Nga: AURORA KOROMANI*

TIRANE- “Dhomë për femrat”. Është ky mbishkrimi që lexohet mbi një derë brenda së cilës qëndrojnë të mbyllur femrat që janë shoqëruar nga policia për vepra të ndryshme penale. Për të mësuar se çfarë ndodh brenda këtyre mureve dhe çfarë fshihet pas atyre dyerve, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të hyjë në ambientet e shoqërimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në korridore qëndrojnë efektivë të shumtë, ndërsa në çdo cep shikon se je duke u filmuar nga një kamera që monitoron 24 orë atë që ndodh në këto ambiente. Përgjegjësi i dhomave të shoqërimit në policinë e kryeqytetit, Astrit Dusha, i cili na shoqëron në çdo ambient na tregon se në këto dhoma qëndrojnë personat të cilët pas verifikimit ose do të lihen të lirë, ose do të futen në dhomat e ndalimit. Në dhomën që mbahen femrat, janë gjithsej 6 karrige dhe një tavolinë, ndërsa në cepin e saj shohim një kamera që monitoron atë që ndodh mes të shoqëruarve.

Specialisti Dusha na shpjegon se e njëjta gjë ndodh edhe në dhomat e tjera, ku shoqërohen të miturit apo edhe të rriturit. “Në ambientin e shoqërimit trajtohen të gjithë personat në cilësinë e të shoqëruarit, qoftë për verifikime, por edhe persona për vepra penale apo edhe persona të shpallur në kërkim, apo edhe persona të ndaluar dhe të dënuar me vendim të formës së prerë deri në momentin e akomodimit në regjimin e sigurisë. Ky ambient është i përshtatshëm për të gjitha grupmoshat, për femrat, për të miturit dhe për të rritur. Punonjësit e policisë janë të zgjedhur me stazh pune dhe të përgatitur për të kryer këto lloj pune. Në këtë ambient akomodohen personat që nga momenti i shoqërimit deri sa plotësojnë 10 orëshin. Brenda këtij afati kohor, personi ose mbaron procedurën e verifikimit dhe lihet i lirë, ose për autorët e veprave penale, brenda këtij 10 orëshi, bëhet ndalimi. Kur personi ndalohet, në bazë të një komisioni të posaçëm, bëhet akomodimi në sistemin e sigurisë, ose në dhomat e ndalimit”, sqaron përgjegjësi i dhomave të shoqërimit në Policinë e Tiranës, Astrit Dusha.

Ai na shpjegon se pasi një person ndalohet, ai kalon në një komision verifikimi ose intervistimi, i cili përbëhet nga oficeri i informacionit, përgjegjësi i dhomave, ose zëvendëspërgjegjësi dhe punonjësi i shërbimit të policisë. “Pasi personi ndalohet, bëhet intervistimi, mundësisht duhet edhe prania e mjekëve dhe nëse mjeku nuk është i disponueshëm në ato momente, duhet që patjetër brenda 12 orëve ky person i ndaluar të kontrollohet nga mjeku. Për çdo problem apo parregullsi mbahet një procesverbal nga punonjësit e shërbimit. Para se të akomodohet në dhomë, bëhet kontrolli i dhomës ku do akomodohet personi, nëse është i përshtatshëm për të jetuar apo jo dhe pastaj bëhet akomodimi. Në këto ambiente ata qëndrojnë deri në momentin e vlerësimit të masës së sigurisë nga gjykata dhe në momentin që bëhet vlerësimi me masë arrest me burg, dhe është plotësuar i gjithë dokumentacioni i përshtatshëm, personi transferohet në dhomat e paraburgimit”, sqaron specialisti Dusha. Sipas tij, kur një person kalon nga statusi i të shoqëruarit në statusin e personit të ndaluar, ai futet në forcë për ushqim brenda 6 orëve.

VIP-at E SHOQËRUAR
Më shumë kuriozë jemi të shikojmë dhomën në të cilën për pak kohë kanë qenë të ndaluar edhe persona VIP, siç ka qenë ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, apo edhe deputetët Mark Frroku dhe Tom Doshi. Por, specialistët e Policisë së Tiranës na shpjegojnë se është e ndaluar hyrja në dhomat e sigurisë. Përgjegjësi i dhomave të shoqërimit pohon se dhomat nuk janë të ndara për personat VIP apo për personat e thjeshtë, por u ka dalë “nami” si dhoma VIP për shkak të personave që kanë qëndruar aty.

(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në Gazeta Shqiptare print)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb