Publikohet një intervistë e dhënë në emisionin “RRËFIM” në TV Scan disa kohë më parë, nga piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, që u nda nga jeta para pak ditësh, i cili për 90 minuta, ka rrëfyer disa nga ngjarjet dhe historitë e panjohura të jetës, familjes dhe karrierës së tij artistike, duke filluar nga origjina e familjes, specializmi i babait të tij, Thanasit, në Itali për kino-operator, puna në atë profesion në qytezën e Kuçovës ku u lind dhe Koço, ardhja në Tiranë si kino-operator në Kinema “17 Nëntori”, largimi dhe dërgimi në Kombinat me dënim si punëtor, pasi u zbulua se ai kishte rregulluar një linjë direkte telefonike për Tuk Jakovën e Bedri Spahiun, që u shpallën “armiq të popullit”, pjesëmarrja e Koços në kino-provat për një rol te filmi “Debatik”, ku ‘nuk fitoi’, dhe figurant te ‘Vitet e para’, etj.

Pasioni e prirjet e Koços për pikturën ku mësonte me inxhinierin rus në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë, si dhe me rrethin e teatrit në Pallatin e Pionerëve ku regjisorja ruse i besoi disa role, karikatura e parë që botoi te ‘Hosteni’ në 1964-ën, rolet në disa drama në Klubin e Kulturës në Kombinat, konkursi për në Liceun Artistik dhe pengesa biografike për ‘xhaxhanë e arratisur’, e drejta e studimit për në Inxhneri Mekanike në Tiranë ku qëndroi vetëm dy vite, ‘për hatërin’ e shokut indonezian që i bënte portretin dhe ‘shpërblehej’ me kafe, dreka e darka te ‘Vollga’, vajtja ushtar dhe angazhimi në Estradën e Ushtarit me shokën e fëmijrisë, Roland Trebicka, pas ndërhyrjes së regjisorit, Viktor Gjoka, duke dhënë shfaqje deri në pikat më të largëta kufitare, etj.

Lirimi i Koços nga Ushtria dhe puna në Klubin e Kulturës në Kombinat, ku bëri emër të madh, pasi pikturoi në një fasadë gjigande Enver Hoxhën, angazhimi në revistën ‘Hosteni’ si karikaturist dhe me skenare për skeçe e parodi, emërimi në Estradën e Shtetit dhe më pas në Radio-Televizionin Shqiptar, puna dhe projeketet pas viteve ’90-të me filma, komedi, spektakle etj., bashkëpunimi e puna me mikun e ngushtë të jetës, Filip Çakuli, e deri tek profecia e tij e thënë në këtë emisionin, ku ai mes të tjerash u shpreh: “…Nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq! Nuk pranojnë që t’i përcjellin për në banesën e fundit që nga Teatri, p.sh. Ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo që me njëqind lutje, e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët…”

“Përpara ’90-ës, artistët janë vlerësuar, se Partia, bënte propagandë dhe na quante ‘ndihmës të saj’. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qënë i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qënë.

Kështu u shpreh në mes të tjerash para pak kohësh në një intervistë të gjatë për emisionin “RRËFIM” në Tv Scan, (me autor Dashnor Kaloçin dhe moderatore Albana Shehu Qirjako), piktori, karikaturisti, skenaristi, aktori dhe regjisori i madh i humorit shqiptar, Koço Devole, i cili u nda nga jeta më datën 8 nëntor dhe fatkeqësisht, profecia e tij “u zbatua pikë për pikë”, sikur i madhi Devole, “ta kishte lënë me amanet”, pasi ai u përcoll për në banesën e fundit nga një shtëpi funerale private?!

Në shënje homazhi për një nga ikonat më të mëdha të humorit shqiptar, Memorie.al, ka zbardhur dhe sjell ekskluzivisht për lexuesit, dëshmitë e rralla të ‘Mjeshtrit të Madh’, Koço Devole, në- disa numra.

Vijon nga numri i kaluar

Zoti Devole, pra, në një farë mënyre, regjizori Spahivogli, ishte mbështetur te vepra e Aristofanit?

Po, se këtë ka “Lisistrada”, e Aristofanit, dmth 400 vjet para Erës së Re që e ka thënë Aristofani. Dhe komedia ishte brilante. Ku e kishte në thojza “Kurvat e Kombinatit”, d.m.th, nuk janë. Dhe u bë nami, pa e lexuar njeri, filluan mbledhjet, letrat, shkrimet në gazeta dhe u bë nami.

Kishte ndonjë që u mundua ta mbronte Spahivoglin?

Drejtori i Klubit të Kulturës së Kombinatit, Osman Laze, p.sh., ishte pak liberal, dhe thoshte: “Ta heqim atë titull, (pra “Kurvat e Kombinatit”) por të lëmë komedinë se ajo është shumë e bukur. Ta bëjmë ‘Vajzat e Kombinatit”. ‘Po s’ka kuptim kjo’, i thoja unë, se mbroja në vetvete, thelbin e veprës. Por ajo komedi, nuk u vu në skenë kurrë, në atë kohë, gjynah, shumë gjynah! Dhe më vonë pastaj, kur u vu në skenë, madje tani e fundit, është kjo e Spiro Dunit, e quajtur “Pushteti i Grave”. Por Spiro mund të jetë i 50-ti, në të gjithë botën, sepse këtë e kanë vënë në skenë dhe të tjerë. Por i pari që e shkruajti këtu, ka qënë, Kujtim Spahivogli.

Po shohim në ekran një një foto që na ka nxjerrë regjia tani?

Po, tek kjo foto është Kujtimi, me Vllasova Mustën. Kjo është një foto nga dita e martesës, por me ju thënë të drejtën unë, nuk kam qënë në dasmën e tyre.

Kujtimi, ekspresiv në atë që tregojnë sytë e tij?

Sidomos kur ai, interpretoi “Hamletin”, ka qënë shumë mirë, dhe u duartrokit me zell nga shikuesit. Kujtimi e kishte “Hamletin”, fantastik, fantastik.

Çfar kujtoni nga Spahivogli, besoj se keni pasur dhe aspekte njerëzore?

Ai nuk donte që ne t’i shkonim ta takonim kur atë e dënuan. Na thoshte shpesh herë kur ne shkonim në Fier për ta parë. “Po për çfar vini”, na thoshte ai?! “Do ju shohin ata”, na thoshte. ‘Po s’po bëjmë gjë ne, mor profesor’ i thoshim, ‘ne thjesht po të takojmë”. Dhe kur erdhi në Bërzhitë, mbasi mbaroi dënimin, unë në atë kohë isha në Radio Televizionin Shqiptar dhe e kam ndihmuar me çdo lloj gjëje, që ai kishte nevojë. Shkova te drejtori i Televizionit, dhe i thashë që: për Bërzhitën, ku është Kujtim Spahivogli, dua çdo gjë, që nga prozhektorët, dekoret, dhe çdo gjë që kishte televizioni. Unë i shkruaja dhe ndonjë skeç për shtëpinë e kulturës në Bërzhitë, ku ai ishte. Por çdo ditë e më tepër, ai vinte duke u tretur edhe fizikisht. Rrinte me një pardesy të vjetër. Fëshfëshe u thoshim ne atëhere dhe ato ishin si fletë cigareje, që griseshin shpejt. Madje ai, pjesët që i griseshin i ngjiste. Dhe njëherë, një shoku i tij që e pa atë duke pirë cigare i tha: “O Kujtim, mos rri në diell se do të të bien pullat dhe do të t’bjeri ngjitësja”. Kjo ngeli në nuancat e tragjikomikes për të. Dhe ashtu iku, i tretur dhe i pavlerësuar. Madje njëherë, m’u drejtua duke më thënë: “Po ik more tani, mos më hajdeni më”, më thoshte. Dhe ne ikëm, por Ferdinand Radi, i shkonte vazhdimisht. Kujtime shumë të mira, por nuk ishte përfundim i mirë, mënyra sesi ai iku dhe u abandonua! Nuk u vlerësua! Por çdokush le të mbajë mëkatet e tij mbi shpatulla. Përpara artistët janë vlerësuar se Partia, bënte propagandë dhe na quante ndihmës të saj. Prandaj edhe na paguante. Por kjo nuk ka lidhje fare me sistemin diktatorial. Neve na respektonin që nga sekretarët e partisë, e të gjithë të tjerët. Por kjo nuk do të thotë që ai sistem ka qënë i mirë. Absolutisht, diktatorial ka qënë. Por tani është më keq, nuk pyesin fare nëse ikën nga jeta, ndonjë artist i madh, është për të ardhur keq. Nuk pranojnë që ti përcjellin për në banesën e fundit, që nga teatri p.sh. ka pasur shumë raste. Rasti i fundit ishte Hajrie Rondo, që me njëqind lutje e ndihmuan nga pak. Kur vdesin po, ironikisht, të bëjnë nderimin më të madh. Unë e di që kur të vdes, do të më nderojnë, dhe do thonë ato gjërat e zakonshme që kanë thënë dhe për të tjerët.

Fatmirësisht jeni shumë mirë?

Hahaha jo mo, jo, me këto mënd që kam, si të jetë e shkruar, pasi me fatin nuk luhet.

Megjithatë të kujtojmë vitet kur ju punonit në Kombinat?

Unë e rregullova goxha biografinë atje, sepse atje filluan shfaqjet dhe nga këtu, pra nga Kombinati, u katapultova për më tej për në Televizion Shqiptar.

Po në RTSH, si u ndjetë më pas?

Sigurisht atje më pas ishte një ambjent tjetër. Por detyra ime ishte, redaktor i programeve artistike të premteve dhe të shtunave. Për komeditë dhe për estradat që jepeshin çdo të shtunë. Por edhe aty filluan problemet e tjera, pasi çdo gjë kalonte për kontroll në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Aty në redaksinë ku punoja, më vinin instruktorët e Komitetit Qëndror dhe më thoshin: “Ç’është kjo faqe, po kjo, po ajo tjetra”?! Për shfaqjen e Korçës p.sh., e ka parë dhe miratuar vetë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së rrethit, dhe unë u thosha atyre instruktorëve: “Ai që e ka parë dhe pëlqyer këtë shfaqje, është burrë më i mirë sesa unë”. Por kishte dhe shfaqje që ata edhe qeshnin, por thoshin që këto apo ato, mos i vini në skenë. Sepse në atë skeç, p.sh., cënoheshin figurat e drejtorit apo të sekretarit të parë. Ata nuk donin që t’i preknin këto figura dhe ne kemi bërë skeçe për fatorinot e berberët e shkretë.

Por ama aty në RTSH ka qënë punë intensive?

Po absolutisht që ka qënë më e lodhshme. Por më i vështiri ka qënë programi i Vitit të Ri, që na fillonte gati katër muaj para. Ne duhet të shkonim në gjithë Shqipërinë dhe të përzgjidhnim skeçet. Marash Hajati, që ka qënë drejtori i RTSH-së, mua që isha skenarist, më ndante detyrat. Kjo punë si të thuash, më krijoi një lloj afrimiteti dhe me të. Dhe për ndonjë skeç që nuk i pëlqente atij, unë i thoja: ‘po mirë mo shoku Marash, nuk të pëlqen ty, por i pëlqen popullit’! “Po fakti që ky skeç nuk më pëlqen mua’, më thoshtë, ‘nuk është pak, prandaj hiqe këtë”. Në koncerte ata, u vinin rëndësi të madhe teksteve të hapjes. Ku thuheshin “vatrat tona shqiptare” etj., pra që viheshin këto tituj që të rrënqethnin. Aty nga viti 1981 ose ;82 ai më thotë: “Dëgjo, ça do bëjmë për tekstin, ke menduar ndonjë gjë”? Ishim duke shkuar për në Gjirokastër dhe i them Marashit, që ta nisim njëçikë ndryshe kësaj here, dhe jo me tekste bombastike. I them që në skeç, futemi brënda një dhome dhe shofim dy veta, që sikur po luajnë nën çarçaf. “Ti kështu mendon që ta hapim koncertin e fundvitit”, më tha? ‘Por ndërkohë, në këtë çast, troket dera. Dhe njëri që është nën çarçaf, zbret dhe futet poshtë krevatit, dhe mbi çarçafin nxjerr kokën një vajzë. Hapet dera dhe, futet oficeri;, i them unë.

Çfarë ju tha Marashi, e pëlqeu?

Marashi e pëlqeu dhe më tha: “Po hë, çndodh më pas”? ‘Ky’ i thashë unë, ‘shkon tek dhoma e gjumit, tek krevati, dhe hap komodinën për të nxjerrë pistoletën. Mirëpo kur oficeri provon pistoletën, atij që është poshtë krevatit, i shpëton urina. Pasta ajo del, në dysheme dhe këtu skeçi mbyllet’. “Cili është mesazhi i saj”, më pyeti drejtor Marashi? ‘Po kjo’ i thashë unë ‘që, puntorët i bëjnë dyshemetë me cilësi të dobët, me pedencë’. Ato duhen bërë drejtë’. Ai qeshi me të madhe. Në Televizion, sigurisht, i’a kalonim mirë, ku ndërkohë, edhe luaja por edhe moderoja vetë.

Ju keni qënë shumë e shumë vite në RTSH, por nuk keni lënë pa provuar edhe Estradën?

Ka qënë viti 1991, kur pasi ndodhën ndryshimet, unë shkova si drejtor artistik i Estradës së Tiranës, apo Estrada e Shtetit siç njihej ndryshme. Aty pjesa e parë që vura ka qënë, “Gjuetia e fundit”. Atë e bëmë edhe si shfaqje por edhe si kinokomedi, ku pati shumë sukses. Pastaj bëmë dhe pjesën e dytë të saj “Të gjallë apo të vdekur”.

Ishte koha kur ende Estrada e Shtetit, ishte ende në këmbë me aktorët e mire?

Unë, shërbeva për afro katër vjet atje. Por pas 1994-ës, nuk kishte më asnjë investim. Salla ishte skandal. Kur ne interpretonim, unë me humor u thoja që: ‘largohuni pak sepse aty pikon’. Dhe nga kjo mungesë investimesh, unë u largova. Por në periudhën që kam qënë unë, në ato kushte të vështira janë bërë nja katër telekomedi, që nuk i thonë pak.

Pas ikjes, ju u rikthyet sërisht tek dashuria juaj e vjetër, tek Televizioni?

Po, por dhe aty në atë kohë ishte, pak rrëmujë dhe pak a shumë ishte e njëjta situatë! Në vitet e tmerrshme 1997-’98, kërcisnin armët dhe të vinin plumbat nga se kuptoje. Madje i thosha një komshiut tim, që të mos qëllonte në ajër me armë, sepse mbesa ime e vogël po flinte! Ai më tha që: “Po deshe thuaji atij komshiut përballë, që të mos gjuajë ai i pari, pasi, ma bën për inat. Ai ka plumba 12.7, po dhe unë kam të tillë! Ore lërini këto budallallëqe” më tha. “Koço, ti nesër ke ditëlindjen e gruas’ më tha, ‘kështuqë, ja ku i ke këto armët bashkë me municionet”. Madje i kishte shkuar mëndja, për t’i lidhur me një fjongo të kuqe, si dhuratë, një automatik dhe pesë bomba. Ngjitem unë në tarracë dhe i them atij tjetrit, që të pushojë, pra të mos qëllonte më, dhe ai më tha: “Ja sa të mbarohen këto municionet”, dhe më tregoj me dorë nja tre a katër arka! Unë shtanga. Neve asokohe kemi bërë ca materiale të bukura me Agron Llakajn dhe operator Pali Kuken, tek “Telebingo shqiptare”, që u pëlqyen shumë. Sepse ajo kohë ishte tmerr dhe njerëzit më thonin, faleminderit që po na mbani shpirtin gjallë. Por në 1998, e mbylla dhe ika me familjen në SHBA. Unë tani shkoj e vij sepse dhe familjen e kam aktualisht, atje.

Keni bërë dhe një telekomedi me Ceken e Beratit, ku ju tentuat që të shkonit në Itali?

Po ajo titullohej “Për pushime në Romë”. Madje kujtoj, që ajo telekomedi ishte, një sponzorizim i një prej firmave piramidale të asaj kohe.

Besoj, se në mëndjen e shumë shqiptarëve, ka mbetur Sillo?

Unë në atë telefilm, nuk kam hyrë fare tek Enver Hoxha, në aspektin e portetit të tij si diktator. Unë kam thënë vetëm që ai, ishte një film, ku Enver Hoxha në fund, vret të gjithë shokët e vet. Pastaj detajet e filmit, ishin kalimtare. Edhe ai momenti me xha Brahon, është thjesht artistik, ku udhëheqësi rri gju më gju me popullin. Ironikisht këtë gjë, në mënyrë fallco, e shoh dhe tek politikanët shqiptarë edhe sot.

Ka pasur edhe skeçe të asaj koh,e që e kalonin atë masën e komedisë?

Po kështu lloj skeçesh ka pasur gjithmonë, por edhe janë hequr në varësi të humorit të shefit! Madje po ata instruktorë partie që ishin tek Estrada, na vinin për kontroll edhe në Televizion, dhe kur s’u pëlqente ndonjë skeç, na thonin: hiqeni.

Ndërkohë, ju keni shumë kohë që punoni në një emision investigativ, ndiheni mirë aty?

Po sigurisht tani, janë edhe këto përpëlitjet e fundit. Por dhe mosha bënka të vetën. Sigurisht e bëj punën me kënaqësi aq më shumë, që jam me kolegun dhe shokun tim, Filip Çakulin. Kjo ka qënë arsyeja kryesore që unë shkova te “Fiks Fare”. Aty ndjehem komod, me pjesën e monitorimeve. Mundohemi të kapemi me lapsuset logjike të gazetarëve dhe jo me ato emocionalet e parëndësishme. P.sh., në një lajm thuhej që: u takua Presidenti Meta, me kryetarin e grupit parlamentar italian, të Shqipërisë’. Hajde e merre vesh tani!

Nuk e di nëse keni përçuar tek fëmijët, ose tek mbesat, sensin e humorit që ju karakterizon?

Po, unë jam munduar. Madje, mbesa e madhe, Sindi, e ka pjesën e saj të humorit. Ajo studion në Itali për Jurisprudencë, dhe unë i theksova, që: ‘në jetë duhet të jesh serioze sepse në filmat, zakonisht gjykatësit dhe prokurorët i qërojnë’!

Gjatë punës me Filipin, keni momente të shpeshta humori me njëri tjetrin?

Patjetër, me Filipin kemi me dhjetra situata humori. Unë për të mund të them që: përpos humorit, ai ka dhe guximin e tij, të cilin e barazoj me Qamil Buxhelin, i cili që atëhere, tallej me slloganet e partisë. Madje në një rast, në një pastiçeri, parrulla “Proletarë të të gjitha vëndeve, bashkohuni”, ishte shkruar anash thënies tjetër, “Klientë, veresije nuk ka”. Por xhami u thye dhe ai që i ngjiti më vonë i vuri gabim. Dhe ato dolën “Klientë të të gjitha vëndeve, bashkohuni, dhe Proletarë veresije nuk ka”. Po kështu edhe Filipi, i cili me një kurajo të madhe, në vitet ’80, në një emision televiziv tha: “Shoku Pali Miska, na deklaroi tre gjëra që nuk i dinim në jetën tonë. E para: gruri mbillet në tokë, e dyta gruri mbin nga toka, dhe e treta, nga gruri bëhet mielli për bukë”. U shkaktua një skandal i madh. Atë kryeredaktorin, desh e dënuan me burg. Këtë mund ta bënte vetëm Filip Çakuli!

Keni pasur fatin që të punoni me një brez të madh tek revista Hosteni?

Sigurisht, madje unë vetëm me ditët e humorit që bënim në Shkodër, unë mund të tregoj histori pa fund. Por një lloj xhelozie, midis artistëve në atë kohë edhe ka egzistuar. Megjithatë, secili e dinte vëndin që i takonte në profesionin e tij.

Thuhet se ai brez artistësh nga ku keni dalë ju, kanë qënë më solidë?

Ndoshta, lidhjen e ngushtë të tyre, e bëri vetë koha. Ka pasur një vetëkontroll, dhe autoçensurë, që të mos degradonim në fjalë dhe situata banale. Por humori me fjalë banale që bëhet sot, është pak për t’u diskutuar. Megjithatë, dalim tek ajo që, vërtet arti paraprin dhe duhet të jetë i kulluar. Nuk mund të bëhet blozë dhe pis ekrani, me këto gjëra banale!

Cilat janë planet për të ardhmen?

Fatkeqësisht nuk ka sponsorizime dhe para! Nuk mund të flas më për plane humori në të ardhmen. Unë kam skenare që fatkeqësisht po më qëndrojnë në sirtare. Sepse të bësh një telefilm, do t’i paguash mirë aktorët dhe stafin. Prandaj dhe komeditë i bëjnë me maksimumi 5 aktorë, nga rrudhja e financave.

Unë, shpreh dëshirën time dhe të mjaft shqiptarëve, që ta shohim edhe njëherë Koço Devolen në skenë?

Ju faleminderit, por siç e theksova, përpos mëndjes dhe shpirtit të artisti, do dhe një energji fizike, e cila me kalimin e kohës, sikur po na zbehet! Por për neve, kanë respekt i gjithë populli ç’është e vërteta. Ne do t’u jemi deri në fund borxhlinj duartrokitjeve të publikut. Ne mundohemi të trokasim fort në zemrat e tyre, kur dalim në skenë. Por kur të vdesim, e kemi të sigurtë, që do të thonë fjalë të mira. Fjalët e mia të fundit janë për duartrokitjet e publikut, ato na mbajnë gjallë.

Ju faleminderit pa masë, për intervistën dhe emocionet që na krijuat?

Ju falenderoj dhe unë juve./Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb