Nga Gaqo S. Peci

Memorie.al / Gaqo Peci lindi në Korçë në vitin 1920. Studimet e mesme i kreu në Liceun e Korçës, ndërsa studimet e larta në Tiranë, në Institutin Pedagogjik. Për më shumë se çerek shekulli ka qenë mësues në qytetin e lindjes. Ka marrë pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në vitin 1972. Në vitin 1976, është dënuar me dhjetë vjet heqje lirie për agjitacion dhe propagandë. Mban titullin “Mësues i Merituar”Po rrija e mendohesha: “Tani do të fillojnë reprezaljet. Nga unë pak a shumë varet, në mos jeta, e ardhmja ose së paku, mënyra e jetesës e kaq e kaq vetëve: ime shoqe, dy vajzat me burrat e tyre e me djemtë e çupës së madhe, vjehrri e vjehrra e dhëndrit të vogël dhe vjehrra e vajzës së Beratit, këta bëjnë dhjetë veta; im vëlla dhe e shoqja, dymbëdhjetë, ime motër, trembëdhjetë.Nga dënimi im varet dhe fati i tyre. Mbaj apo s’mbaj përgjegjësi për këta njerëz? Po të mos dal në gjyq, po të vdes këtu në burg nga dhuna, sëmundja a vetëvrasja, sipas ligjit nuk do të quhem fajtor, përderisa gjykata nuk do të arrijë të japë vendimin për fajësinë time, sepse kam vdekur pa u gjykuar”.

“Nga torturat nuk besoj të vdes, as nga ndonjë sëmundje hëpërhë. Atëherë për të shpëtuar këta njerëz, për të mos më ndjekur mallkimi i tyre edhe përtej varrit, sidomos ai i nipave, nuk më mbetet tjetër veç vetëvrasjes”.

Ideja e vetëvrasjes sa vinte e forcohej, madje nuk po më ndahej deri sa arriti e u kthye në ide fikse. “Duhet të vras veten patjetër, përsërisja kush e di sa herë në ditë”.

Me të më sjellë në Pogradec, më kontrolluan trupin, xhepat dhe nuk më lanë gjë tjetër të mbaja përveç shamisë së hundëve. (Këpucët duhet t’i zbathja e t’i lija para derës së birucës).Gjatë kontrollit, për çudi a për fat, as Bajramit, as hetuesit e pastaj as përgjegjësit të birucave, nuk u shkoi ndërmend se në vend të rripit të pantallonave, kisha ca tiranda të holla. Atëherë burrat pothuajse nuk mbanin fare tiranda, kështu që ato nuk m’i vunë re, as kur më kontrolluan xhepin e brendshëm të xhaketës, as atë të prapmin e pantallonave.

Nuk e mbaj mend saktë, ishte nata e njëzet e një tetorit, apo e nesërmja kur vendosa të vras veten, duke u mbytur me këto tiranda. U futa nën batanije, i shtrëngova në fyt, i lidha, mbulova kokën, futa duart midis gjunjëve dhe po prisja vdekjen.

Më kujtohet fare mirë se fryma që nxirrja nga mushkëritë bënte pak zhurmë, ndërsa ajri që thithja me shumë vështirësi nuk ndihej fare. E kuptova se nuk i kisha shtrënguar sa duhet tirandat dhe se do të përpëlitesha shumë gjersa të më dilte shpirti, prandaj i zgjidha dhe u mundova t’i shtrëngoj sa më fort. Këtë radhë ia dola mbanë.

Si duket do të kem lëvizur rrëmbyer e njëkohësisht do të kem marrë frymë fort me gojë hapur, se ndjeva dritaren e derës të hapet e një zë të më flasë:

– “Ç’po bën ashtu ti”?!

Ishte polici që më pyeste. S’i dhashë përgjigje.

– “Ty të flas more, ç’po bën ashtu i mbuluar? Zbulo fytyrën, ngrije batanijen. Unë përsëri s’i fola e ndenja ashtu siç isha”.

Dëgjova zhurmë këmbësh që vraponin e dikë që bërtiste fort.

Polici po jepte alarmin. Pas nja dy minutash prapë zhurmë këmbësh që vraponin. Sakaq u hap dera dhe tre vetë hynë me vrap, më hodhën batanijen tutje e po mundoheshin të m’i çlironin tirandat nga fyti, por nuk arritën dot.

– “Një thikë, shpejt një thikë” – foli dikush.

Njëri nga policët vrapoi jashtë, por ndërkaq një tjetër kishte arritur ta zgjidhte nyjen.Vetë vetiu mora frymë thellë e m’u mbushën mushkëritë me ajër. Nuk di si isha bërë në fytyrë, skuqur apo mavijosur, por nuk kam për t’i harruar ato tri fytyra (kishte ardhur dhe polici i thikës) që më rrinin përsipër, ishin të shqetësuara, të trembura e të habitura njëkohësisht.

Si e panë që kisha shpëtuar nga vdekja, filluan të më qortonin:

– “Ç’bëre kështu, mor hajvan”!

– “Të paskan rrjedhur trutë, o plakush”.

Po merrja frymë normalisht. Isha kthyer në jetë.

– “Shko thirre mjekun sa më pare”, i foli një polici rreshter Bajrami.

– Nuk është nevoja, fola me zë të mekur, jam mirë tani.

– “Je vërtet mirë, apo thua ashtu kot”? – më pyeti Bajrami.

Ai m’u duk më i trondituri prej tyre.

– Jam fare mirë. Nuk kam nevojë për mjek.

Pas pak u pendova që s’i lashë të thërrisnin mjekun. Le të më shikonte. Ndoshta më njihte. Sidoqoftë njëfarë dobësie do të kisha nga vizita e tij. Tani isha bërë fill dhe po mallkoja veten që nuk arrita dot të shpëtoja njëherë e mirë nga grushtet, shkelmat, fyerjet, poshtërimet.

Ndërsa përgjegjësi i birucave dhe policët po më rrinin mbi kokë, midis tyre vura re edhe një fytyrë që s’e kisha parë deri atëherë. Ishte një oficer shtatmesatar. Uniforma fringo, qepur nga një dorë mjeshtri, i rrinte për mrekulli.

Kishte një fytyrë të hequr ngjyrë ulliri, me sy e flokë të zinj. Të heshtur po vështronin njëri-tjetrin. Si më pa mirë e mirë, i bëri një shenjë Bajrami, i cili doli dhe kur u kthye mbante në duar pranga dhe një kaskë nga ato që përdorin motoçiklistët.Dy policë më zunë prej krahësh dhe më ngritën në këmbë. Bajrami m’i lidhi duart nga prapa, më vuri kaskën në kokë dhe rripin e saj ma lidhi në grykë.- Më dashkan të mirën, – thashë me vete. – Duan të mos vdes. Kam frikë se mos përplas kokën pas murit dhe u jap fund të gjithave. Vdiq nga zemra do të hapin fjalën, po kush do t’i besojë?

– Tani edhe sikur të duash, s’bën dot ndonjë marrëzi, – më tha Bajrami.

– Mblidhe mendjen dhe hiq dorë nga budallallëqet.

Para se të më linin vetëm, oficeri m’u afrua dhe gjithnjë i heshtur provoi nëse ishte lidhur mirë kaska. Si u sigurua që ishte në rregull, doli së bashku me të tjerët.

Dera u mbyll, po dritarja e saj mbeti hapur. Isha nën vëzhgim të vazhdueshëm.

Përsëri vetmia. Po haja veten me dhëmbë. Si nuk i kisha shtrënguar ca më fort ato të bekuara tiranda, si qëlloi të kalonte aty polici, tamam ato çaste kur po përpëlitesha midis jetës e vdekjes.

Tani kaska që kisha në kokë përjashtonte çdo tentativë vetëvrasjeje dhe isha aq i pafuqishëm sa më dukej sikur nuk isha në gjendje të lëvizja nga vendi. Ndërkaq duart i kisha të lidhura prapa kurrizit.

U shtriva, po s’gjeta rehat si të rrija. Kaska herë më binte mbi sy, herë prapa qafe. Vetëm barkazi mund të rrija, po në atë gjendje shpirtërore ishte e pamundur të qëndroja më shumë se disa minuta. Kthehesha nga njëri krah se mos gjeja qetësi. E pamundur. Kthehesha nga krahu tjetër.

Gjithmonë e pamundur të qëndroja gjatë. Kthehesha me vështirësi dhe rrija shtrirë përsëri barkas, por sido që të rrija kaska e mallkuar më bezdiste. Për t’u shtrirë mbi shpinë as që më shkonte mendja. Kaq plagë e kisha nga ato që hoqa në makinë kur po më sillnin këtu.

Përpëlitesha si peshku në zall. Nuk di sa do të kishte vajtur ora, kur, duke u kthyer nga njëri krah në tjetrin, sytë më vajtën te dritarja e derës.
Dikush po më shikonte. Ishte një fytyrë e gjerë e pjekur nga dielli. Fytyra e panjohur nuk m’i ndante sytë. Shikonim njëri-tjetrin pa folur. Ai ndenji aty edhe një copë herë, gjithmonë flegmatik dhe së fundi u largua. Ç’ishte ky i panjohur që më shikonte me kaq interes?

S’e pashë më, as mora vesh cili kishte qenë.

Me dashje, pa dashje, përsëri mbeta gjallë, përsëri do të isha pre e egërsisë, e shtazërisë. Rrija e mendoja se ç’bëhej ime shoqe që më priste ta merrja nga Berati e ta ktheja në Korçë, sikurse i kisha premtuar në letrën që i dërgova. Natyrë e ndjeshme, e dhimbshme, ku nuk do t’i shkonte mendja që ky burrë nuk po e merrte të kthehej, madje s’po bëhej i gjallë.

TORBA E USHQIMEVE

Sa gjë e pështirë është të gjesh minj të gjirizeve në dollapin ku ti mban ushqimet. Dhe ata të nevojtores së birucave ishin ca minj të mëdhenj, të zinj, topolakë, të majmë, sy kuqë dhe me një bisht ndofta më shumë se njëzet centimetra të gjatë.

Sa hapje dollapin të merrje çantën a torbën, dëgjoje një zhurmë të beftë e pastaj menjëherë shikoje dy-tre minj që kërcenin nga dollapi e me vrap venin e futeshin në vrimën e nevojtores. Se kjo “e bekuar” nevojtore në të vërtetë kishte vrimë, po një farë grope dhe veç të tjerave, nuk kishte as derë.

Flake tutje po të duash atë copë djathë, atë copë sallam, atë kulaç apo ato biskota sado neveri të kesh. T’i kanë sjellë të mbash veten gjallë gruaja, djali, babai a nëna. Hidhe, po mos harro sa para e sa mundim ka kushtuar ajo copë djathë apo ajo copë sallam!

Ja kështu u vinte filli ushqimeve tona: një pjesë e hanin minjtë e gjirizeve, një pjesë policët (edhe këta minj gjirizesh ishin,në mos më keq) dhe ç’mbetej ishte jona. Të ishte gjysma ajo që mbetej? Si zor, më duket.

KRISTINA

Gjyqi i Kristinës nuk zgjati shumë. Gjithë-gjithë nja dhjetë minuta. Ajo ishte e dobët sa mezi lëvizte buzët e nuk dëgjohej ç’përgjigje u jepte pyetjeve të gjyqtares, që i përsëriste kohë më kohë të ngrinte zërin. Kishte rënë kaq shumë fizikisht sa dukej si një kufomë e vënë mbi karrige. E mbanin nga krahët policët që të mos shembej.Kristina kishte pësuar një metamorfozë të çuditshme shpirtërore. Nuk ishte më ajo Kristinë që në fillim të procesit kishte deklaruar pafajësinë e saj nëpërmjet lotësh.

I treguan fletoren me vjershat e saj. Pranoi se vetë i kishte shkruar, “po aq ma priste mendja se nuk kam shkollë të madhe” u mundua të mbrohej me një fije zëri. Me lëvizje koke pranonte gjithçka: se kishte fyer pushtetin e partinë, se kishte kryer një krim të rëndë duke shkruar ato “palaçollëqe”, se ato vjersha ishin një njollë turpi për të, se meritonte një dënim të rreptë meqë vinte në lojë kreun udhëheqës të partisë.

Pranonte, pranonte, çfarë s’pranoi ajo kufomë e gjallë vetëm e vetëm ta nxirrnin nga ajo sallë ku qindra kureshtarë po e hanin me sy duke ndjekur çdo mërmëritje, çdo gjest, çdo mimikë të saj.

Pranoi gjithçka ky Llazar i ngritur nga varri dhe i vendosur në bankën e të akuzuarve, veç ta shpinin sa më parë në birucën e saj, të shtrihej në dysheme, të mbyllte sytë, të zinte veshët, të mos mendonte asgjë, të harronte çdo gjë, edhe veten, e ta merrte një gjumë i thellë, i rëndë plumb, se i flihej, oh sa fort i flihej kësaj femre të mjerë që s’dinte ç’ishte përqafimi i mashkullit. E dënuan me shtatë vjet heqje lirie. S’di pas sa kohe dha frymë…! Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: