TIRANE – Tensionohet situata në seancën gjyqësore në ngarkim të imamëve të vetëshpallur që akuzohen për rekrutim të besimtarëve myslimanë për xhihad luftarak në Siri. Deklarata e dëshmitares Nazmie Allxhaka, bashkëshortja e Mustafa Kuçit, që mendohet se është dërguar në Siri nga imamët, e cila i cilësoi ata si mjekërcjepër, ka ngjallur reagime të ashpra në sallën e gjyqit.

Fraza e dëshmitares, “siç bëjnë këta myslimanët mjekërcjepër”, shkaktoi tensione dhe britma shpërthyen në sallë, çka detyroi gjykatësin të urdhëronte nxjerrjen nga salla të personit që bërtiti. Por këtë kërkesë e kanë cilësuar të tepërt të pandehurit e tjerë të cilët thanë se po doli njëri jashtë, do dalin të gjithë, dhe për këtë arsye e braktisën seancën.

Gruaja e Mustafa Kuçit, i cili dyshohet se është dërguar në Siri nga të pandehurit, ka thënës se të shoqit i janë dhënë 500 euro për të shkuar deri në Turqi, nga i pandehuri Bujar Hysa.

Nëntë të pandehurit në këtë proces akuzohen se kanë rekrutuar dhe dërguar në Siri të paktën 70 besimtarë myslimanë shqiptare, ku në vendin e luftës janë rreshtuar në krah të organizatave terroriste. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet që të paktën 15 besimtarë janë vrarë gjatë luftimeve, ndërsa një numër i madh fëmijësh të këtyre besimtarëve, ndodhen në vendin e luftës.

Të pandehurit
Genci (Abdurrahim) Balla, Bujar Hysa, përkatësisht imamë të vetëshpallur të xhamisë së Unazës së Re dhe asaj të Mzezit, si dhe Gert Pashja, Edmond Balla, Zeqir Imeri, Verdi Morava, Fadil Muslimani. Astrit Tola e Orion Reçi akuzohen për krime që lidhen me terrorizmin dhe rrezikojnë deri në 20 vite burgim.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: