TIRANE- Pak minuta më parë “BalkanWeb” raportoi se ish-ministri Luan Hajdaraga 66-vjeç është sjellë me urgjencë me helikopter nga Struga drejt Tiranës, pasi pësoi një ishemi në tru.

Ndonëse ish-ministri po merr shërbimet e nevojshme për stabilizimin e parametrave jetësore në Tiranë, “BalkanWeb” mëson se edhe udhëtimi me helikopter ka qënë i vështirë për shkak të motit të keq.

Por, kjo lëvizje ka qënë thuajse e detyruar pasi neurokirurgjia në Tiranë është më e specializuar se në Maqedoni.

Fatmirësisht në momentin e goditjes nga hemoragjia, Hajdaragaj është ndodhur në doganën e Qafë-Thanës ku edhe i është mundësuar dhënia e ndihmës së parë, për tu transportuar më pas për në reanimacionin e Neurologjisë në QSUT, ku po mbahet nën monitorimin e mjekeve.

Kujtojmë që politikani dhe profesori i njohur jepte mësim të enjteve në universitetin e Strugës në Maqedoni, ritual që e ka kryer edhe ditën e djeshme. Sot paradite teksa planifikonte kthimin për në Tiranë, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, prandaj edhe është nisur me urgjencë drejt Tiranës.

Hajdaraga ka mbajtur portofolin e ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë gjatë viteve 1998-2000, përfshi këtu edhe kohën e luftës në Kosovë.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: