Emisioni “Në Shënjestër” ka sjell sot historinë e vrasjes së Guxim Gjyriqi, babai i 3 fëmijëve që u qëllua me 15 plumba në vitin 2020, një vrasje që dyshohet si e porositur.

Rrëfimi i të penduarit Henrik Hoxhës dhe Nuredin Dumanit, për gazetarin Eni Ferhati, bën edhe më komplekse dosjen, duke dëshmuar kështu se porositë për vrasje nga grupet kriminale, këta dy personazhe i kanë marrë edhe nga grupet e veriut të vendit.

“Mekanizmi që është përdorur krijon bindjen se është ngjarje e organizuar, më shumë se dy persona, viktima është ndjekur, kanë lënë pas shumë pak prova, por ajo çfarë shikoj me shqetësim dhe përbën lajm, është fakti që Nuredin Dumani, bashkë me Enrik Hoxhajn kanë marrë porosi për vrasje, dhe zgjerohet rrethi kriminal i atyre që kanë dashur t’i përdorin. Tashmë kjo e bën edhe më komplekse të gjithë dosjen. Na del që dhe grupe kriminale nga veriu kanë shkuar dhe kanë kërkuar te Duamani të japin porosi për vrasje me pagesë, sic dyshohet që ka ndodhur dhe vrasja e Gjyriqi”, tha Ferhati.

Nga ana tjetër avokati Dritan Jahaj shprehet se të penduarit janë “çelës” shumë i rëndësishëm i drejtësisë për të zbardhur ngjarje kriminale, por thotë se ka rezerva sesa të vërteta janë historitë e dëshmuara në këto raste.

“Patjetër. Bashkëpunëtorët e drejtësisë janë sukses kryesor në hetimin e një çështjeje. Pika e parë, synimi kryesor është bindja e këtyre të dyshuarve në këto aktivitete kriminale, për të bashkëpunuar. Pastaj sa i besoj dhe sa të vërteta janë dëshmitë e tyre, jam pak skeptik, sepse këta na dalin, më duket e pamundur që nga njëra anë flasim për grupe shumë të strukturuara kriminale, dhe nga ana tjetër ata shkojnë dhe gjejnë këta persona, të gjithë këta grupe, shkojnë dhe ‘falen’ te dy dhe tre persona. Këta mund të kenë informacione, por në formë të dëgjuarit apo siç themi në zhargon, ‘mburrjeve’ që mund të tregojnë me njëri-tjetrin'”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb