Këtë të martë janë zhvilluar seancat e radhës për dosjen 184 në Dibër.

Siç dihet tashmë ato zhvillohen të ndara për shkak se dy nga katër të akuzuarit e kësaj dosjeje, kanë kërkuar gjykim të shkurtuar.

Ndërkohë, mësohet se seanca e mbajtur për Robert Agën, ish-Shef i Komisariatit të Policisë Dibër dhe Hasan Hotin ish-administrator i Njësisë Administrative Lurë, pala mbrojtëse kishte kërkuar që përgjimet të mos merreshin për bazë, por gjykata e ka hedhur poshtë këto kërkesa duke i marrë si provë,. Gjithashtu në seancë janë lënë të thirren edhe dëshmitarët.

Sakaq në këtë seancë gjyqësore ka munguar Robert Aga, i cili ka njoftuar se nuk ka qenë i pranishëm për shkak se ishte i infektuar me Covid-19.

Sa i përket Drini Gjecit dhe Nuri Medës, ish drejtor i Drejtorisë Arsimore Dibër dhe ish-administrator i Njësisë Administrative Tomin, seanca ndaj tyre është shtyrë.

Edhe pse palët ishin prezente, aty kanë munguar dëshmitarët të cilët kanë dhënë arsye të ndryshme për mungesën në këtë seancë.

Kujtojmë se seanca ndaj Medës e Gjecit, ka rinisur pas afro tre muajsh pas përjashtimit të gjyqtarit të çështjes me kërkesë të palës së akuzuar.

Nga të dy seancat e zhvilluara, del që në seancën e radhës për të katër të akuzuarit, të pranishëm duhet të jenë edhe dëshmitarët për tu dëgjuar në lidhje me procesin e ndërhyrjes tek votuesit në zgjedhjet e pjesshme lokale të vitit 2016 në Dibër.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb