Publikohet historia e panjohur e Jetullah Gashit me origjinë nga katundi Mramor i Prishtinës, i cili në vitin 1964, kur ishte gjimnazist vendosi që të arratisej dhe kaloi kufirin shtetëror në zonën e fshatit Zogaj të rrethit të Tropojës, ku pasi e mbajtën disa ditë duke e marrë në pyetje në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit “Bajram Curri”, e sollën në qytezën e Shijakut, duke e sistemuar në një bazë të Sigurimit të Shtetit, e cila quhej “Qëndra e filtrimit e emigrantëve kosovarë”, që arratiseshin nga Jugosllavia dhe vinin në Shqipëri, ku për disa muaj ai i’u nënshtrua hetuesisë intensive nga ana e oficerëve të Sigurimit të Shtetit që vinin nga Ministria e Punëve të Brendëshme dhe që mbulonin “emigracionin kosovar”.

Dërgimi i tij në rrethin e Korçës ku mbaroi shkollën e mesme në qytezën e Maliqit dhe më pas në Tiranë, ku ai ndoqi studimet e larta universitare në fakultetin e Mjeksisë, të cilat ai i përfundoi në vitin 1971 dhe u emërua në Elbasan si mjek pranë spitalit të atij qyteti. Arrestimi i tij në vitin 1977 pas disa kohësh survejimi dhe ndjekje nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, “si agjent i UDB-së”, ku pas disa muajsh tortura ç’njerzore, u dënua me 25 vite burg politik, të cilat i vuajti në kampet e Spaçit, Qafë-Barit, Burrelit etj., xhesti i jashtëzakonshëm i Jetullah Gashit kur vuante dënimin, duke dorëzuar bluzën e bardhë të mjekut e hyri të pununte me turne në galerinë e Spaçit, nga ku dhe ai u lirua në fillimin e vitit 1991, me shëmbjen e regjimit komunist.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Ishte data 30 gusht e vitit 1964, kur unë pasi preva biletën e trenit nga Prishtina për në Shkup (ku ponoja me babën), gjatë gjithë rrugës, vetëm mendoja se si do të arrija në Shqipëri, gjë që kishte kaq ditë që e bluaja në kokë. Unë në atë kohë nuk kisha asnjë lloj informacioni për kufirin shtetëror, Jugosllavi – Shqipëri dhe nisur nga ky fakt, vajta në stacionin e autobuzit në Shkup, ku preva biletën e autobuzit për në Gjakovë dhe aty mbrrita në orët e vona të natës. Zbrita nga autobuzi dhe nuk dija nga të shkoja, pasi s’kisha qenë asnjë herë në Gjakovë. Kam bërë gjithë përpjekjet për të shmangur njerëzit dhe mora rrugën që kishte më pak qarkullim. Në fund të kësaj rruge, pashë një furrë buke, e bleva disa simite dhe vazhdova të njëjtën drejtim rruge në errësirën e natës. Në krahun e djathtë të rrugës, pashë një gardh, të cilin e kalova dhe hyra brenda në kopësht. Vendosa të flija aty. Afër rrethimit, gjeta një vend të sigurtë që më mbronte, pasi herë pas here kishte të lehura qenësh, por pas pak kohësh ata pushuan. I lodhur më kishte zënë gjumi. U zgjova në mëngjes, pasi shikova rreth e qark vëndin, u ngrita kapërceva gardhin e dola përsëri në rrugë. Kushëriri im Kadriu, më kishte thënë që kufiri për në Shqipëri, kalon nga majat e disa kodrave të ç’veshura”. Kështu e kujton 75 vjeçari Jetullah Gashi nga Kosova, momentin e arratisjes nga Jugosllavia në Shqipëri, ku ai pasi u diplomua në fakultetin e Mjeksisë në Tiranë dhe shërbeu disa vite si mjek në spitalin e qytetit të Elbasanit, në prillin e vitit 1977, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, duke u akuzuar si “agjent i UDB-së” dhe u dënua me 25 vjet burg. Torturat gjatë hetuesisë dhe dënimi me 25 vite burg, kalvari i gjatë në kampe dhe burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës deri në fillimin e vitit 1991, duke u liruar me të dënuarit e fundit që dolën nga “ferri komunist”, largimi për në Zvicër tek të afërmit e tij, kthimi në Shqipëri dhe largimi përfundimisht për në Kosovë, ku jeton dhe sot me familjen e tij. Lidhur me këto dhe ngjarje e fakte të tjera nga jeta e tij e dhimbëshme, mjeku Jetullah Gashi, i dëshmon ekskluzvisht për Memorie.al.

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Jetullah, po gjyqi juaj kur u zhvillua dhe si e kujtoni?

Me datën 12 qershor të vitit 1978, më morrën nga biruca e tmershme e më çuan në gjykatë. U tmerrova kur pashë aty në gjykatë, Flutura Bajramin me tre shoqet e saj! Si ka mundësi thashë me vete, gjatë gjithë hetuesisë intensive, që bënë tre hetuesit, vetëm dy – tre here ka asistuar Kryetari i Degës së Punëve të Brendëshme, Gëzim Hila, të cilit në prezencë të hetuesëve, i kam thënë: “Nuk ka asgjë të vërtetë, në akuzat tuaja. Ju po zbatoni urdhërat e Lirim Pëllumbit e Shaban Brahës, dhe kryetari Gëzim Hila, me hetuesit e tij, po shkatërrojnë katër familje Elbasanase”!?

Gjyqi juaj ishte publik, apo me dyer të mbyllura?

Gjyqi u bë me dyer të mbyllura dhe vazhdoi për tri ditë me rradhë, në datat: 12,13 e 14 qershor 1978. Gjykata ishte e mbushur me hetues e oficerë të ndryshëm të Sigurimit të Shtetit, që rrinin si bisha të egra, mbi ne të pandehurit. Në ditën e parë e të dytë, trupi gjykues e prokurori, u morën me të arrestuarat, ku Fluturës i sollën dy dëshmitare, që gjoja kishte bërë biseda armiqësore me to. Në pyetjet që më bënte prokurori, unë ju drejtova Fluturës, duke ju lutur, që mos të kishte frikë, e të tregonte të vërtetën siç ishte, dhe jo atë ç’ka e detyronte hetuesi Zeqir Maçka. Ju drejtova xhelatit Zeqir, duke i thënë: ‘Tregoi trupit Gjykues e Prokurorit, kush m’i ka shkaktuar këto plagë në duar’, dhe i drejtova duart nga trupi gjykues, që ti shikonin plagët e shkaktuara. Zeqiri nxori dy copa letra nga xhepi, të cilat ja tregoi trupit gjykues si prova. Unë u ngrita dhe kundërshtova, duke i thënë se ato janë të fallsifikuar, se nuk është shkrimi im, por janë manipulimet e tua. Por ndëryri Prokurori dhe me ton kërcënues m’u drejtua: “I pandehur, deklaroni me po ose jo, se ne e dimë se UDB-ja e Jugosllavisë, i ka agjentët e saj në të gjithë botën, prandaj ne mund edhe të të pushkatojmë.

Ndjetë frikë se mund të dënoheshit me pushkatim?

Pas kësaj që deklaroi prokurori, Hysniu, unë ju drejtova e i thashë: ‘E dini edhe ju Hysni, se këtu nuk ka asgjë të vërtetë, ju më keni komunikuar akuzën për “agjitacion dhe propagandë” e po ju, pas pesë – gjashtë muajsh, më keni komunikuar akuzën si “agjent e tradhëtar ndaj atdheut”!? Të gjitha këto, ju i keni bërë me urdhërat e këtyre që janë këtu, që nuk kanë lënë gjë pa bërë ndaj meje, që të bardhën ta bëjnë të zezë dhe të zezën ta bëjnë të bardhë. Koha do ta vërtetojë se Lirim Pëllumbi e përkrahësit e tij, janë armiqë të popullit dhe të Partisë”.

A u paraqitën në gjyqin tuaj dëshmitarë?

Po, si dëshmitar më sollën Isuf Visokën të cilin e prunë në Gjykatë nga biruca, duke e futur në sallë me një oficer që e mbante për krahu, pasi ai ishte në gjëndje shëndetësore shumë të dobët. Gjyqtarja e pyeti Isufin, se çfar kishim biseduar ne të tre, e kishte fjalën për mua, Riza Gërdeshin dhe për vetë Isufin, i cili i tha gjyqtares: “Ne kemi folur për çdo gjë, nuk kemi lënë gjë pa bërë, zi e terr”. Pas këtyre fjalëve të Isufit, gjyqtarja m’u drejtua mua duke më thënë: “A e dëgjon se çfar deklaron Isufi”? ‘Jo, asgjë nuk ka të vërtetë, baca Isuf, thuaja gjyqtares të vërtetën, e mos prano ato gjëra që të kanë detyruar gjatë hetuesisë, se ne, kurrë nuk kemi bërë biseda të tilla. E di shumë mirë dhe ti baca Isuf, se na kanë arrestuar për qejfin e Lirim Pëllumbit. Në rast se i pranon këto gjëra të pavërteta, atëhere po shkel në gjakun e babait tand, Haxhi Visokës, deputetit të parë shqiptar në Parlamentin e Mbretërisë Jugosllave. A janë këto të vërteta? Pasi ty të kanë vrarë babën, ti me dy vëllezërit e t’u, keni mbetur jetim, e pas Luftës së Dytë Botërore, të kanë arrestuar vëllanë, e ta kanë pushkatuar, e ti ke bërë mbi 15 vite burg në Nish, thoni të vërtetën gjyqtares, e jo gjëra që të kanë detyruar për ti pranuar gjatë hetuesisë, se në të kundërt, po shkel mbi gjakun e babait e vëllait tuaj’. Isuf Visokën, pas fjalëve të mija e nxorrën nga Gjykata.

Si vazhdoi më pas gjyqi?

-“A keni për të thënë ndonjë gjë tjetër, m’u drejtua Kryetarja”? -“Po, të më sjelli hetuesi, Zeqir Maçka, Sherif Kaninën, të cilin, as nuk e njoh si person, e se nuk e kam parë ndonjëherë. Se gjatë hetuesisë, më kanë torturuar që të pranoja se: në 31 dhjetor të vitit 1976, kemi shkuar me Riza Gërdeshin e Isuf Visokën në Kavajë, për të festuar së bashku Vitin e ri, e gjoja, unë këtij personi, i kam kërkuar një armë, për të vrarë ish-vjehrrin tim, Hajdar Goranin dhe pas vrasjes, do të arratisesha në Jugosllavi. Me mos sjelljen nga hetuesia të këtij personi para jush, hetuesi Zeqir Maçka, po fallsifikon të vërtetën, pasi Isuf Visokën, me anë të torturave, e ka detyruar që të pranojë këtë të pavërtetë, se ne, me datën 31 dhjetor, nuk kemi qenë në Kavajë, por kemi qenë në banesën tonë në Elbasan.

Cilat ishin akuzat dhe a i pranuat ato?

Prokurori, Hys Zaja, me datën 24 prill 1977, më komunikoi vendimin: arrestimin për krimin e “agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor”, në bazë të nenit 73/1 e 14 të Kodit Penal. Nga detajet shumë të hollësishme, që unë u kam dhënë, hetuesëve të Degës së Punëve të Brendëshme, nuk u interesonte që unë të dënohesha vetëm për agjitacion e propagandë. Ata duhet të zbatonin urdhërat e eprorëve të tyre, të cilët ua kishin shkruar në letër dhe nuk më kujtohet dita dhe data, por ka qenë nga fundi i korrikut, pasi më kishte marrë në hetuesi nga ora 8 e mëngjezit, deri në ora 14, nuk më kishte lënë gjë pa më bërë, mbi trupin tim, me grushta, me shkelma, e nuk i mjaftonte që hekurat në duar m’i kishin shtrënguar deri në zero. Por herë pas here, ai ngrihej nga karrigia, e vinte më kapte hekurat e m’i tundëte duart, gjë që më shkaktonte dhimbje të padurueshme e të tmerrshme. Kjo gjë shkaktonte dhimbje deri në zëmër dhe ata e bënin, që unë të pranoja çdo gjë që më kërkonte, Zeqir Maçka. Aty afër orës 14, erdhi Përparim Ibrahimi, për ta zëvëndësuar Zeqirin, i cili i’la porosi, duke i thënë: “Vazhdoni me këtë maskara, por në fund do ta bëjmë si nuse, merreni në pyetje sipas këtyre që u kam lënë të shkruara”, dhe i tregoi letrën që kishte mbi tavolinë. Teksa doli nga dera, Zeqiri i tha kolegut të tij: “Punë të mbarë”!

Po ky hetues, me të njëjtën ashpërsi u soll me ju?

Përparim Ibrahimi, m’u afrua e më liroi hekurat, por edhe gjatë lirimit të hekurave, pata dhimje të pa durueshme e të tmerrshme. Ai u ul në karrige dhee po më shikonte. Gjatë hetuesisë që po më bënte Zeqir Maçka, kishte vendosur në parmakun e dritares një gotë me ujë, e unë ju luta hetuesit, Përparimit, të më jepte atë gotë me ujë, se po më digjej i gjithë trupi nga etja. Hetues, Përparimi, u ngrit dhe më afroi gotën në buzë, piva me një frymë gjysmën e gotës, por e ndërpreva, pasi më kapi një dhimbje e madhe në stomak e më mbuluan djersët, ndërsa hetuesi e largoi gotën, duke e parë atë me vërejtje. Unë kisha humbur ndjenjat dhe në atë gjëndje më kanë dërguar në birucë. Aty më kishte mbuluar me jorgan shoku i birucës, Skënderi. Nuk e di sa zgjati gjëndja ime pa ndjenja, por kur u ngrita, isha me rroba të lagura në trup, dhe kisha dhimbje të vazhdueshme stomaku.

E njihnit Skënderi, bashkëvujtësin tuaj të birucës?

Skënderin e kisha njohur në Elbasan, në rradhët e gjata që mbanim në mëngjes, për të blerë qumësht. Me Skënderin, mbiemri i të cilit nuk po më kujtohet, kam qëndruar në të njëjtën birucë deri nga fundi i muajit maj, pasi në datën 1 apo 2 qershor të vitit 1978, atë erdhën e thirrën, e urdhëruan të merrte ato pak plaçka, e do të largohej prej birucës. Kështu unë mbeta vetëm. Flutura Bajrami, ishte në birucën e tretë. Në birucën time dëgjohej e bërtitura e Fluturës, kur hetuesi Zeqir Maçka, e merrte në pyetje, ajo bërtiste dhe qante, duke i thënë: “Ju kam thënë me qindra herë, se më ka dashur qefi të kem miqësi me Jatullain, prandaj mos më ofendoni e mos më torturoni më”. Zeqiri egërsohej dhe bërtiste, që ta dëgjoja unë në birucën time, e ofendonte dhe e kërcënote me fjalët nga më të ndyra.

Skënderit i kisha treguar çdo gjë në lidhje me Fluturën, të nesërmen edhe pse shumë i sëmurë dhe fare, pa ndihmë mjeksore, erdhi polici dhe më çoi në dhomën e katit të dytë, ku priste Zeqir Maçka, i cili urdhëroi policin e pranishëm, të m’i zgjidhte duart që i kisha të lidhura pas kurizit, e m’i lidhën përpara, ku më solli dhe një karrike e më urdhëroi të ulesha. Polici doli dhe unë mbeta me hetues, Zeqirin, i cili mu afrua dhe m’i shtrëngoi prangat në maksimum, e me ironi, më tha: “Je mirë në karrige ëëëë”? Mu afrua dhe më, e tha: “I pandehur, keni gjë për të më thënë për veprimtarinë tënde armiqësore, që keni bërë me Flutura Bajramin, e më të tjerët. Ne i dimë të gjitha, por e mira është që t’i pohosh me gojën tënde”.

Si u përgjigjët ju?

Unë ju drejtova Zeqirit, duke i thënë: “Shoku hetues, po më torturoni me pa të drejtë, se asgjë nuk është e vërtetë për çfar këmbngulni ju, pasi ju kam thënë me qindra here, se me Fluturën, kam pasur lidhje, dhe marrëdhëniet tona u shkëputën, kur unë u fejova me Suzanën. Po të pyesni edhe Fluturën, do t’ju thotë se ne nuk kemi pasur më asnjë lidhje me njeri tjetrin. Flutura, është viktimë e këtij skenari. Kurrë nuk do ta besoja që në shtetin tonë, të ndodhin gjëra të kësaj natyre”. Zeqir Maçka, sa më dëgjoi, u ngrit nga karigia dhe me nerva të tendosura, më goditi me grusht në rregjistrin e abdimenit, e me shuplaka në fytyrë. Unë humba ndjenjat, pas pak me vështrim të turbulluar, pashë Zeqirin që më hidhte ujë në fytyrë, e kur më pa që hapa sytë, mu drejtua: “Dëgjo more maskara, ne të çojmë në buzë të varrit, e të ringjallim. A ke ndëgjuar për Shkëlqim Bumçin”? “Po, kam ndëgjuar se është arrestuar…”! “Eeee, edhe ai si puna jote, nuk pranonte as gjë, por në fund i ka pranuar të gjitha, prandaj mos e turturo më veten se do të dënohesh shumë”.

E njihnit Shkëlqim Bumçin?

Shkëlqim Bumçi, në atë kohë ishte projektues e arkitekt i njohur në gjithë Shqipërinë. Nga mëndja e dituria e tij, ishin ndërtuar objekte e ura, që nga hekurudha Rrogozhinë – Fier, e deri tek kombinati Metalurgjik, hekurudha Librazhd – Prrenjas, etj vepra të madh të asaj periudhe. Nuk kishte qytetar në Elbasan, që nuk e dinte pse e kishin arrestuar Shkëlqimin. Ai ishte i martuar me vajzën e Spiro Kolekës, dhe pas ndarrjes me të, Shkëlqimin e arrestuan.

Pas hetuesisë intensive, me tre turne dhe torturave çnjerëzore, këto jo vetëm për mua, por edhe për Fluturën, e cila edhe pse ishte femër, torturohej si një mashkull, sa herë dëgjoja të bërtiturat e saj, të qarat e dhimbshme, më rrënqethej trupi. Në këtë situatë të pa shpresë për vazhdimësinë e jetës, diskutoj me shokun e birucës, Skënderin, dhe i them: “Si mund ti dërgoj një letër Fluturës në birucë, e t’i them të pranoj ato që i kërkon hetuesi, për të shpëtuar nga torturat dhe kur të paraqitemi në gjyq, t’i kundërshtojmë, duke thënë se shkak i pranimit është dhuna e padurueshme gjatë hetuesisë”.

Mundët ju të komunikonit me letra me Fluturën?

Po, me ndihmën e Skënderit, më duhej të lajmëroja Fluturën, vetëm që kur të shkonte në ËC, të kontrollonte poshtë koshit të plerave. Ishte e vështirë, por një ditë në momentin kur erdhi roja për të na nxjerrë në ajrim, unë po vonoja të dilja nga birca, ndërsa Skënderi doli me shpejtësi dhe vajti në birucën ngjitur, e i hodhi letrën Fluturës. Duke parë që po na torturonin kafshërisht, duke parë që hetues Zeqir Maçka, nuk kishte asnjë ndjenjë njerëzore, kur sillej në këtë mënyrë me një femër të pafajshme, që mund të vdiste në duart e tij dhe atij nuk i bënte përshtypje. Kështu vendosa për fatin tim e të Fluturës. Të pranonim, e i shkrova letrën Fluturës, që të pranonte ato akuza që i kërkoheshin në hetuesi, por në gjyq do të themi vetëm të vërtetën.

Ndryshoj sjellja e hetuesit pas kësaj “gracke” që bëtë ju?

Pas letrës që i dërgova Fluturës, gjatë një momenti kur po merresha në pyetje, i them Zeqir Maçkës: ‘Pse po më torturoni’?! Ai më tha: “Mos na lodh, kush është Ismail Zenuni”? E unë i thashë: “Pasi u transferova në Elbasan në vitin 1973, nëpërmjet Riza Gërbeshit e Isuf Visokës, unë kam njohur kosovarët që jetonin në Elbasan. Në mesin e tyre edhe Qazim Krekun. Nuk kujtoj saktësisht vitin, por në vitin 1974 apo 1975, Qazimit i kishte ardhur gruaja me djalin e vajzën në Shqipëri. Qazimi banonte po në lagjen “Luigj Gurakuqi”. Rizai e Isufi më patën treguar: se Qazim Kreku, ka qenë në burg në Jugosllavi, e ai kishte pasur lidhje gjatë kësaj kohe, me Ismail Zenunin, i cili kishte qenë polic i burgut (gardian). Rizai dhe Isufi më kishin thënë se kur kanë marrë vesh për arratisjen e Qazim Krekut nga burgu, të gjithë të burgosurit kanë thënë: e ka ndihmuar, Ismail Zenuni, se ndryshe nuk do të mundte të arratisej nga burgu i Nishit’! Unë mendova, se duke ja paraqitur këtë person si oficer të UDB-së, i cili më kishte dhënë porositë e fundit, si të futesha në Shqipëri, e në të ardhmen të shërbeja për UDB-në e Jugosllavisë. Provat që kisha unë për t’ja paraqit gjykatës, i vërtetonin Riza Gerbëshi, Isuf Visoka e Qazim Kreku, se kush ka qenë Ismail Zenuni.

Si reagoi hetuesi?

Sa i përmenda emrin e Ismail Zenunit, hetuesi torturues më tha: “Më mirë ka qenë për ju i pandehur, që në fillim të kishe pranuar akuzat, se sa të torturohesh prej kaq kohësh, e u ngrit nga karrigia, e m’i liroi hekurat, që mi kishte shtrënguar në zero. Që në momentin kur ja përmenda emrin e Ismail Zenunit, Zeqir Maçka i ndërpreu torturat me tre turne, nuk kisha më të bëja me hetuesit e tjerë, vetëm me Zeqir Maçkën. E dija shumë mirë, se fati im, ishte në duart e hetuesisë e të prokurorit, por besoja se trupi gjykues, merr vendimin edhe në bazën e provave e fakteve që paraqet i pandehuri, i akuzuari.

Kush ishin gjyqtarët dhe prokurorët që ju dënuan?

Kryetare ishte, Tamara Malaj, ndihmës gjyqtar Alo Qëndro dhe ndihmës tjetër, gjyqtarja Bukuroshe Korro, kurse Prokuror, Hys Zaja.

Sa vite ju dënuan dhe ku e vuajtët dënimin?

Më dënuan me 25 vite burg dhe kam bërë 14 vite 8 muaj 22 ditë. Si mjek që isha, herë pas here më kanë transferuar nga njëri burg në tjetrin. Në fillim në kaushin e Tiranës dhe pas 2-3 ditësh, me autobuz më kanë çuar në burgun e Burreli. Në burgun e Burrelit, kam punuar si mjek i të burgosurve politik, deri në dhjetorin e vitit 1978, kur më kanë transferuar në Spaç. Në burgun e Burrelit, çdo i burgosur që vinte për t’u vizituar në ambulancë, shoqërohej nga polici i rojes. Të burgosurit politik në burgun e Burrelit, ishin të ndarë në dy kategori. Njëshi dhe dyshi ishin më pak të rrezikshëm, për rregjimin e atëhershëm, se sa të burgosurit e grupit të mesit që paraqitnin rrezikshmëri të lartë shtetërore, ku në prezencën e rojes, i vizitoja e ju jepja mjekime, e kurat bashkëvuajësve të mi. Në mesin e tyre ishte, Koço Tashko.

Si e kujtoni Koço Tashkon?

Koço Tashko, ishte në një birucë më vete, ku i kishin vendosur edhe një krevat dhe ai merrej me përkthime. Rojet, sa herë më duhej të shkoja, më hapnin derën e qelisë së tij dhe rrinin aty deri sa unë ta vizitoja. Koço Tashkos nuk i kishte mbetur edhe shumë dënim për të bërë. Në një moment, kur ne ishim vetëm pasi unë po e zgjasja kohën duke e vizituar, ai më njohu, siç duket nga dialekti dhe më pyeti: “Nga jeni doctor”? ‘Jam kosovar i ardhur në Shqipëri në vitin 1964, ju përgjigja unë’. Ai më tha: “Kosovarët nuk e dine, se Enver Hoxha, ja ka shitur me kohë Kosovën, Jugosllavisë. Kemi një diktator që s’ka lënë gjë pa bërë në dëm të kombit tone”. Më pas, më pa me shumë mirësi dhe më tha: “Kam besim të plotë tek ju doctor”. Këtë bisedë të shkurtër, nuk e diskutova me asnjë njeri në burg, pasi frikohesha se mos dilte fjala dhe e ridënonin përsëri Koçon.

Gjatë gjithë dënimit tuaj, ju punuat si mjek i burgut?

Në Spaç, kam punuar si mjek i të burgosurve politik dhe ata ordiner, që banonin në një kamp që ishte jashtë rrethimit me të burgosurit politik. Të burgosurit ordiner, sa herë kishin nevojë për ndihmë mjeksore, i sillnin aty. Si mjek, punova deri në momentin kur komandës nuk ju bënte përshtypje fare gjëndja shëndetsore e të burgosurve, preokupimi i tyre ishte vetëm nxjerrja e qindra ton bakër, nga galeritë e Spaçit, që nxirreshin nga të burgosurit, që tashmë ishin kthyer si skllevër. Unë kurrë nuk ja lejova vetes që komanda të më manipulonte, në dëmin e shëndetit të burgosurve. Kështu unë që nga ai moment kur kam pasur presione nga komanda që mos t;u jepja regjim shtrati bashkëvuajtësve të mij të sëmurë, kam dorzuar bluzën e bardhë të mjekut dhe çelsat e Infermerisë dhe kam punuar në minierën e Spaçit, si të gjithë të burgosurit e tjerë, deri në shkurt apo mars të vitit 1983 Në këtë periudhë kohe, një ditë më lajmëruan që të merrja ato pak tesha, dhe të dilja jashtë rrethimit të kampit të Spaçit, ku më kanë hypur në një autoburg, e më çuan përsëri në burgun e Burrelit./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb