Pas një sezoni ku dominuan të gjithë rivalët në çdo aspekt, te Tirana besonin shumë se do të bënin mirë edhe në Evropë, por realiteti rezultoi shumë ndryshe. Kampionët e Shqipërisë dështuan në mënyrë të pabesueshme ku në 4 ndeshje, mes Champions dhe Conference League, pësuan 4 humbje, një përfundim i hidhur që pritet të ketë jo pak pasoja.

Pavarësisht se bardheblutë arkëtuan afro 800 mijë euro, kjo jo shumë për meritë të tyre, nga kryeqyteti janë larguar dhe pritet të largohen disa titullarë të rëndësishëm që luajtën një rol përcaktues në titullin e 26-të kampion. Ennur Totre ishte i fundit që njoftoi divorcin me Tiranën, të njëjtin fat pritet të ketë edhe Taulant Seferi.

“Bomberi” kuqezi nuk u paraqit në ditën e parë të stërvitjes, mund ta rikthehet në vijim, por nuk pritet të qëndrojë gjatë pasi e ardhmja e tij është larg kryeqytetit. Ky ishte një përfundim i pritshëm, një fund logjik për të dy palët, por tashmë Osmani, Shehi dhe pjesa tjetër e stafit drejtues janë në garë me kohën për të kompletuar ekipin pasi sezoni i ri starton më 20 gusht.

Edhe gjatë aventurës në Evropë u pa qartë që Shehi ishte shumë i limituar në zgjedhje ndërsa largimi i Totres dhe Seferit dobëson jashtëzakonisht shumë kampionët në fuqi, pasi bëhet fjalë për dy nga lojtarët më të rëndësishëm, praktikisht Shehi mbetet pa fantazi e pa forcë goditëse. Seferi ishte lojtari kyç në suksesin e Tiranës, i pazëvendësueshëm teksa realizoi 19 gola dhe dhurojë disa asiste. Në qendër të merkatos janë dhe titullarë të tjerë si Xhixha apo Bekaj e Limaj.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: