York, në mes të tjerash, na shkruante: “I jam mirënjohës Sabaudinit, se më ka strehuar në shtëpinë e tij, me gjithë gruan time. Nuk ka nënë në botë që të lindë një djalë si Sabaudini”.

Çfarë dini rreth krijimit të ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa” në përbërje të së cilës, ishte dhe Sabaudini?

Duke u nisur nga ato që kam arritur të mësoj unë pas viteve ’90-të, lidhur me bandën që erdhi në Shqipëri, ideja për krijimin e ‘grupit komando’ i lindi pikërisht Sabaudinit, rreth një vit e gjysmë përpara, pra diku nga fillimi i vitit 1980. Që nga ajo kohë, Sabaudini ndërmori një udhëtim të gjatë nëpër disa shtete të botës, sidomos në ato vende ku jetonte mërgata antikomuniste shqiptare. Qëllimi i atij udhëtimi ishte, që ai të kontaktonte me njerëz të besuar, në mënyrë që t’i rekrutonte ata, si efektiv të grupit të tij, që do të zbarkonin në Shqipëri. Gjatë udhëtimit që Sabaudini bëri në SHBA, ai u njoh atje me Xhevdet Mustafën, me të cilin ndonëse ishin nga një qytet, nuk kishin pasur njohje më parë, pasi Xhevdeti ishte rreth 20 vjet më i vogël. Pasi Sabudini i parashtroi atij qëllimin për të cilin e kishte takuar, Xhevdeti, u tregua krejt i gatshëm, që të bënte pjesë në grupin e Sabaudinit. Pasi u sigurua për pjesëmarrjen e Xhevdetit, në grupin e tij, Sabaudini, u kthye në Europë dhe ndërmori një udhëtim tjetër, në disa shtete ballkanike. Kur ishte në Maqedoni, Sabaudini, qëndroi për disa ditë në Shkup dhe ka fjetur në një dhomë hoteli, bashkë me një shqiptar nga Dibra e Madhe, i quajtur Luan Haxhirexha. Për t’u takuar me atë person, Sabaudini kishte rekomandim nga një mik i tij dhe gjatë bisedës, në atë dhomë hoteli, ai i bëri të ditur qëllimin e takimit, duke i thënë Luanit: “Na gjej disa djem të rinj e të besuar, që të shkojmë në Shqipëri e t’ia derdhim trutë Enver Hoxhës”.

Si i’u përgjigj Haxhirexha?

Që në fillim Luani i shprehu rezervat e tij lidhur me atë mision, duke mos i’a aprovuar në mënyrë kategorike dhe i tha: “Nuk bëhet ajo punë. Kjo është një aventurë tepër e rrezikshme dhe e parealizueshme. Ti nuk e di se si është Shqipëria”. Pas asaj, Sabaudini, vazhdoj më tej duke i thënë: “Ai popull ka mbetur si ajo pema e zhveshur që i bien gjethet në vjeshtë dhe ato gjethe një shkrepëse duan nga ne, që të marrin flakë menjëherë”.

Cili ishte misioni i vërtetë që ajo bandë do të kryente në Shqipëri?

Ajo që thashë më lart. Misioni i bandës ishte atentati ndaj Enver Hoxhës, i cili do të realizohej në Tiranë, gjatë festave zyrtare dhe takimeve që pritej të zhvillonte Enveri, në atë kohë. Për realizimin e atij misioni, Sabaudini ishte më se i sigurt, që do ta kryente me sukses dhe atë gjë, ai e shprehte me të gjithë ata njerëz të besuar që takoi në atë kohë”.

Është thënë se në përgatitjen e “bandës” ka pasur gisht edhe Leka Zogu, çfarë dini rreth kësaj?

Unë nuk e di tamam se si është e vërteta rreth personave apo shërbimeve sekrete, që fshiheshin pas Sabaudinit, që ishte kryetar i asaj bande, por di të them se: me Leka Zogun, ai ka pasur një njohje që prej shumë vitesh. Këtë gjë e ka pohuar në dëshminë e tij, në gjyqin fals që u bë në Tiranë edhe agjenti i Zbulimit Shqiptar, Halit Bajrami, i cili aty u shpreh, se Sabaudin Haznedari, ishte personi që mblodhi një pjesë të madhe të mërgatës antikomuniste shqiptare dhe i çoi në dasmën e Leka Zogut.

Si ra Zbulimi Shqiptar në gjurmët e “bandës” që po krijonte Sabaudini?

Mendoj se dekonspirimi i kësaj “bande” ishte që gjatë udhëtimeve që Sabaudini, bëri në shtete të ndryshme të botës për gjetjen e njerëzve dhe për krijimin e bandës. Sigurimi i Shtetit nuk e ka pasur shumë të vështirë që ta mësonte atë gjë, kur dihet se ai ka pasur shumë agjentë të tij të infiltruar në radhët e mërgatës antikomuniste. Kështu që, pasi Sigurimi është informuar për krijimin e bandës prej Sabaudinit, që ta kontrollonte në çdo hap, ka bërë të gjitha përpjekjet dhe arriti që të fuste në radhët e saj, dy agjentët: Halit dhe Fadili”.

Po përse e mori Sabaudini në bandën e tij Halitin, kur thuhet se ai kishte dijeni për të, se punonte për Sigurimin e Shtetit?

Këtë pyetje edhe unë e kam menduar për vite me radhë dhe kjo më ka mundur shumë. Ka disa versione lidhur me këtë. Një nga më kryesoret dhe që mendoj se i afrohet më shumë së vërtetës, është ai që: Sabaudini ka menduar se Haliti nuk i shërbente më Sigurimit të Shtetit. Kjo për arsye, se ai kishte vite që jetonte në Zelandën e Re dhe nuk ishte aktivizuar më, nga Zbulimi Shqiptar. Ka pasur dhe raste të tjera, nga agjentët e Zbulimit Shqiptar, që kanë bërë lojë të dyfishtë. Pra, që kanë pranuar të dalin jashtë, me mision dhe më pas nuk kanë punuar më për llogari të Sigurimit, jo duke u larguar fare hapur, por duke dhënë informacione pa asnjë lloj vlere. Në takimin që Sabaudini ka pasur me Halitin, ai është treguar plotësisht i gatshëm, për të ardhur në Shqipëri, si pjesëtar i bandës së tij. Duke u nisur nga këto, Sabaudini ka menduar se Haliti nuk do ta tradhtonte, pasi ai e kishte pasur shok fëmijërie dhe ata ishin arratisur bashkë, që në vitin 1950. Por edhe pse Sabaudini pranoi që ta merrte Halitin në grupin e tij, ai kishte shumë dyshime për të dhe për shokun e tij, personin e katërt, që u stërvit bashkë me ta.

Cili ishte ky person dhe pse nuk erdhi ai në Shqipëri me “bandën Xhevdet Mustafa”?

Edhe personi i katërt ka jetuar prej vitesh në Zelandën e Re, ku ishte dërguar me mision nga Sigurimi i Shtetit. Këtë person Sabudinit, i’a prezantoi Halit Bajrami gjatë udhëtimit që ai bëri në Zelandën e Re, pasi nuk e njihte dhe Sabaudini, pranoi ta merrte me vete. Pasi Fadili u stërvit bashkë me bandën për disa kohë, në disa shtete të Europës, në momentet e fundit, kur ata të katërt kishin ardhur në Itali dhe do të imbarkoheshin, në motoskafin që do të lundronte drejt brigjeve shqiptare, Fadili u bë i sëmurë dhe u tha atyre, se do të shkonte në një farmaci për të blerë disa ilaçe. Sabaudini, e lejoi që të shkonte, pasi nuk i’a mori mendja, se ai nuk do të kthehej më. Fadili pasi u largua nga banda, shkoi në stacionin e trenit të Firences, ku rastësisht takoi një shqiptar antikomunist, të quajtur Eqerem Maçi, me origjinë tiranas. Pasi u takua me Eqeremin, i kërkoi atij 1500 $ hua, duke i thënë se: i kishte humbur portofoli dhe ato do t’ia kthente menjëherë, sapo të shkonte në Zelandë. Duke qenë mik i ngushtë i Sabaudinit, Eqeremi i’a dha dollarët dhe ai u largua drejt për në Zelandë. Pas tri ditësh ai e mori në telefon Eqeremin, duke i thënë se ia kishte postuar dollarët në Itali. Eqeremi, që e kishte mësuar dështimin e misionit të bandës dhe vrasjen e Sabaudinit e të Xhevdetit, i tha në telefon: “Mos ta shoh bojën më dhe nuk i dua fare paratë, sepse ju e tradhtuat Sabaudinin në Shqipëri”.

Nga i dini ju këto?

Këtë gjë na e ka dëshmuar vetë Eqerem Maçi, në një letër që ai i ka dërguar pas viteve ’90 nga Italia, djalit të Sabaudinit, Skënderit.

Po pas largimit të Fadilit, a dyshoi Sabaudini dhe përse e vazhdoi ai misionin?

Pas ikjes së tij, patjetër që Sabaudini ngjalli dyshime, por ai nuk mund të mos e vazhdonte misionin që kishte marrë përsipër, sepse atë nuk i’a lejonte karakteri i tij dhe ai i kishte dalë për zot atij misioni. Por ngaqë Sabaudini dyshoi nga largimin i Fadilit, ai e ndërroi edhe itinerarin dhe vendin e zbarkimit të grupit. Ishte kjo arsyeja që “banda” mundi të zbarkonte në bregdetin e Divjakës, pa u kuptuar fare nga forcat speciale të Ministrisë së Brendshme, të cilat kishin rreth gjashtë muaj, që bënin shërbim të rregullt në bregdet, në pritje të saj.

Po Haliti a kishte dijeni mbi vendin e zbarkimit të bandës?

Haliti kishte dijeni për vendin ku ata do të zbarkonin dhe ai kishte njoftuar Sigurimin e Shtetit për këtë, por kur ata hipën në motoskaf dhe Sabaudini e ndërroi itinerarin e lundrimit, ai s’kish si ta njoftonte më Sigurimin, sepse ishte nën kontrollin e plotë të Sabaudinit e të Xhevdetit. Pra, në varkë, Haliti nuk kishte si të shkëputej dhe të njoftonte në radio, Sigurimin për vendin e zbarkimit. Haliti e ka pranuar vetë në dëshminë e tij, duke thënë se ai si Halit, e kishte bërë detyrën e tij dhe kishte informuar Sigurimin, nga hotelet e Parisit dhe Brukselit, ku ata shkuan për të blerë armë.

Çfarë dini lidhur me asgjësimin e “bandës”, pas zbarkimit në bregdetin shqiptar?

Pasi “banda” zbarkoi në bregdetin e Divjakës, rreth mesnatës, deri sa ka zbardhur dita, ata kanë qëndruar në një qendër zjarri, me të cilat siç dihet ishte mbushur plot bregdeti. Kur kanë dalë nga bunkeri, kanë parë një oficer policie (më duket se ishte zv/shefi i Policisë së Lushnjes) dhe duke kujtuar se ai po shkonte për t’i vrarë, e kanë qëlluar dhe ai ka mbetur i vdekur në vend, aty në bregdet. Më pas ata janë nisur për të dalë në rrugën nacionale dhe për të udhëtuar për në Tiranë. Rrugës, Xhevdeti ka eliminuar dy-tre persona që i kanë dalë përpara, duke menduar se po ndiqeshin dhe njërin prej tyre, një polic të quajtur Sokrat, e ka marrë peng, duke i’a ngarkuar çantat, që kishin me vete. Ndërsa Sokrati ka mbajtur çantat me rroba e pajisjet e tjera që ata kishin, çantën me armë, Sabudini ia ka lënë Halitit. Gjatë gjithë kohës, deri sa ata kanë dalë në rrugën nacionale, Sabaudini me Xhevdetin, kanë ecur përpara, ndërsa Haliti, që kishte çantën me armë, ka ecur prapa tyre, për të mos u kuptuar. Por, siç duket, Haliti nuk ka pasur urdhër që t’i vriste ata, sepse nuk duhej të dekonspirohej qenia e tij, si agjent i Sigurimit Shqiptar.

Si u zbulua “banda”?

Pasi ata të tre dolën në rrugën nacionale, te stacioni i trenit në Rrogozhinë, Halit Bajrami nuk i ka ndjekur më nga pas, por është futur në një berberhane dhe aty ka thënë: “Kapni ata të dy, se janë diversantë”. Sabaudini me Xhevdetin, kur e kanë parë se Haliti, nuk ishte më pas tyre (sipas urdhrit që i kishin dhënë), e kanë kuptuar se ai i ka tradhtuar dhe janë shpërndarë. Xhevdeti ,ka marrë me forcën e armës, një makinë dhe ka ikur në drejtim të fshatit Zhamë të Lushnjës, (ndoshta me qëllim për t’u kthyer përsëri andej nga kishin ardhur), ndërsa Sabudini, është futur te një bunker aty pranë.

A ishin të armatosur Sabaudini me Xhevdetin?

Në momentin që ata janë ndarë, kanë pasur me vete, vetëm nga një pistoletë, sepse armët automatike i kishte Halit Bajrami.

Në ç’rrethana mbeti i vrarë Sabudini?

Sabaudini u rrethua nga forcat vullnetare dhe ato të policisë, në bunkerin ku ishte futur dhe aty e kanë qëlluar me breshëri të shumta, duke i bërë thirrje që të dorëzohej. Ai nuk ka qëlluar asnjëherë në drejtim të tyre, por në një moment, u ka thënë: “Mos luftoni kundër meje, por hajdeni t’i bashkojmë armët dhe të shkojmë në Tiranë e të vrasim Enver Hoxhën”. Pas kësaj, ai është qëlluar përsëri dhe për të mos rënë i gjallë, në duart e tyre, ka vrarë veten, duke e qëlluar me një plumb në kokë. Kështu është e vërteta e vrasjes së tij dhe jo ashtu siç kanë thënë se e vrau një pushkatar i forcave vullnetare. Kjo gjë duket qartë edhe nga fotot e ekspertizës kriminalistike të Ministrisë së Brendshme. Ndërsa Sabaudini, është vrarë aty rreth orës 11.00, Xhevdeti, u vra pasdite, në shtëpinë ku u fut, në fshatin Zhamë.

Pas asaj ngjarje, a ju kanë marrë ju njerëzit e Sigurimit të Shtetit, për t’ju çuar për verifikimin e kufomave të Sabaudinit e të Xhevdetit?

As nuk na ka thënë njeri për këtë gjë, sepse Sigurimi e dinte mirë, që prej një viti ardhjen e tyre dhe kush ishin ata, e nuk kishte nevojë të verifikonte kufomat.

Po gjatë internimit, si ju kanë trajtuar dhe a patët probleme?

Nga data 27 shtator 1982 e deri në fundin e vitit 1990, kur u kthyem të gjithë në Durrës, ne kemi vuajtur ashtu siç vuanin të gjithë të internuarit në Shqipëri. Ne nuk na linin të lëviznim nga vendi i internimit, pa leje të Degës së Brendshme dhe për herë të pare, të pesë vëllezërit, u bëmë bashkë në vitin 1985, kur na vdiq nëna, në fshatin Grabovë të Gramshit. Aty na njoftuan se ishte marrë vendim, që nëna jonë, nuk duhej varrosur në varrezat e fshatit dhe vëllai i vogël, Qerimi, që jetonte me nënën, hapi një gropë buzë një rruge, afër një guri të madh, me qëllim që të mos na humbte fare dhe aty e varrosëm, vetëm ne vëllezërit.

A i keni kërkuar dhe a i keni gjetur eshtrat e Sabaudinit?

Pas viteve ’90-të unë jam marrë personalisht me kërkimet për gjetjen e eshtrave të Sabudinit. Pasi u interesuam në Ministrinë e Punëve të Brendshme, me ndihmën e pakursyer të ish-ministrit Bashkim Kopliku, ne gjetëm proces-verbalin me emrat e tre personave, që kishin kryer groposjen e tyre në Linzë.

A kontaktuat me ta?

Ne arritëm që të takoheshim me njërin prej tyre, që në atë kohë ishte i dënuar, për krime kundër njerëzimit. Kur i thamë atij se donim ndihmë për gjetjen e eshtrave të Sabaudin Haznedarit dhe Xhevdet Mustafës, ai na tha: “Po si kërkoni eshtrat e Xhevdet Mustafës, kur ai ka vrarë pesë veta?”

Si u përgjigjët ju?

Unë i’u përgjigja, duke i thënë se: ‘Xhevdeti, nuk kishte ardhur i ftuar në dasmë këtu’, por ai na lodhi dhe nuk na e tregoi vendin, ku ishin varrosur, duke u justifikuar, se: ai me dy kolegët e tij e kishin gjetur gropën të hapur dhe nuk e mbante mend vend-varrimin”.

Po me Halit Bajramin dhe personin tjetër Fadilin a keni kontaktuar dot pas viteve ’90-të?

Pas viteve ’90 në Durrës u kthyen një nga një, disa nga agjentët e Zbulimit Shqiptar, që kishin qenë me mision për vite me radhë, jashtë Shqipërisë dhe kishin banuar në Zelandën e Re. Unë kontaktova me ta dhe njëri prej tyre ma mori përsipër, që t’i çonte Halit Bajramit në Zelandë, një letër që kisha shkruar unë.

Çfarë i kishit shkruar Halitit në atë letër?

I kam shkruar tekstualisht: “Halit, do të më përgjigjesh për atë që ke bërë”.

Je i bindur se e ka marrë atë letër Halit Bajrami?

Patjetër që e ka marrë, sepse pas saj, ai nuk erdhi më dot në Shqipëri! /Memorie.al

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb