Vijojnë të dalin në dritë të tjera detaje nga vrasja e 20-vjeçares Caroline Crouch, që tronditi Greqinë. Mediet fqinje raportojnë sot se vrasësit e të resë po kërkohen në burgjet greke.

Kështu, në të gjithë Greqinë, nga pasditja e djeshme, iu është kërkuar të gjithë drejtorëve të burgjeve informacion në lidhje me orarin e lejeve për të burgosurit për krime të rënda, gjatë periudhës para vrasjes tronditëse në Glyka Nera.

Drejtorëve të burgjeve ju kërkohet informacion se kush ka marrë leje, për sa kohë, nëse janë rikthyer dhe kur. Nga informacionet e deritanishme thuhet se dy janë personat, që janë liruar gjatë periudhës kur kanë ndodhur krimi i rëndë, dhe që rezultojnë të jenë përfshirë në krime të dhunshme më parë.

Njëri prej tyre është gjeorgjiani, i cili është arrestuar, dhe çështja e tij thuhet se po tërheq shumë vëmendje nga autoritetet, pasi ai ishte pjesë e një bande famëkeqe të akuzuar për plaçkitje me kallashnikovë, grabitje me dhunë, etj.

Krimi në Glyka Nera po trajtohet si jashtëzakonisht i vështirë për t’u zbardhur, por po bëhet një përpjekje titanike me zbërthimin e sekreteve telefonike dhe analizimin e gjithë të dhënave në zonë. Për këtë arsye, një rëndësi e veçantë i është dhënë rrjetit të informacionit brenda dhe jashtë burgjeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb