Nga: Ornela Manjani*

TIRANE- Në buxhetin e shtetit mungojnë 6.9 miliardë lekë për shkak të mosrealizimit të të ardhurave nga tatimet dhe doganat. Si gjithnjë, në vend të parë mosrealizim janë tatimet me një vlerë prej 3.8 miliardë lekësh, ndërsa në të ardhurat nga doganat mungojnë 4.2 miliardë lekë. Ministria e Financave prezantoi dje një vështrim të përgjithshëm mbi të ardhurat dhe shpenzimet për periudhën janar-shtator 2015. Sipas treguesve fiskalë të konsoliduar, ende paraprakë, (për arsye të njohura tashmë), ecuria e të ardhurave për këtë periudhë është poshtë nivelit të pritshëm.
Të ardhurat
Të ardhurat totale të buxhetit arritën 279 miliardë lekë, nga 285.9 miliardë lekë të parashikuara për periudhën. Të ardhurat tatimore janë -3.8 miliardë lekë më pak se parashikimi, ndërsa ato jotatimore janë rreth -1.5 miliardë lekë nën parashikimin. Peshën kryesore të mosrealizimit të të ardhurave tatimore e mbartin të ardhurat nga tatimet dhe doganat, me shumën prej -4.2 miliardë lekë, minus i ardhur nga mosrealizimi i planit nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prej -3.5 miliardë lekë. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka një mosrealizim të planit për periudhën prej -0.6 miliardë lekë. Të ardhurat nga pushteti vendor janë rreth 9.4 miliardë lekë dhe 132 milionë lekë më shumë se parashikimi i periudhës. Të ardhurat nga fondet speciale kanë ecuri pozitive për periudhën me rreth 52.7 miliardë lekë ose 258 milionë lekë më shumë se plani i periudhës.
Të ardhurat doganore
Taksa doganore ka performancë 6.1% më shumë se parashikimi dhe -1.2% më pak se një vit më parë. Akciza ka mosrealizim të planit prej rreth -3.3%, por krahasuar me një vit më parë, ajo është rritur me rreth 0.8%. Renta minerale ka vazhduar rënien e saj dhe është nën objektivin e periudhës, me-3.8% ose -43.4% më pak se viti i kaluar.
TVSH-ja
Sipas Ministrisë së Financave, rënia e të ardhurave nga TVSH-ja në import është ngushtësisht e lidhur me rënien e importeve, të cilat për periudhën nëntëmujore kanë rënë me -1.5%, ndërsa eksporti ka rënë me -3.5%. Ndikimin kryesor e ka dhënë rënia e importit të energjisë, rritje e importit të makinerive dhe pajisjeve të përjashtuara nga TVSH-ja me 23.2% krahasuar me një vit më parë, rritje e importit të barnave dhe arit të përjashtuar nga TVSH, me rreth 19.2% krahasuar me një vit më parë, si dhe rënia e importeve në total me -2.4% krahasuar me një vit më parë. Në total rënie e importeve të grup-produkteve kryesore krahasuar me vitin e kaluar ka sjellë efekt negativ në të ardhurat nga TVSH në masën 2.9 miliardë lekë.
Akciza
Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 96.7% në krahasim me objektin, ose rreth minus 900 milionë lekë. Në këtë mosrealizim duhet të evidentohet edhe fakti se administrata doganore ka rimbursuar rreth 756 milionë lekë krahasuar me vitin e kaluar, kur kjo shumë ka qenë rreth 90 milionë lekë. Sipas Ministrisë së Financave, në analizën e grup-produkteve subjekt i akcizës, vërehet se të gjitha produktet kanë pasur rritje krahasuar me vitin e kaluar, me përjashtim të cigareve, importet e të cilave janë shumë më të ulëta se një vit më parë. Nga analiza e importeve dhe taksave përkatëse të të gjitha produkteve kryesore të akcizës, konstatohet se janë rreth 709 milionë më pak TVSH nga produktet e akcizës krahasuar më një vit më parë dhe rreth 1.1 miliardë lekë më shumë akcizë. Për produktet e akcizës vërehet një rritje e konsumit të pothuajse të gjithë produkteve të akcizës si kafe, birrë, pije alkoolike apo verë, me përjashtim të cigareve. Megjithëse, ka ulje të zhdoganimeve për karburantet gjatë 9-mujorit me 5,400 tonë, sasi kjo e kompensuar dhe tejkaluar me prodhimin vendës prej 17,934 tonë karburant. Në total importi dhe prodhimi vendës i karburanteve kanë një rritje prej 3.3% në krahasim me vitin e kaluar. Akciza e cigareve, me gjithë rritjen e nivelit të akcizës nga 1 janari i këtij viti, vazhdon të jetë e ulët në krahasim me parashikimin për arsye të rënies së importeve, të cilat për periudhën janar-shtator 2015 janë 1,866 tonë nga 2,090 tonë që kanë qenë vitin e kaluar. Sasia e më e ulët e zhdoganimeve përbën edhe minusin e mosrealizimit të të ardhurave nga akciza.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: