KAVAJË- I gjithë qyteti i Kavajës, në veçanti miqtë e tij janë të shokuar pas ngjarjes së rëndë, ku taksisti Idriz Karriqi u gjet i vrarë në pyll në fshatin Greth të Kavajës, si dhe pasi mësuan që autor ishte pikërisht i riu që kishin parë të hipte për herë të fundit në taksinë e tij.

Të kontaktuar nga gazetarja e News 24 dhe BalkanWeb Klodjana Haxhiaj, taksistët thonë se e njihnin shumë mirë Idrizin, një njeri që ndonëse i sëmurë me zemër, kishte zgjedhur të punonte edhe si taksist për të siguruar më shumë të ardhura për familjen e tij në vështirësi ekonomike. “Duke qenë se nuk i mjaftonin paratë e kempit, ai dilte këtu para spitalit të Kavajës bashkë me ne, për ndonjë klient. E njihnim si njeri të qetë punëtor, i sëmurë dhe hallexhi”,- thotë njëri prej kolegëve të tij.

Ata shprehen ta kenë parë për herë të fundit Idrizin në momentin kur autori i dyshuar e ka prenotuar për ta çuar në fshatin Greth.

kavaje-vrasja
“Rreth orës 10.00 të së mërkurës pamë që u nis në fshatin Greth bashku me një djalë të ri që e mori në makinë”,- thotë kolegu i tij.

Më pas shton se e ka marrë vesh për ngjarjen në momentin që policia i shkoi në banesë rreth orës 21:00 për ta pyetur pse nuk përgjigjej në telefon kolegu i tij dhe ku e kishin parë për herë të fundit.

Duke qënë se gjendja ekonomike e taksistit ishte e rënduar, një tjetër koleg thotë që Idrizi nuk mund të ketë pasur në xhep më shumë se 20 mijë lekë

“Besoj që mund të ketë pasur pak lekë me vete, jo më shumë se 20 mijë lekë të vjetra. Është krim i madh të vritet tjetri për 2 mijë lekë”,- shton ai.

Ndërsa shprehin pikëllimin për humbjen e kolegut të tyre, ata thonë se një ngjarje e tillë nuk kishte ndodhur kurrë në qytetin e tyre. ‘Ndihemi të terrorizuar dhe të pasiguritë”,- thonë ata ndër të tjera.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb