ELBASAN- Detaje të reja dalin në dritë nga arrestimi i Gentian Kllogjrit dhe Thanas Thomës në Elbasan, të dy të akuzuar për vendosjen e tritolit në dy ngjarje të ndryshme. “BalkanWeb” mëson se policia ka arritur t’i identifikojë ata pas vëzhgimit të kamerave të sigurisë në të dyja vendngjarjet.

Ata akuzohen se në 6 maj vendosën një sasi tritoli poshtë një automjeti në Lagjen “Luigj Gurakuqi”, ndërsa në 22 maj vendosën lëndë plasëse në shkallët e një lokali në lagjen “Emin Matraxhiu”.

Burime të prokurorisë bëjnë me dije për “BalkanWeb” se kanë dyshime se qëllimi i vendosjes së tritolit ka qenë paralajmërimi.

Autorët e vendosjes së tritolit prej 15 vitesh jetojnë në emigracion e ktheheshin herë pas here. Ata njihen si persona me precedentë penale.

Burime të prokurorisë bëjnë me dije për BalkanWeb se dy 38-vjeçarët frekuentonin shoqëri të përbashkët me dy pronarët e lokaleve, e bëhet fjalë gjithashtu për persona me probleme me drejtësinë.

Këtu janë përqendruar edhe hetimet, për të mësuar nëse vendosja e tritolit është bërë e porositur, apo ka qenë konflikt i drejtpërdrejtë mes palëve.

Mësohet gjithashtu se edhe pronari i automjetit ka në pronësi një lokal në Elbasan, ashtu si Besnik Braka, i njohur ndryshe edhe si Nik Vojaçek i dënuar edhe më herët.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: