Detaje tronditëse zbardhen nga ngjarja në Bathore. Gazetarja e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News 24, Anila Ahmataj e ndodhur në familjen e viktimës ka mësuar nga dëshmitarja okulare e krimit (kunata e viktimës), se banesa ku edhe u krye krimi ka qenë e pajisur me kamera dhe autori i krimit ka mirëorganizuar krimin pasi ka hyrë gjakftohtë brenda banesës dhe i ka fikur ato para se të derdhte breshëri plumbash mbi trupin e viktimës.

“Le të themi që është një krim i mirëorganizuar, pasi nga biseda me familjarët, ata kanë pohuar se banesa ka pasur kamera dhe Agron Tanushi, autori i krimit ka hyrë në banesë i ka fikur ato dhe pastaj ka marrë automatikun dhe ka qëlluar në drejtim të Jetmira Hasanit”,- tha gazetarja.

Dëshmi në lidhje me ngjarjen ka dhënë edhe vëllai i viktimës.

“Motra ime ka që 4 vite e divorcuar, mirëpo nga traditat dhe zakonet tona ajo vendosi që të jetonte te familja e ish-bashkëshortit, pasi shtëpia ishte dy kate dhe në katin e dytë jetonte motra dhe në katin e parë jetonin vjehrra dhe kunati. Ish- bashkëshorti jeton në Greqi, por vuajtjet e motës time janë të thella, ajo është dhunuar nga burri i saj në mënyrë të vazhdueshme, madje jam thirrur nga motra disa herë pasi më ka kërkuar ndihmë nga dhuna që ushtrohej ndaj saj.

Kam shkuar te familja dhe e kam gjetur komplet të nxirë në trup, kam marrë kunatin dhe i kam thënë hajde këtu çfarë ka ndodhur, aty ka pas një konflikt midis nesh. Por motra ime është një viktimë e humbur nga shteti sepse ata kanë qenë në dijeni për çdo gjë. Edhe pse motra një orë para se të ndodhte kjo gjë njoftoi policinë, policia erdhi dhe ka ndenjur aty një orë, pasi ka ikur policia as 5 minuta nga ikja ka gjetur vdekjen. Kunata ime ka qenë aty pasi shkoi bashkë me Jetmirën për ta ndihmuar të merrte plackat e veta, ajo e ka parë gjithë skenën me sy, së bashku me të ka qenë edhe vajza e motrës edhe vajza e motrës është 8-vjeçe.

Por motra jetonte me vajzen 8 -vjeçe në katin e dytë, mirëpo edhe aty ajo vuante, ja kishin prerë energjinë elektrike dhe ujin dhe ajo jetonte në errësirë. Ishte në gjendje të mjerueshme edhe nga ekonomia. Vjehrra e Jetmirës është bashkëfajtore në krim pasi gjithçka ja ka planifikuar djalit duke i thënë edhe të lumtë pasi vrau motrën time. E para që duhej të arrestohej është ajo dhe shteti që nuk mundi të parandalonte një krim të tillë, pasi vetëm pesë minuta më parë ata u larguan nga aty pa ja kontrolluar shtëpinë vrasësit që t’i gjenin armën e krimit që e mbante brenda në shtëpi”,- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb