LEZHË- Pak orë pas ngjarjes në Shëngjin ku u raportuar për përplasje me armë dhe plagosjen e një simpatizanti të LSI-së, Policia e Lezhës jep detaje.

Burime zyrtare bëjnë me dije se njoftimi për ngjarjen është marrë në orën 10:15 por ndryshe nga sa u raportua, në spital nuk ka mbërritur asnjë person i plagosur.

NJOFTIMI I POLICISË
Me datë 25.06.2017, rreth orës 10:15 është marrë njoftim se në rrugën kryesore midis shkollës 9- vjeçare Shëngjin dhe lokal “Restorant Detari” në Shëngjin ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore ku nga këqyrja e vendit të ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar 1 gëzhojë armë zjarri.

Tek spitali nuk ka mbërritur asnjë person për ndihmë mjekësore.

Nga hetimet paraprake dyshohet se konflikti ka qenë i çastit midis shtetasit F.D. 27 vjeç, dhe personave të tjerë për të cilët po punohet për identifikimin e tyre.

Në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë , vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve dhe  rrethanave të ngjarjes. Procesi i votimit vijon normalisht.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: