Zbulohen të dhëna të reja lidhur me “trurin” e bandës së grabitësve të bankave, i shpallur në kërkim nga policia me emrin Admir Murataj. Gazetari i “News 24”, Artan Hoxha bën me dije se ky nuk është emri i tij i vërtetë por vetëm 1 nga 13 identitetet e rreme që ai përdor.
“Admir Nikaj është emri i tij vërtetë. Ai njihet me 13 identetite të tjera dhe një prej tyre është Admir Murataj. Nikaj është me origjinë nga Tropoja dhe familja e tij ka ardhur në Fushë-Prezë. Admir Nikaj njihej më herët nga policia, pavarësisht se aktiviteti i tij nuk ka qenë në Shqipëri, por jashtë vendit. Ka qenë i arrestuar në Greqi dhe i arratisur nga burgu i Trikallës, të dhëna që tashmë janë bërë të ditura për publikun. Por një tjetër detaj lidhur me të është se ka qenë pjesë e grupit të Marjan Kolës, pjesë e të cilit është edhe Ilir Kupa i mbijetuar i atij grupi. Duket një grup që nuk ka emër në Shqipëri, por mund të thuhet se aktivitetin e ka patur mjaft intesiv jashtë”, – sqaroi Hoxha.

Ndonëse për momentin është një nga njerëzit më të kërkuar nga policia shqiptare,  “BalkanWeb” raporton se për të vijojnë kërkimet edhe nga shteti fqinj, Greqia pas arratisjes spektakolare nga burgu bashkë me Ilir Kupën e 9 shqiptarë të tjerë.

Admir Murataj

Ai u arratis nga burgu i Trikallas në mars 2013, ndërkohë që kishte rënë në pranga bashkë me Klement Çalën, në janar të të njëjtit vit, si pjesëtar të një bande shqiptaro-greke të akuzuar për 9 grabitje dhe tentativë grabitje bankash, në shumën totale 2 milionë euro. Pas arratisjes, ata akuzohen se kanë grabitur edhe bankën kombëtare në Larisa më 16.05.2013, grabitje e faktuar nga gjurmët e gishtave.

Ndërsa Klementi u arrestua në Vlorë, policia greke dyshonte që Admiri fshihej në Kosovë, por gjatë kësaj kohe rezulton se ai ka qenë në Tiranë, ku ka ndërtuar edhe një vilë, fotot e së cilës i publikoi sot “BalkanWeb”.

Gjithashtu po sot “BalkanWeb” bëri të ditur se veç tij, policia ka shpallur në kërkim edhe dy nipat e Nikajt, respektivisht djemtë e motrës, të cilët dyshohen se kanë qenë pjesë e bandës së grabitjes, në rolin e furnitorit të logjistikës: armë, makina, radio e kamuflazh.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb