NGA ARMIR MEHAJ*
Pas asaj të Pukës, ka dështuar edhe mbledhja për konstituimin e këshillit bashkiak në Vaun e Dejës. Shkak ka qenë, mos njoftimi në kohë i këshilltarëve të zgjedhur, nga sekretari i Këshillit të Bashkisë Vau i Dejës, i cili nuk ka zbatuar ligjin.
Pavarësisht se të gjithë ishin gati për t’i dhënë rrugë konstituimit të Bashkisë, në prezencë edhe të prefektit të Shkodrës, ky i fundit ka deklaruar se kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet pasi nuk respektohet ligji. Një tjetër pikë në të cilën binte poshtë mbledhja e konstituimit ishte edhe mos dorëzimi i vulave nga njësitë vendore, dhe për këtë prefekti i ka lënë 24 orë afat, të gjitha njësive të dorëzojnë vulat, në të kundërt do të nisin edhe procedimet penale.
Të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë 11 këshilltarët e djathtë, ndërkohë që pas fillimit të mbledhjes kanë mbërritur edhe këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por kjo mbledhje është bojkotuar nga këshilltarët e Partisë Socialiste, Partisë Social Demokrate dhe Partisë Demokristiane, çka hedh dyshime për një organizim të qëllimshëm mes tyre dhe sekretarit të Këshillit të Bashkisë Vau i Dejës, për të dështuar këtë mbledhje, megjithatë duket se ky dështim nuk do të zgjasë, sepse prefekti i Shkodrës ka urdhëruar që kjo mbledhje të zhvillohet pas tre ditësh, dhe siç mësohet mbledhja është lënë të mërkurën në orën 10.
(m.k/BalkanWeb)