Nga Aleksandër Ndoja
Pjesa e parë
– Një rrëfim i pa zakontë nga Mihal Pumo, për jetën e tij në Mirditë, pasi u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, nëna e tij, Nina Pumo, profesoreshë e Universitetit të Tiranës…! –

Ka qenë shtatori i vitit 1977, kur nisa klasën e pestë në qytetin e Rrëshenit. Kishim mësuese kujdestare, Jolanda Bajramin, mësuese e gjuhës dhe letërsisë. Nxënësit shumica ishin vendas, nga qyteti dhe fshatrat përrreth ku ,nuk kishte shkolla 8-vjeçare. Por një pjesë e nxënësve nga qyteti, vinin nga zona të tjera të vendit, prindërit e të cilëve kishin ardhur me punë të ndryshme në Rrëshen, si mjekë, agronomë, inxhinierë, mësues, policë etj. Në klasën time ndodheshin edhe dy djem të cilët, njërin nga prindërit e kishin me kombësi të huaj, por që rregjimi komunist, i kishte shpallur “armiq të popullit” dhe i kishte arrestuar. Ata ishin shokët e mij të klasës, Mihal Pumo me nënën ruse, dhe Orest Kalaj, me babain me kombësi greke. Të dy ishin jetimë, me prindër gjallë, por në burg!

Në mendje më mbeti Mihali, të cilin e kujtoj si sot, një djalë i imët, i urtë i cili mësonte jashtëzakonisht mirë. Ishim të vegjël dhe nuk e dinim çfarë ishte vuajtja apo persekutimi. Nëse këtë e konstatonim, mendonim se ishte normale, pasi kaq dinim. Askush nga ne bashkëmoshatarët e tij nuk e dinim se, përtej asaj palltos ngjyrë të errët me shirita të imët si punë kadife, mbulohej një njeri që vuajtja dhe terrorizimi ekstrem i kishte filluar në moshën 8 vjeçare, kur një grup oficerësh të Sigurimit të Shtetit, i kishin hyrë në shtëpi, atje në “Tiranë të Re” dhe i kishin prishur gjumin fëminor, duke i përmbysur shtëpinë për kontroll. Më parë i kishin arrestuar nënën e tij, Nina Pumo, profesoreshë në Universitetin e Shtetëror të Tiranës.

I vetmi faj i Mihalit që, të vuante dy internime dhe të rritej pa nënë, ishte një “mëkat” i prindërve të tij Muntazit dhe Ninës, të dy studentë të universitetit Plekhanov në ish-Bashkimin Sovjetik, në atë mbrëmje vallëzimi, ku i riu student Muntaz Pumo, ishte dërguar nga shteti shqiptar për të studiuar. Ishte ajo mbrëmje që lidhi një besë mes dy të rinjve të kombësive të ndryshme.

Besë që nuk u thye përmes një kalvari të paimagjinueshëm me pikënisje vitin 1958, e që për pak ditë kurorëzon 60 vite. E ndërsa Mihali është prej vitesh në Moskë pranë familjes së ribashkuar, kujton me detaje çfarë ndodhi atë mëngjes të trishtë të vitit 1978, në banesën në “Tiranë e Re”, e deri në fillim viteve 90-të, kur regjimet komuniste morën tatëpjetën, e kur liria sapo kishte trokitur.

Në një intervistë ekskluzive, Mihal Pumo, rrëfen detaje të padëgjuara më parë për jetën në Mirditë, për dy internime radhazi që kulmuan me largimin në Moskë, ndërsa tre vite më pare, kishte shkuar Nina me djalin e madh, pas më shumë se 11 vitesh burg, në kalvarin komunist shqiptar.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Intervista me Mihal Pumon

Mihal, ke qenë 8 vjeç në atë vit të mbrapshtë për familjen tuaj, kur u arrestua nëna jote Nina Pumo. Si e kujtoni atë çast?

Më është fiksuar thellë në mendje që kur isha fëmijë…! Ishte mëngjesi herët i datës 17 tetor 1975, ditë e premte dhe binte një shi i rrëmbyeshëm. Isha duke fjetur, kur herët në mëngjes, më zgjoi vajza e xhaxhait të cilën, e kishin thirrur…!

Mamaja në atë kohë ishte pedagoge në universitetin e Tiranës, ku jepte leksione të gjuhës ruse.

Shtëpia ishte plotë me oficerë dhe njerëz të Sigurimit të Shtetit, të cilët, e kishin përmbysur duke bërë kontroll. I shokuar, si fëmije që isha, pyeta kushërirën, ku ishte mamaja?! Ajo, për të mos u traumatizuar unë, m’u përgjigj se, mamaja ishte ne universitet dhe se njerëzit e panjohur për mua, ishin gjoja kolegët e mamasë të cilët po kërkonin një libër…!

Por unë, me naivitetin e një fëmije, u thashë se, pse nuk pyetën mamanë se ku ishte ai libër, por përmbysen gjithë shtëpinë?! Njeri prej tyre, më beri një pyetje idiote, nëse dija të flisja rusisht…! Unë nuk ju përgjigja, se nuk dija fare! Ndjeja se diçka e keqe po ndodhte…! Pastaj kushërira, më çoi në shtëpinë e xhaxhait tim, ku më thanë se, mamaja ishte sëmurë dhe e kanë shtruar ne spital…!

Unë u trondita akoma më shumë. Edhe sot e kam të vështirë të përshkruaj gjithçka që ndjeja atëherë…! Pas shumë vitesh, mamaja do më tregonte ngjarjet e asaj dite, të para prej saj…!

Pasi e arrestuan në universitet, rrugës për në burgun e Tiranës, (Reparti 313), me automjet “Gaz” të Sigurimit, kaluan pranë shtëpisë sonë në Tirane të Re, ku në atë moment, unë flija paqësisht…! Një nga ata të Sigurimit, i tha mamasë: – “Shikoje për herë të fundit shtëpinë tënde”! Atëherë ajo, as që mund ta imagjinonte që, do të kthehej pranë familjes së saj, pas më shumë se 11 vjetësh….!

Po babaj juaj, ku ndodhej në atë kohë?
abanë në atë kohë e kishin hequr nga Ministria e Tregtisë dhe i kishin çuar me punë në Rrëshen, si merceolog në Tregti. Ne, si shumë familje në atë kohë, nuk kishim telefon në shtëpi. Babai gjatë javës, merrte në telefon te komshija jonë, çdo ditë dhe kështu flisnim me të. Atë ditë të zezë për ne, ai mori disa herë në telefon por, nuk i’u përgjigj askush…!

Ai e kuptoi që kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Për prindërit nuk ishte e papritur, sepse prej muajsh, që të dy ata, ndiqeshin e survejoheshin nga Sigurimi i Shtetit. Ai erdhi në ora 2 të natës në Tiranë, me makina rasti…! Unë po flija por, e dëgjova që u hap dera te xhaxhai, babai më përqafoi fort dhe filloi të qante me ngashërim, po ashtu dhe unë…! Edhe tani më përloten sytë, kur kujtoj atë skenë.

Pas sa muajsh ju internuan në Rrëshen, a e kujtoni si ju transferuan, me çfarë mjeti i sollët plaçkat?

Kaloi pak më shumë se një muaj kur na dëbuan nga Tirana. Për ironi të fatit, në një dokument të marrë në Arkivin e Ministrisë e Punëve të Brendshme, thuhet që; unë, Mihal Muntaz Pumo, jam dëbuar nga Tirana për, veprimtari armiqësore….! Imagjinoni tani çfarë veprimtarie armiqësore, mund të kryejë një fëmije 8 vjeç…?!

Unë dhe disa ditë pas arrestimit të mamasë, nuk e dija këtë gjë. Vazhdonin të më thoshin që, është në spital dhe se atje gjoja nuk lejohej të shkoje. Por një ditë prej ditësh, një prej shokëve, në oborr, më pyeti: – “Pse e kanë futur në burg mamanë tënde”? – Unë nuk thashë asgjë, por ika me vrap në shtëpi ku, ishte gjyshja ime – që nuk diti e shkreta çfarë të më thoshte, kur i tregova ç’më thanë dhe qante bashke me mua…!

Mbaj mend gjithashtu një ditë tjetër, kur ishim akoma në Tiranë dhe erdhi të më merrte në pyetje, hetuesja e mamasë, një farë Dolores…! (Velaj). Asaj i thashë ndër të tjera, se: sa keq që rusët nuk e dinë që më kanë burgosur mamanë, se do te binin tanket këtu, si në Çekosllovaki…! Unë isha vetëm 8 vjeç, askush nuk më kishte mësuar te flisja kështu, por unë kërkoja veçse shpëtim…! Ndërsa hetuesja, i tha mamasë – “Sa mirë qe e ke mësuar fëminë…”!

Pastaj na dëbuan nga Tirana me vendim nga lart. Unë atë mbrëmje nëntori kur, ngarkonin plaçkat në një kamion “Zis’ të mbuluar, isha sëmurë me anginë dhe me temperaturë 40 gradë. Pavarësisht nga kjo, na detyruan të iknim atë natë. Kështu lamë apartamentin tonë në Tiranë të Re, që sot është Kafe “Sofi” në Sheshin “Willson”.

Ku u punësua babai juaj, Muntazi, në Rrëshen?
Siç e thashë edhe më sipër, fillimisht ishte merceolog në Tregti, por pas arrestimit të mamasë, e bënë llogaritar të thjeshtë, pavarësisht nga diploma e marrë në ish-Bashkimin Sovjetik, (ku ishte dërguar nga shteti shqiptar) dhe specializimi që kishte. Madje, ishte autori i një libri për Merceologjinë që, mësonin studentët. Por kjo gjë, nuk i duhej më askujt në atë kohë.

Si i mbanit kontaktet me mamanë tuaj Ninën, kur ajo ishte në burg dhe kur e mbaroi ajo dënimin e u lirua nga burgu?
Mamaja u dënua me 14 vjet burg, me akuzën: “agjitacion dhe propagandë ndaj pushtetit popullor e, tradhti ndaj atdheut”! (Lind pyetja, atdheut te kujt…?!) Nuk dua tani të kujtoj gjithë kalvarin e tragjikomedisë së gjyqit ndaj saj. Ndërsa e detyruan, të pranojë që të firmoste se ishte spiune, duke e kërcënuar se do i vrisnin burrin dhe do t’i çonin djemtë në jetimore.

Kur mamaja pyeste hetuesen: “Po çfarë të tregoj si spiune”? – hetuesja i përgjigjej: “Ke parë filma me spiunë? Trego si për ata…”! Gjatë hetuesisë, gjithashtu i thanë mamasë që, burri do të divorcojë dhe fëmijët nuk i sheh më…! Ishte koha kur, mamaja akoma rezistonte, duke mos firmosur. Me në fund, u detyrua të firmoste, por vetëm pasi të shikonte djemtë e saj.

Ne u habitëm që pas më tepër se gjysmë viti nga arrestimi, na dhanë një leje takim, për mua dhe vëllanë. Gjatë atij takimi, pothuajse gjithë kohës, mamaja vetëm qante…! Siç do me thoshte pas shumë vitesh, mamaja – unë i kam shpëtuar jetën! Në momentin kur e përqafova, i thashë rusisht që, ne të duam shumë. Edhe babai por, atë nuk e lanë dhe po pret pas derës…! Këto fjalë, siç më tha mamaja, i dhanë forcën për të mbijetuar për ne, sepse para këtij takimi, nuk donte të jetonte…!

Si mund të jetonit pa asnjë grua në shtëpi, pra si i përballonte babai juaj punët e shtëpisë, me dy djem të vegjël?!
Babait i detyrohemi jashtëzakonisht shumë, si unë, ashtu edhe im vëlla. Ai ishte për ne edhe nënë edhe baba. Na lante, na vishte, na ushqente, na edukonte. Gjate gjithë këtyre viteve të tmerrshme, nuk mori asnjë qindarke borxh nga askush, pavarësisht se nganjëherë, nuk arrinin lekët, as për bukë me çaj. Sa ishte gjyshja gjallë, ajo na ndihmoi shumë, por pas disa vitesh, vdiq.

Ne u rritëm me sakrifica të mëdha, por me dashuri të jashtëzakonshme për njeri-tjetrin. Fatkeqësisht, babai vuante nga zemra, tensioni i lartë i gjakut, dhe nga veshkat (ka vetëm një veshkë). Pavarësisht nga të gjitha rrethanat, mbijetuam! Unë isha i vogël nuk dija si të ndihmoja babanë sadopak, (nga sëmundjet), dhe kisha shumë frikë të humbisja edhe atë…! Unë veja mirë me mësime dhe detyrat e shtëpisë i kryeja lehtësisht.

Disa shokë nga fshati, e kishin më të vështirë, dhe ndoshta fizikisht kishin një jetë akoma më të vështirë se ne. Dikush më kërkoi që t’i bëja detyrat e shtëpisë, duke me premtuar diçka nga kopshti i fshatit të vet. Unë i kërkova hudhra, sepse e dija që ajo ul tensionin. Kështu për ca kohë, i sillja babait në shtëpi hudhra, për ta shëruar…!

A ju ndihmonte njeri, si ju trajtonin komshinjtë te pallati me tulla të bardha në krye të qytetit? A keni njeri për të falënderuar?
Nuk na ndihmoi absolutisht askush, një pjesë e komshinjve na salutonin (në fillim na dhanë apartament te pallati që quhej i oficerëve), ca të tjerë nuk përshëndeteshin, ndoshta kishin frikë.

Babai gjithmonë na mësonte të, mos e vinim re, se njerëzit e thjeshtë, nuk kanë faj. Mua me ka ndodhur kur isha 9 vjeç, kur një djalë, (komshi i yni), më tha që babai i tij e ndalonte atë të luante me mua në oborr, sepse unë isha djali i një spiuneje dhe armik.

Qysh në atë moshë, unë iu përgjigja – se; të kuptoj, për mua ti ngelesh shok i mirë…! Pallati me tulla të bardha – ishte vendi i ri ku, na detyruan me forcë të shpërnguleshim pas disa vitesh, duke na marrë apartamentin dy dhoma e kuzhinë, për të na dhënë, një dhomë më pak…!

Së për të falënderuar… nuk dua të flas në veçanti… do të them këtë – pavarësisht nga gjithçka, do të thosha fjalët më të mira për Mirditën dhe mirditorët. Kuptohet që në atë kohë, kishte shumë fuksa, siç u thoshim ne, spiunëve të Sigurimit.

Por unë e kam fjalën për njerëzit e thjeshtë, për djemtë që luanim në oborr, për shumicën e mësuesve dhe shokëve të shkollës. Mirditorët, janë popull i mrekullueshëm, të zgjuar, bujarë, më saktë për ta, ka thënë vete Fan Noli. Pra si unë dhe familja ime, ka shumë respekt për Mirditën dhe mirditorët.

Në ato kohë, ne gjithsesi e kuptonin që, shumicës u vinte keq për ne dhe kaq, apo thjesht një salutim, ishte i mjaftueshëm për ne, për të qenë mirënjohës. Gjithashtu, i jemi mirënjohës hallës sime në Tiranë dhe familjes së saj, që na hapën derën për 11 vjet. Ne nuk mund të ktheheshim brenda ditës në Rrëshen dhe ishim të detyruar te ndalonim natën në Tiranë.

Ne shkonim çdo muaj tek mamaja në kampin e Kosovës në Dumre. Bënim pothuajse 15-16 orë rrugë me autobuza, trena dhe tre orë me këmbë, vajtje – ardhje, nëpër ara me baltë apo me diell përvëlues, 40 e kusur gradë, për të patur një takim vetëm për 15 minuta me mamanë…! Dhe kjo, për 11 vjet rresht. Gjysma e rrogës së babait, ikte për rrugën dhe ato pak ushqime që i çonim.

Gjendja ekonomike e jona, ishte me të vërtetë tepër e rëndë por, askush prej nesh nuk u ankua kurrë. Ndërsa mamaja me miellin dhe sheqerin që i çonim te burgu, na bënte biskota dhe na i jepte neve mbrapsht, në takimin e ardhshëm…! Kështu sakrifikoheshim për njeri-tjetrin. Ndoshta për të gjitha këto vuajtje, jeta na dha një tjetër shans më vonë…!

Kur u lirua nga burgu nëna juaj unë e mbaj mend, shoqëruar me vëllain tënd, Ilirin, që dilnin në qytet. Sa kohë qëndroi me ju, pasi dihet, ajo u largua për Moskë?

Mamanë e liruan me amnisti pasi, bëri 11 vjet dhe tre muaj burg. Pas një viti e ca, prindërit vendosën të përpiqen për të shpëtuar jetën tonë, timen dhe të vëllait, duke vetësakrifikuar babanë…! Vendosëm që mamaja të bënte kërkesë, për riatdhesim në Bashkimin Sovjetik, së bashku me dy djemtë. Lejuan vetëm mamanë me vëllanë, Ilirin.

Kjo ishte një tragjedi e dytë për mamanë, por babai insistoi duke i thënë: “Shpëto të paktën njërin prej djemve…”! Në ato kohë, fundi i 1987-ës, vështirë se dikush mund të imagjinonte… se, pas tre vjetësh, do të vinte fundi i atij regjimi…! Babai gjithsesi më thoshte, kur mbetëm të dy, – “Ti je i ri dhe një ditë, do bashkohesh me ta patjetër”, kurse për veten, nuk kishte shpresë.

Ndaj nesh filluan sërish përndjekjet nga Sigurimi i Shtetit. Më ndiqnin, si mua dhe babanë. Por tashmë isha “kalitur” me vuajtje dhe nuk më bënte shumë përshtypje. Madje, shpesh tallesha me ta në Tiranë. Ata me ndiqnin, unë i hipja autobusit të Unazës, ata nga mbrapa, me automjet “Aro”, por i çmendja se, bëja një 3-4 xhiro rreth Unazës. Nganjëherë u ikja me vrap, si nëpër filma, te rrugicat e “21 Dhjetorit”.

Unë i ikja “bishtit tim”, por kur takoheshim me babanë, vinin “kalecat” e tjerë që ndiqnin atë. Pas pak kohësh, unë përsërita kërkesën për, t’u bashkuar me mamanë, dhe jo vetëm që më refuzuan por, më çuan ushtar, dhe më tej, pas një muaji e gjysëm, më internuan se bashku me babanë. Besoj se kemi qenë nga familjet e fundit që, u internuam në Shqipëri.

Gjatë kohës që mamaja juaj ishte në Moskë, si i mbanit kontaktet me të dhe vëllain Ilirin?

Kontaktet i mbanim vetëm nëpërmjet letrave që dërgonim por, jo të gjitha arrinin në destiancion. Mund të kalonte ndonjë letër, sigurisht e censuruar, një herë në 3-4 muaj…! Për ne, ky ishte gëzim i jashtëzakonshëm. Mamaja, mundohej të na ndihmonte me të gjitha mënyrat. Na dërgonte pako me rroba – por jo gjithmonë i lejonin. Vinin xhinse, bluza sportive, çorape, atletike…, por ishim te detyruar t’i shisnim që, të kishim me se te jetonim.

Unë në atë kohë, para internimit të dytë në fshatin Përlat, kam punuar si xhenerik, në Parkun Automobilistik të Mallrave në Rrëshen. Duhet të them se, kam pasur shumë shokë të mirë atje. Jo të gjithë atje e kishim biografinë e mirë, prandaj atje edhe u adoptova shpejt.

Ju u internuat edhe nga Rrësheni, për në Përlat. Ku u vendosët ju atje, në çfarë banese dhe ju e babai, Muntazi, ku u sistemuan me punë?

Siç e përmenda më sipër, kur më çuan ushtar xhenjo, në Vlorë (në Çolaj) unë kisha bërë më parë kërkesën për të ikur në Bashkimin Sovjetik, kur mua më njoftuan se jam liruar nga ushtria, vetëm një muaj e gjysem më pas. Unë mendova se m’u aprovua kërkesa për t’u larguar në Bashkimin Sovjetik, por kaluan disa ditë dhe mua s’po më lëviznin…! Atëhere vendosa të arratisesha nga reparti vetë. Unë kisha mbrapa një njeri që ma kishin vënë si spiun, por me dredhi, arrita të hidhesha në tren, në vagonin e mallrave, pa më parë ai. Isha pa kapotë, pa kapele dhe rrip, ndonëse ishte dimër!

Pasi hipët në tren, çfarë ndodhi me ju, u diktuan?

Policia dha alarmin dhe mua filluan të më kërkonin. Me njëqind peripecira, duke ndërruar trenin në Vorë, arrita më pas në Milot. Atje ishte një polic nga Rrësheni që po më priste. Ai u habit, si arrita unë të vija deri atje…! Shkuam në Degën e Punëve të Brendshme, sapo mbërritëm në Rrëshen. Aty mësova se, në vend të lejes së pritshme, për t’u larguar për në Bashkimin Sovjetik, më komunikuan internimin për, në Përlat të Epër.

Si reaguat në atë moment, kur ju komunikua internimi i dytë?

Për mua sikur u përmbys gjithë bota në atë moment. Ishte shkurti i vitit 1989! Në Europën Lindore po përmbyseshin regjimet totalitare dhe komuniste, ndërsa këtu, kishte sërish internime…! Në këtë kohë, babait i kishin thënë që; djalin do ta arrestojmë dhe nuk do ta shohësh më të gjallë…! Kur e pashë serish tek pragu i portës, e kuptova se ne nuk do na mposhti më askush, asnjëherë.

Për të na çuar në Përlat të Epër, zgjodhën një ditë shiu të rrëmbyer dhe na sollën tek dera një kamion të hapur “Skoda”. Komshinjtë shikonin nga dritaret…! Gjithë plaçkat e shtëpisë, i ngarkova unë në kamion, i vetëm nën shi. Babai vuante prej veshkave dhe nuk mbante dot pesha të rënda. Askush fare nuk erdhi të ndihmonte. Kishin frikë të gjithë. Vetëm për sobën që, peshonte mbi 100 kg., me ndihmoi shoferi.

Ne Përlat të Epër na dhanë një apartament në katin e parë të pallatit të minierës. Aty, gjatë periudhës së internimit, unë dhe babai paraqiteshim tre herë në ditë, për të firmosur, diku te zyrat e kooperativës. Në çdo lloj kohe, shi, breshër, apo borë, duhet të ishim atje, ndryshe përfundonim në burg. Një natë, rrezikova shumë, se shkova për dru në mal dhe humba rrugën e kthimit…!

Por fati, duke u gdhirë, dëgjova zhurmë makine larg. Pas një ore dola në xhade dhe arrita të kthehesha. Punë në internim, si unë dhe babai, nuk kishim. Nevoja më kishte bërë zanatçi. Me një zdrukth dhe dërrasa e komardare makinash, bëra një divan, por divanin tim, u detyruam t’a shisnim, për të jetuar..! /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb