I përfunduar vetëm tre muaj më parë, projekti i kompanisë “Gjoka Construction” për tubacionin e ri të ujësjellësit në Dibër, që ka kushtuar rreth 6 milionë dollarë, ka dalë jashtë funksionit.

Rrjeti kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në fshatin Zimur të qytetit të Peshkopisë, për shkak të shembjes së rrugës, dhe aktualisht ndodhet jashtë funksionit. Kjo ka detyruar banorët e Peshkopisë që të furnizohen me ujë nga rrjeti i vjetër i ujësjellësit, i cili nuk është i sigurt për konsum.

Përfaqësues të ujësjellësit të Peshkopisë thanë se është tentuar të shkohet në fshatin Zimur për riparimin e defektit, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur, për shkak të motit të keq dhe trashësisë së madhe të dëborës në zonë.

Banorët kanë pasur ankesa herë pas here për punimet e këtij rrjeti ujësjellësi. News24 kontaktoi me prefektin, me drejtorin e Ujësjellësit, me përfaqësues të bashkisë, por nuk pranojnë të japin asnjë informacion. Burime të sigurta bëjnë me dije se tubacioni është prishur afër veprës së marrjes, pasi punimet nuk janë bërë cilësore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb