Zbardhen detaje të reja nga ngjarja në Shkodër ku janë kërcënuar dy efektivë nga radhët e forcave “Shqiponja” të Policisë së Shkodrës.
Teksa ndodheshin në një postobllok në hyrje të qytetit të Shkodrës, dy shtetas janë ndalur pranë forcave “Shqiponja” duke i kërcënuar me fjalët: “Do t’ju hapim barkun me plumba”. Ata më pas janë larguar me shpejtësi.
Menjëherë efektivët janë vënë në ndjekie të tyre duke arritur që t’i ndalojnë. Dy personat janë shoqëruar në policinë vendore të Shkodrës. Janë të paqarta arsyet e këtij kërcënimi për efektivët e policisë.
Uniformat blu janë duke marrë në pyetje dy të shoqëruarit për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Njëri prej të shoqëruarve efektiv policie në radhët e Forcave Kombëtare të Sigurisë (FNSH). Në momentin e kërcënimit nuk ka qenë në shërbim policor.
Krimi nënshtron Shkodrën
Kryeqendra e veriut është tronditur nga ngjarjet kriminale ditët e fundit. Javën e kaluar u ekzekutua në qendër të qytetit Kristian Kola, 34 vjeç. Ndërsa mëngjesin e të hënës në pedonalen “Kolë Idromeno” u vranë 2 persona, Liridon Kraja dhe Armando Pali, ndërsa u plagosën Erogen Vaso Brajoviq i dyshuar si shënjestra e atentatit dhe kamarierja 25-vjeçare Meri Kaceri. Ata u qëlluan nga Ragip Gila i cili më pas u arrestua nga policia pranë lumit Kir.
(BalkanWeb)
