TIRANE-Zbulohen të tjera detaje për arrestimin e 6 biznesmenëve dhe 5 të tjerëve të shpallur në kërkim në Tiranë, pasi akuzohen se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej 9 milionë dollarësh përmes një skeme mashtruese me TVSH-në. Biznesmenët e arrestuar janë Nevroz Lami, Indrit Sulaj, Dhimitraq Celo, Bujar Morataj, Shkelqim Hasani dhe Ruzhdi Murataj. Ndërkohë janë ende në kërkim B.Gj, M.M, A.B, S.K, E.SH.

“BalkanWeb” mëson se kreu i grupit në ketë skeme është një prej të shpallurve në kërkim. Ai ka ideuar dhe vënë në praktikë këtë skemë. Nga deklarimet e të arrestuarve del se ai ka kontaktuar me 10 personat që janë pjesë e këtij hetimi duke i mashtruar se do u gjente pune. Për këtë arsye u ka marrë dokumentet e identifikimit dhe i ka çuar para një noteri për të firmosur prokura.

Më pas në emrin e tyre, ai ka regjistruar biznese dhe ka tërhequr blloqe tatimore duke bërë shitje fiktive për të përfituar rimbursimin e TVSH-se. Të arrestuarit janë gjetur në punët e tyre respektive ku kanë qenë të punësuar dhe nuk kanë pasur dijeni që disponojnë biznese. I njëjti person është arrestuar edhe para 2-3 vite më parë po nga krimi ekonomik.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb