NGA VJOLLCA KONGJONI* TIRANË- Qeveria ka pranuar për herë të parë publikisht se kompania britanike “Crown Agents” e kontraktuar për asistencë në doganat shqiptare nuk ka arritur rezultatet e pritura. Në një letër drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shprehet se mosrealizimi i të ardhurave nga akciza në dogana tregon se kjo kompani nuk ka dhënë efektet që priteshin. Por pavarësisht kësaj qeveria ka vendosur të mos ta ndërpresë bashkëpunimin me britaniken “Crown Agents”

Taksa që qeveria pretendonte të mblidhte më shumë të ardhura nga doganat ishte akciza, një taksë kjo, që do të realizohej falë edhe marrëveshjes që bëri me kompaninë “Crown Agents”.

Për herë të parë Qeveria ka pranuar publikisht se kontrata 8 milionë euro me “Crown Agents” për asistencën në dogana ka dështuar duke mos dhënë efektet që priteshin në mbledhjen e të ardhurave. Ky fakt pohohet në letrën e mirëkuptimit që i ka dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në kohën kur nënshkroi marrëveshjen, qeveria e lidhi një pjesë të shpenzimit prej 8 milionë euro me performancën e të ardhurave në dogana. Si objektiv u vendos rritja e tyre me 1 për qind ndaj Prodhimit Kombëtar.  Por të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë vitit 2014 të ardhurat e mbledhura nga doganat ishin 5.5 miliardë lekë ose 3.5 pë rqind më të ulëta se plani i parashikuar në buxhet. K

rahasuar me vitin 2013, të ardhurat në dogana u rritën me 10.9 miliardë lekë. Kjo është sa 0.8 për qind e Prodhimit brendshëm bruto, por sërish edhe kjo shifër nuk vjen e gjitha nga përmirësimi i administrimit dhe lufta ndaj evazionit fiskal. Një pjesë e saj është rezultat i rritjes së drejtpërdrejtë të taksave mbi qytetarët, siç ishte rasti i akcizës së cigareve, e cila e vetme e shtoi barrën për vitin 2014 mbi 3.5 miliardë lekë.

Megjithatë në letrën e drejtuar Cristine Lagarde,  nga Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, Ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe Zëvendës Guvernatorja e BSH-së Elisabeta Gjoni, theksohet se bashkëpunimi me “Crown Agents” do të vazhdojë. Sipas qeverisë rritja e të ardhurave nga kompania britanike nuk është realizuar pasi problemi qëndron në zbatimin jo-konsistent të rregullave dhe procedurave të vlerësimit, por edhe informalitetit.

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb