Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë së Postës Shqiptare dhe Prokurorinë e Tiranës, bënë të mundur organizimin dhe finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Green mail 2”, si rezultat i të cilit u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

-Mariglen Vata, 18 vjeç dhe David Shehu, 18 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Në vendin e quajtur “Rrethrrotulli”, Plepa, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në taksinë me të cilën udhëtonte drejt Tiranës, shtetasi D. Sh. Si rezultat i kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 2 pako kartoni, brenda të cilave ndodheshin 5 qese me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale rreth 340 gramë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se pakot kanë ardhur me postë nga Mbretëria e Bashkuar në Shqipëri dhe se porositësi i tyre është shtetasi M. V., i cili ka dërguar shtetasin D. Sh. për t’i marrë pakot nga vëndi i mbërritjes (Durrës) dhe për t’i sjellë në Tiranë.

Vijon puna nga Njësia per Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të implikuar në të.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ky është operacioni i dytë policor i zhvilluar brenda 3 muajve të fundit, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet postës, nga Mbretëria e Bashkuar. Operacioni policor i koduar “Green mail” u zhvillua më 30 qershor 2022 dhe si rezultat u sekuestruan rreth 1.3 kilogramë kanabis dhe u vunë në pranga 2 shtetas.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: