Takimi i kandidatëve për Primaret, ditën e sotme të zhvilluar në degën lokale të PD, në Kurbin ka pasur tensione. Konflikti është zhvilluar mes nënkryetarit Kastriot Marku dhe një anëtari të PD.

Në një reagim, polica ka bërë me dije se autori i ngjarjes, 53-vjeçari Van Rica, është shpallur në kërkim, ndërsa disa persona janë shoqëruar në polici,.

Sakaq gazetari Elidon Ndreka tha për “BalkanWeb” se si pasojë  e konfliktit mes tyre, anëtari i PD emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur ka qëlluar në ajër me armë zjarri edhe është larguar .

REAGIMI I POLICISË

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin shpallën në kërkim shtetasin V. R., 53 vjeç, , për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Shpallja në kërkim e këtij shtetasi u bë pasi, rreth orës 17:30, Policia e Kurbinit ka marrë njoftim për një konflikt, gjatë së cilit,një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku ka rezultar se:

Dega lokale e një subjekti politik, në Kurbin po zhvillonte një mbjedhje dhe gjatë saj, ka pasur një debat mes shtetasve K. M. ( P), dhe një anëtari, mbështetës i një kandidati tjetër primar, nga ky subjekt politik, për Kurbinin.

Në debat e sipër, shtetasi V. R. ka qëlluar me armë zjarri në korridor dhe është larguar menjëherë nga ambientet e degës së subjektit politik.

Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar disa shtetas të pranishëm gjatë konfliktit, për t’i marrë në pyetje dhe vijon puna intensive për kapjen e shtetasit V. R.

Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit tip pistoletë me të cilën shtetasi V. R., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohet se ka qëlluar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: