TIRANË- Ndërsa 65-vjeçari Havzi Basha ka dalë sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 në përpjekje për të pastruar emrin e tij nga një akuzë dhe dënim për ngacmim seksual ndaj një 12-vjeçareje, dëshmia e papritur erdhi nga një mësuese.

Është pikërisht ajo që u bë ndoshta pa dashje nismëtare e gjithë procesit ndaj 65-vjeçarit. Pasi vajza 12-vjeçare ishte ngacmuar nga një burrë në shesh pushimin e një ashensori, një ditë ndërsa kthehej nga shkolla, e mitura ka treguar me gisht mbi Havzi Bashën që lëvizte me biçikletë në rrugën e tij, pa pasur dijeni për asgjë që kishte ndodhur e do ndodhte.

Për të dokumentuar këtë moment, mësuesja që shoqëronte vajzën e ka fotografuar 65-vjeçarin dhe më pas kjo foto është përdorur kundër tij në të gjithë akuzën e ngritur nga prindërit e vajzës, policia e prokuroria që çoi në dënimin me 3 vite e 6 muaj burg për Havzi Bashën, raporton “BalkanWeb”.

Mësuesja ka qenë dëshmitare edhe në gjyq. Por sot në një lidhje telefonike gjatë emisionit, ajo dha një dëshmi befasuese duke lënë të kuptohej se nuk besonte në fajësinë e Havzi Bashës dhe se vajza minorene mund të ketë gabuar.

Mësuesja gjithashtu tregoi se është çuar me forcë për të dëshmuar në gjykatë kur nuk duhej të thirrej fare pasi nuk ka asnjë rol, përveç asaj që ka bërë një foto pasi vajza ka treguar gishtin e akuzës mbi burrin që ecte me biçikletë. Pa folur me emra por duke nënkuptuar familjarët e vajzës apo më keq akoma edhe autoritetet, mësuesja tha se i kanë bërë presion dhe e kanë kërcënuar duke i thënë se mund t’i bëjnë atë që nuk ia pret mendja, raporton “BalkanWeb”.

“Vetëm me një fjali dhe një foto të vajzës si mund të jepet vendimi. Vajza mund të ketë gabuar. Unë nuk kam asnjë marrëdhënie më as me prindërit e vajzës dhe ajo nuk ishte nxënësja ime. Unë e shoqërova për pak kohë me makinë. E vetmja gjë që kam bërë unë ishte që bëra një foto, pasi vajza e tregoi. Unë nuk e njoh zotërinë dhe nuk duhet të isha thirrur në gjyq. Më kanë bërë presion, më kanë çuar me zor në Gjykatë. Më kanë thënë merr rrobat e zeza, se të bëjmë atë që s’ta pret mendja. Uroj të dalë e vërteta dhe zotëria ta gjejë të drejtën”, tha mësuesja.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb