ELBASAN

Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë në Elbasan, ku pas një atentati mbeti i vdekur, Lulzim Bitri dhe u plagos Ardian Subashi Çollaku.

Gazetarja Doriana Bezat, raporton për “BalkanWeb”, se viktima dhe i plagosuri janë qëlluar me breshëri plumbash teksa ishin në këmbë, përballë një bar-kafe. Pas kryerjes së krimit, autorët dyshohet se janë larguar në afërsi të zonës së Metalurgjikut, ku është gjetur dhe një makinë e djegur, tip “Volvo”, që dyshohet se i përket atyre.

Pritet që makina të shuhet nga flakët, me ndihmën e zjarrfikësve, për të parë nëse brenda saj do të gjenden prova të tjera që i shërbejnë hetimit. Gazetarja raporton, se dyshohet se autorët nuk janë larguar nga qyteti, pasi zona ku ka ndodhur ngjarja dhe “Metalurgjiku”, vendi ku u gjet makina e djegur, është fare pranë.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia, që pas djegies së mjetit, autorët janë ndihmuar për t’u larguar nga një tjetër automjet.

E gjithë zona, duke nisur nga bar-kafeja ku ka ndodhur ngjarja, e deri te zona ku është djegur makina është e pajisur me shumë kamera, pasi në këtë aks rrugor, edhe në të kaluarën janë regjistruar ngjarje të tilla kriminale. Sipas gazetares Bezat, edhe në Tiranë policia ka ngritur postblloqe dhe po ushtron kontrolle të vazhdueshme nëpër makina të ndryshme.

Paraprakisht, dyshohet se pista kryesore e atentatit është larja e hesapeve mes grupeve kriminale, megjithatë, pritet të sqarohen të tjera detaje në këtë drejtim në orët në vazhdim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb