Ish-zëvendësministrja e Jashtme, Edith Harxhi ka komentuar sot vendimin që dha BE më 18 tetor duke mos i hapur dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për çeljen e negociatave. Në një intervistë për ‘Diplomaticus’ të moderatorit Erion Kaçori, Harxhi tha se qëndrimi i Francës ishte një vendim që i shkonte për shtat asaj.

Mes të tjerash ish-zëvendësministrja e Jashtme tha se për të nuk është shqetësuese qëndrimi i Francës, por i Holandës dhe i Danimarkës, që kanë nxjerrë në mënyrë të drejtpërdrejtë arsye shqetësuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

A është plani i Francës me 7 pika një propozim për të lënë Ballkanin perëndimor jashtë Bashkimit Europian?
Jo unë nuk mendoj ashtu. Plani i Francës me 7 pika është për reformimin e BE. Pasi u vu re qartë se një nga problemet kryesore që Franca pati me zgjerimin e BE ishte çështja e thellimit dhe reformat që duhet të marrë BE në mënyrë që të marrë edhe vendet e tjera. Mendoj se Franca natyrisht nuk ka luajtur apo nuk ka bërë një politikë të jashtme mbi bazat e sigurisë, por mbi bazat e pragmatikes se ku e sheh veten e saj dhe të ardhmen e BE. Jemi të qartë se BE po kalon një krizë të brendshme. Kjo krizë ka vijuar me BREXIT dhe vazhdon në vijim me të. Do duhet një reformim i BE që më pas të merret parasysh se çfarë do të bëhet më tej. Mendoj se vendimi i Francës ishte një vendim që i shkonte për shtat asaj. Mendoj se shtetet kanë filluar, siç është SHBA, Britania, Franca, të mendojnë në radhë të parë për veten e tyre dhe pas për të tjerët.

A vonojnë këto 7 etapa procesin e zgjerimit për Ballkanin?
Po nëse do të merreshin 7 etapat një nga një, ndoshta s’do kryheshin deri në vitin 2022. Do ishte një kohë shumë e gjatë për Shqipërinë dhe Maqedoninë për të hapur bisedimet për anëtarësim. Plani është paraqitur në një kohë rekord, por ka pasur një trysni të madhe. Franca ndihet e mënjanuar nga vendet e tjera të BE. Plani me 7 pika i referohet këtij riorganizmi, reformimi të BE dhe më pas disa kushteve kyçe për anëtarësimin e vendeve të tjera. Janë vende që disa prej tyre i kanë hapur negociatat, disa ende se kanë marrë sinjalin e gjelbër. Në rast se do të merrnim për bazë 7 pika, duhet të mendojmë; a janë në unison 27 vendet e BE. Do duhej që këto 7 pika jo vetëm duhej të merrej vendim në komision, por do duhej që të ratifikoheshin nga parlamentet e vendeve anëtare të BE. Nuk e shoh që këto vende janë të gatshme të hyjnë një rruge pas traktatit të Lisbonit, që t’i hyjnë një faze tjetër të reformimit të tyre. Më duket e pamundur nga praktika që kjo të ndodhi në një kohë të shkurtër. Do krijonte debate mes vendeve anëtare. Por Franca është vetëm. Ka të drejtën e vetos. Do duhet të gjendet një emërues i përbashkët nga vendet anëtare. A do të ishin këto 7 pika bazë për hapjen e negociatave?! A është ky vendim është detyrues edhe për Serbinë dhe Malin e Zi?! Kjo hap një kapitull tjetër bisedash. Mali i Zi ka ecur mirë, por kapitujt nuk janë mbyllur të gjithë. Unë mendoj se do të shkohet përfundimisht jo ndaj një meritokracie në rajon, por për një anëtarësim në grup të vendeve anëtare, kur ato të jenë të gatshme bashkë me BE.

A e dobëson kjo pozicionin e Ballkanin?
Natyrisht që po. Ajo që e dobëson më tepër është avancimi i reformave në Ballkan. Jo të gjitha vendet e Ballkanit janë në nivel sa i takon reformave. Kanë problemet e tyre. Janë me demokraci të brishta, të pandërtuara mirë. Ky është një ngërç, një andikap tjetër. Ajo që më shqetëson mua më tepër nuk është vlerësimi që Franca i dha Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, apo qëndrimi i saj sa i takon reformimit të BE. Më shqetëson më tepër, vendimi i vendeve si Holanda, Danimarka, që kanë nxjerrë në mënyrë të drejtpërdrejtë arsye shqetësuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Presidenti Macron në fjalimin e tij tha se; ajo çka bëra ishte për të mbuluar dhe për mos të lënë Shqipërinë vetëm, për arsye të handikapit në reforma. Kjo më duket situata e reformave dhe demokracisë, e sundimit të ligjit, kapjes së drejtësisë dhe shtetit, e medias.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb