Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Kosovë. Mediat në Kosovë raportojnë se janë kryer kontrolle në lokalin ku edhe ndodhi sherri ‘Kobra City” dhe në shtëpinë e pronarit të lokalit Dibran Hoxhaj. Pas kontrolleve janë gjetur  tri gëzhoja plumbash.  Zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, Shaqir Bytyqi ka thënë se janë duke u analizuar provat dhe dyshimet janë që vrasja ka ndodhur jashtë lokalit.

I arrestuari Dibran Hoxhaj pronari i lokalit dyshohet se qëlloi në drejtim të të rinjve nga Kukësi të cilët pas konflikti fizik u larguan me makinë, ku ishte edhe momenti ku u qëlluan me armë zjarri në dalje të Prizrenit.

Visart Cengu ndërroi jetë gjatë rrugës për në spitalin e Kukësit ndërsa shoku i tij, Rufgen Shehu ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po merr trajtim mjekësor.

Mediat në Kosovë raportojnë se shkaku i konfliktit mes tyre dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurove që është lëshuar për dy të rinjtë. Po ashtu theksohet se sherri ka agravuar pasi të rinjtë nga Kukësi nuk kanë pranuar të paguajnë paratë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ata fillimisht patën një debat me stafin dhe klientët e tjerë ndërsa nisën të gjuajnë me shishe e të thyejnë tavolinat duke shkaktuar tension.

Gazeta Expres shkruan se Prokurorja Shero tha se pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxhaj nuk ka pranuar të japë dëshmi gjatë marrjes në pyetje, ndërkohë që sipas saj, ngjarja po vijon të hetohet.

“Sa janë të sakta nuk mundemi me ditë se jemi në hetim e sipër dhe për momentin jam duke ndërmarrë veprime hetimore. Janë deklaratat e dëshmitarëve që flitet për 400 euro mirëpo ai (Dibran Hoxhaj) është mbrojtë në heshtje”, tha Shero.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: