ELBASAN- Vetëm dy ditë pas deklaratave të forta të ambasadorit amerikan Donald Lu se vendin e drejtojnë katër klane dhe 20 familje mafioze, policia e Elbasanit është vënë në lëvizje për të kapur “të fortët” atje.

Blutë e Elbasanit kanë arrestuar sot Enea Bektashin, një i ri që dyshohet se i përket bandës “Çela” në qytetin e Elbasanit, siç mëson News 24.

Ky person është kapur me lëndë narkotike nga skuadra e operacioneve speciale në Cerrik. Dyshohet se mbrëmjen e 18 shtatorit, ai ishte brenda “Audi”-t të zi që goditi automjetin e policisë ku lëvizte zv.drejtori i policisë së Elbasanit, Gjergj Oshafi.

CFARE NDODHI MBREMJEN E 18 SHTATORIT NE ELBASAN
Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 18 shtatorit në qytetin e Elbasanit, kur një automjet i blinduar tip “Audi” A8, goditi makinën e patrullës së policisë që po shoqëronte për verifikim në komisariat një “Range Rover” me vlerë 100 mijë euro.

Në operacion duket se kanë ndërhyrë edhe forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Renea pasi situata doli nga kontrolli në Lagjen “Dyli Haxhire” Audi A8 goditi nga pas mjetin e Policisë me targa MB 002 AA dhe u fut në Tregun Ushqimor.

Autoritetet thonë se mjeti dyshohet të jetë i blinduar, ndërsa policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim drejtuesin e mjetit tip “Audi” me targa AA 795 EP, shtetasi P.C që goditi mjetin e policisë me targa MB 002 AA dhe po punojnë intensivisht për kapjen e tij.

VIDEO E PERPLASJES

Në pamje duket që në orën 20:03 është ndaluar një mjet “Range Rover” nga policia.

Në orën 20:06 duket furgoni i forcave Shqiponja që pasi mbërrijnë në vendngjarje dhe parkohet në hyrje të tregut ushqimor, shoqërohen 2 personat e ndaluar në mjetin “Range Rover”. Në vendngjarje numërohen mbi 15 policë.

Ora 20:07 momenti kulminant kur mjeti “Audi ” përplas makinën e zv\drejtorit të policisë dhe futet në brendësi të tregut. Të paktën dy punonjës policie, një me Kallashnikov dhe një me pistoletë qëllojnë në drejtim të makinës së blinduar.

Ora 20:21, 14 minuta më vonë, në vendngjarje mbërrin përforcimë nga policia kriminale pasi në sallën operative është dhënë informacioni për ngjarjen e rëndë dhe të shtënat.

Ora 20:28 nga brenda rrethimit të tregut afrohet një automjet tip “Volkswagen” që pas disa sekondash kthehet pas në pamundësi për të dalë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb