Nga Aleksandër Ndoja
Pjesa e dytë
– Një rrëfim i pazakontë nga Mihal Pumo, për jetën e tij në Mirditë, pasi u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, nëna e tij, Nina Pumo, profesoreshë e Universitetit të Tiranës…! –

Ka qenë shtatori i vitit 1977, kur nisa klasën e pestë në qytetin e Rrëshenit. Kishim mësuese kujdestare, Jolanda Bajramin, mësuese e gjuhës dhe letërsisë. Nxënësit shumica ishin vendas, nga qyteti dhe fshatrat përrreth ku ,nuk kishte shkolla 8-vjeçare. Por një pjesë e nxënësve nga qyteti, vinin nga zona të tjera të vendit, prindërit e të cilëve kishin ardhur me punë të ndryshme në Rrëshen, si mjekë, agronomë, inxhinierë, mësues, policë etj.

Në klasën time ndodheshin edhe dy djem të cilët, njërin nga prindërit e kishin me kombësi të huaj, por që rregjimi komunist i kishte shpallur “armiq të popullit” dhe i kishte arrestuar. Ata ishin shokët e mij të klasës, Mihal Pumo me nënën ruse, dhe Orest Kalaj, me babain me kombësi greke. Të dy ishin jetimë, me prindër gjallë, por në burg!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Mihal, a e ndjenit se ishit të survejuar dhe si ju trajtonin në Përlat. Po njerëzit e thjeshtë, a ju mbështeste njeri?
Survejimi në Përlat të Epër, ka qenë as me shumë as më pak, si ne Rrëshen. Kishte edhe fuksa por edhe njerëz të mirë kishte boll. Vendasit ishin shumica njerëz të mirë dhe të respektueshëm. Atje në fakt, jam njohur me një nga shokët më të shtrenjtë që kam dhe sot e kësaj dite, Martin Sulejmanin, që ka qenë berber atje dhe ne gjithë ditën luanim shah.

Jam krenar që në ato kohë të vështira, i thoja atij që; ‘Së shpejti do vijë dita kur, i gjithë populli do jetë i lirë dhe ne do të shohim botë tjetër me sy’. Sinqerisht, qysh në moshën 9 vjeçare, së bashku me vëllanë dhe babanë, dëgjonim Elez Biberajn e “Zërit të Amerikës”, – dhe shpresa e urrejtja për atë regjim na mbante gjallë…! Siç ka thënë Nietzsche – ajo që nuk na vret, na bën akoma më të fortë.

Kur u larguat për në Bashkimin Sovjetik dhe si e mësove se, po rrëzohej komunizmi edhe në Shqipëri?
Unë jam larguar nga Shqipëria së bashku me babanë, më 4 tetor 1990. Pra kisha disa muaj qe isha në Bashkimin Sovjetik, kur filluan revoltat e studentëve…! Të them të drejtën, kur pashë bustin e “qoftëlargut” (diktatorit Enver Hoxha), të rrëzohej, më qante zemra që nuk isha atje dhe mundësisht, me ndonjë “Kallashnikov” në dorë…!

Është e vështirë t’a përshkruash tani…! Të humbasësh lirinë është gjithçka, nuk krahasohet as me urinë, as me sëmundjet, është shumë më e rëndë. Mund të kujtoni këngën e Albanos, “Liberta” me këtë rast. Fjalët në atë tekst, janë shumë domethënëse.

Kur lëvize për herë të parë në liri, dhe si e kujton largimin nga Përlati?
Neve na e hoqën internimin, vetëm në fund të prillit të vitit 1990! Për mua hapën fjalë, që kisha ndërmend të arratisem. Për mua, një gjë e tillë nuk ekzistonte sepse, unë i detyrohem shumë tim eti, të gjitha ato që ai bëri për të gjithë ne. Dhe unë ta braktisja?! Kurrë!

Kur për herë të parë pas internimit i hipa trenit në Milot – më dukej çudi që rrotull meje, kishte kaq njerëz, isha bërë si i egër, nuk ngopesha dot me ndjenjën e lirisë, që mund të lëvizja lirshëm, që nuk duhej të firmosja më te zyra e kooperativës…!

Ku shkuat fillimisht pasi u larguat nga Përlati?
Pas Përlatit, shkuam në Tiranë ku, ndenjëm përkohësisht tek halla. Gjëja e parë që bëmë, ishte sërish kërkesa për t’u larguar në Bashkimin Sovjetik. Vajtëm në pritje në ambasadën e Çekoslllovakisë (që përfaqësonte interesat e Bashkimit Sovjetik, pasi nuk kishim marrëdhënie diplomatike dhe ata nuk kishin ambasadë në Tiranë). Na priti vetë ambasadori që na bëri të gjitha nderimet dhe duke na thënë: –“Sikur ta dinit, sa ju kemi kërkuar, dhe sa jemi munduar t’ju lirojmë…”?!

Më pas ne, filluam të shisnim të gjitha mobiliet dhe plaçkat që kishim, për të blere dy bileta deri në Moskë pasi, nuk na lejuan që biletat të na i blente mamaja në Bashkimin Sovjetik. Ishte e dhimbshme të konstatoje që, e gjithë djersa e prindërve për pothuajse tre dekada, u shndërrua në dy bileta avioni…! Por kalvari im, nuk përfundoi këtu…!

Pse, çfarë ndodhi me ju më pas?!
Më 8 korrik 1990, isha duke shëtitur me një shok te kodrat e liqenit në Tiranë (ishin kohët e ambasadave) – dhe neve na u afrua një fugon policie…! Na kapën pa dhënë asnjë shpjegim…! Ata ishin disa oficerë të Sigurimit të Shtetit dhe një polic që doli se, më njihte mirë. Ishte nga lagja jonë në Tiranë të Re, një farë, Ben Romano që, e ka pas në klasë im vëlla. Pra, kapja nuk ishte e rastësishme.

Shokun tim, pas pak e liruan, ndërsa mua, më çuan në burgun e Tiranës. Është e rëndë edhe sot, të përshkruaj ato që ndodhën atje…! Mbaj mënd një korridor të gjatë ku, në çdo metër kishte nga një sampist që, gjuanin me shkopinj dhe grushta, çdo viktimë që sillnin…! Pas këtij ferri, më çuan në një dhomë torturash pa çati, temperatura ishte mbi 40 gradë, flokët m’i shkulën me duar, copa copa, më godisnin me grushta në fytyrë, vetëm sepse u përgjigjesha pse kam rroba të jashtme, sepse, kam njerëz jashtë.

Pastaj, siç isha i lidhur në karrige, më goditën sërish dhe unë rashë me gjithë karrige dhe u përplasa me kokë në çimento dhe humba ndjenjat…! Mendoja se, dhe mund të më vrisnin atë natë…! Besoj se, nuk ua mbajti ta bënin këtë gjë, pasi ishim nën mbikëqyrjen e ambasadës çeke tashmë, dhe do behej bujë…! Natën vonë, gjysëm të vdekur më hodhën afër liqenit, në ca shkurre. Pra, edhe pasi morëm vizën për t’u larguar, kalvari nuk kishte të sosur…?

Ç’ndodhi më pas me ju, pasi u hodhën aty?
Sa kam ngelur i shtrire atje nuk e di, por në shtëpi, u ktheva në të gdhirë. Pas kësaj, unë humba diçka që e kisha pasur gjithmonë… durimin dhe maturinë. Unë fillova hapur, të flisja kundër regjimit, gjë që më parë, e bëja me me kujdes. Por edhe këtu, “aventura” jonë nuk mbaroi….! Neve na aprovuan ikjen, blemë biletat, erdhëm në Rinas dhe ku na thanë që; nuk ju lejojmë të ikni, sepse, nuk jeni në listën e Ministrisë së Brendshme…! Ishte e qartë që ata talleshin dhe mundoheshin të na thyenin…!

Nuk ju lejuan të largoheshit nga Shqipëria…?!
Megjithëse kishim biletë të hapur, avioni iku pa ne. Një javë më pas, sërish e njëjta gjë, duke na sjellë pengesa…! Pastaj rreth 20 minuta para nisjes, ata të Sigurimit të Shtetit, i thonë babait: –“Ti mund të nisesh”! – Babai ua ktheu se: pa djalin nuk nisem gjëkundi. Kaluan edhe nja 10 minuta dhe më në fund, ata na thonë: – “E mirë, mund të shkoni….”!

Më kujtohet si tani, ajo rrugica e kuqe që të çonte tek avioni…! Ecja dhe mbyllja sytë, duke menduar – ja tani do na zbrazin “Kallashnikovin” në kurriz…! Më pas u futëm në avion – dhe kur u ngrit avioni – ishte sërish fobia – po sikur ta rrëzojnë…! Pas një ore ishim në Budapest. Kur dolëm nga avioni, instinktivisht ktheva kokën prapa, për t’u bindur që nuk kishte spiunë të Sigurimit të Shtetit që na ndiqnin nga prapa…!

Vetëm pas kësaj e shkëputa mendjen nga kalvari që shkatërroi me mijëra fate njerëzish të pafajshëm. Humba në atë skëterrë gjithë fëmijërinë, vitet më të bukura të rinisë, por mbijetuam! Pjesa tjetër e jetës, do të vazhdonte krejtësisht ndryshe. Në radhë të parë isha i lirë!

Kur u takuat me nënën e vëllain dhe si e kujtoni atë moment?
Ata po na prisnin me ankth në aeroportin e Moskës. Ne mbërritëm nga Budapesti, dhe më bëri përshtypje te kontrolli i pasaportave, përshëndeta me gëzim policin që kontrollonte pasaportën. Ai as më ktheu përgjigje…! Më bëri shumë përshtypje ai njeri, me sjelljen e pahijshme që tregoi ndaj meje…! Pastaj dolëm nga aty dhe ishte një gëzim i pa përshkruar! Mamaja, ngaqë e dinte që i kisha shumë qejf ëmbëlsirat, kishte grumbulluar një sirtar plot me çokollata të ndryshme…! Pas një jave, mendoja që, gjëja më e shpifur në botë, janë çokollatat…! Njeriu mësohet shpejt me të mirën…! Së shpejti fillova studimet në Universitetin e Gjuhëve të Huaja që, e kam pasur gjithmonë pasion, mundësi që m’u mohua në Shqipëri. Universitetin e mbarova me nota të shkëlqyera.

Tani, ku jetoni më shumë dhe si e mbani lidhjen me Shqipërinë, me të afërmit këtu?
Që kur ika e deri tani, jetoj në Moskë. Me Shqipërinë, nuk i kam shkëputur lidhjet asnjëherë. Madje u ktheva më 1993-in dhe u zhgënjeva pa masë…! Ata që na kishin torturuar dhe munduar shumë, hiqeshin tashmë si demokratë…! Kërkova dhe gjeta atë policin që ishte në fugon atëhere dhe i kërkova emrat e atyre krimineleve që ishin në furgon. Ai më premtoi që do m’i jepte por, të nesërmen u fsheh dhe s’u duk më…!

Pas kësaj, dëshira për të vizituar Shqipërinë shpesh, m’u venit…! Kaluan edhe 17 vjet të tjerë, kur një shoku im, ma mbushi mendjen sërish, për t’u kthyer në Atdhe. Fatmirësisht, unë nuk e humba nënshtetësinë, pavarësisht se kur u largova, ishte e detyrueshme të lije nënshtetësinë shqiptare. Ndoshta me rrëmujën e atëhershme, kjo gjë nuk u aplikua dhe unë e rimora nënshtetësinë shqiptare lehtësisht.

Tani vij në Shqipëri pothuajse çdo vit dhe kam plot shokë e miq (dhe sigurisht edhe mirditorë). Kam edhe kushërinj që vete i takoj. Për më tepër, jam përfaqësues i Dhomës së Tregëtisë dhe Industrisë së Tiranës, në Moskë. Në këtë epokë, kur politika mbizotëron mbi ekonominë, do të kisha shumë dëshirë të kontribuoja për zhvillimin ekonomik normal, në mes dy vendeve, me interes reciprok, pa i’u referuar konjukturave politike.

Po në Bashkimin Sovjetik, si e pritën nënën tënde, Nina Pumo, kur ajo mbërriti atje në vitin 1987 dhe a u trajtua në mënyrë më njerëzore pas vuajtjeve që kishte kaluar këtu, në komunizmin shqiptar?
Mamanë në përgjithësi e trajtuan mirë, për më tepër në atë kohë, jetonte ende gjyshi im, (babai i mamasë), që ka qenë profesor universiteti në Moskë. Ne gjetëm apartamentin tonë gati ku, prindërit jetojnë edhe sot. Gjyshi jetoi 96 vjet dhe arriti t’a shihte kthimin e vajzës së tij të vetme në atdhe, ndërsa fatkeqësisht, gjyshja jonë (po nga ana e mamasë), nuk arriti ta shihte më bijën e vet dhe nipërit, pasi vdiq kur mamaja ishte akoma në burg këtu në Shqipëri…!

Përsa më përket mua, dua të them se, ndonjë privilegj, as nuk prisja dhe as nuk m’u bë. Në vitet ’90-të në Rusi, me ardhjen e demokracisë, pati edhe një lloj indiferentizmi për gjithçka. Për hir të së vërtetës, me përpjekjet e mamasë, u bë e mundur, që unë të filloja studimet në universitetin më prestigjioz për Gjuhët e Huaja, në Rusi.

Pra, shteti rus, nuk u afroi ndonjë ndihmë, apo masë lehtësuese po themi, duke pasur parasysh gjithë ato vuajtje dhe peripeci që familja juaj kishte kaluar në Shqipëri?
Përsa i përket kalvarit që ne hoqëm në Shqipëri, asnjë lloj privilegji, askush, asnjëherë nuk donte t’ja dinte, këtu kam parasysh për përfaqësuesit zyrtarë të asaj kohe. Siç duket për ta, ne ishim vetëm “mish për top”…! Për mendimin tim personal, regjimi sovjetik, ka gjithashtu përgjegjësitë e tij, për tmerret që kaluan shtetasit e tyre në vendet ku ata ishin.

Askush dhe asnjëherë nuk u interesua për fatin e zi të grave sovjetike në Shqipëri. Për ta, kryesore ishte, që Shqipëria të mos ishte me Amerikën…! Kush çante kokën për njerëzit…! Vetëm në epokën e Perestrojkës, gjërat filluan të ndryshojnë disi. Kështu edhe unë, gjithçka fillova ta ndërtoj nga e para! Por ama, më së fundi kisha të drejtën e arsimimit! /Memorie.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb