Skandali i bllokimit të hapësirës ajrore shqiptare, tregoi se nuk ka asgjë që mund ta detyrojë Edi Ramën të sillet si Kryeministër dhe kabinetin e tij të sillen si ministra. Ai dhe grupi i tij që kontrollojnë zyrat e Qeverisë prej 8 vjetësh, janë aty për axhendën personale të pushtetit dhe parasë.

Janë aty pasi kanë blerë pushtetin që të jep vota nëpërmjet Niçes dhe çunave problematike dhe, për rrjedhim, nuk kanë asnjë plan të mbajnë përgjegjësi për qeverisjen.

Nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Hapësira ajroje, tokësore apo detare e Shqipërisë, si objekte të rëndësisë së veçantë, janë përgjegjësi e Qeverisë. Përgjegjësi politike dhe institucionale buron nga vota dhe detyrimi administrativ buron nga taksat që paguhen apo rrëmbehen çdo ditë.

Për bllokimin, mosfunksionimin, anullimin e fluturimeve, përgjegjësinë përpara publikut, që voton dhe paguan taksa, e ka qeveria.

Nëse ky bllokim vjen për shkak të disa kontrollorëve, ndonjë punëtori të pandërgjegjshëm, apo për shkak të një administrate të paaftë, kjo është një çështje administrative e brendshme, për të cilën publiku mund të marrë ose jo informacion, mund edhe të japë gjykim, por nuk mund të marrë asnjë vendim.

Publiku nuk shkarkon dot kontrollorët e Rinasit, por mund të shkarkojë Qeverinë.

Menaxhimi i skandalit të Rinasit, ishte pikërisht e kundër e funksionimit në një demokraci. Përgjegjësit, Kryeministri dhe ministrja, e banalizuan përgjegjësinë në një raport administrative, në disa punonjës të padisiplinuar, në një grup kontrollorësh, të cilët u linçuan duke iu nxjerrë të dhënat personale.

Publikut në vend të ndjesës, në vend të marrjes së masave, iu servirën emra dhe paga kontrollorësh, të cilët marrëdhënien e tyre të punës e kanë vetëm me një drejtori, që as e votojmë, as e paguajmë, as e dimë kush është.

Atyre që presin vaksinën që u vonua, atyre që do nisnin të afërmit për kurim dhe atyre që mbetën me gojë hapur nga kjo humbje dinjiteti dhe financash publike iu ofruan “kontrollorët e pasur” që bëjnë teka me rroga 2 mijë euro.

Njerëz me të cilët publiku nuk ka asnjë kontratë, pozicione që publiku nuk ka as arsyen t’i dijë dhe t’i diskutojë.

Policia e Shtetit, që prej kohësh është bërë zgjatim i Rilindjes, u turr mbi fajtorët, prokuroria, që është bërë si paradhomë e Kryeministrisë, lëshoi udhërat e ndalimeve. Ata 70 vetë, që mbajnë titullin kontrollorë prej shumë vitesh, që punojnë me status të veçantë, befas u bënë shërbëtorët e Ilir Metës dhe Sali Berishës, për të rrëzuar qeverinë me bllokimin e hapësirës ajrore.

Një version i tillë sabotimi nuk i ka shkuar ndërmend akoma asnjë diktatori, sado i çmendur, asnjë regjimi, sado qesharak, asnjë junte, sado e rrezikshme.

Gënjeshtrat e tij, për shkak të mediave të kontrolluara, përhapen më shumë e se e vërteta, përrallat ngjisin më shumë se historitë e mërzitshme të realitetit të zymtë që ka ndërtuar. Publiku hyri me qejf në historinë e kontrollorëve – fajtorë, duke gjykuar pagat, jetën dhe moralin e tyre.

Përgjegjësia e Qeverisë ndaj vendit dhe qytetarëve u harrua. Opinioni u nda në pro dhe kundër kontrollorëve që arritën deri në shkeljen e ligjit, pasi u ishte shkelur kontrata dhe dinjiteti.

Për çdo dështim të Edi Ramës ka një fajtor që nuk është votuar dhe që nuk mund të mbajë përgjegjësinë publike. Për dështimin e integrimit e kanë fajin hollandezët dhe francezët, për të vrarët e Thumanës fajtore ishte natyra, për të pastrehët e tërmetit pandemia, për keqmenaxhimin e pandemisë janë qytetarët e pakujdeshëm, për mosvaksinimin Facebook-u i Saliut, për korrupsionin e ka fajin sistemi, për sistemin e ka fajin Drejtësia, për Drejtësinë e kanë fajin prokurorët dhe gjyqtarët që nuk janë më.

Publiku duhet të merret me fajtorin e dështimeve të Edi Ramës. Për secilin dështim ai ka gati një ose më shumë fajtorë. Presim të mbarojnë fajtorët që të mbarojnë dështimet, por ata shtohen bashkë më dështimet. Të zgjedhësh Edi Ramën do të thotë që bashkë me të të kesh zgjedhur edhe fajtorët që do ta pengojnë për sukseset e ardhshme. Pas kaq shumë dështimeve dhe kaq shumë fajtorëve, e vetmja zgjidhje mbetet që lufta e Ramës me fajtorët të vazhdojë jashtë Kryeministrisë. Betejat e tij personale, sado imagjinare, nuk kanë pse të ndikojnë në jetën tonë./dosja.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb