NGA: Xhensila Kodra
Të tjera detaje dalin në dritë nga krimi makabër, ku një 53-vjeçar vrau ish-gruan e tij gjyqtare. Burime zyrtare pranë grupit hetimor dje bënë me dije se si u zbulua dhe u arrestua autori i krimit, Fadil Kasemi. Mësohet se Fadil Kasemi, pasi ekzekutoi ish-bashkëshorten, Fildeze Hafizi u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një furgon mallrash. Sipas hetuesve të çështjes, 53-vjeçari i ka vënë pistoletën në kokë drejtuesit të mjetit dhe e ka urdhëruar ta çojë në periferi të Tiranës.

Në atë moment, shoferi ka lëvizur me automjetin e tij dhe sapo ka hasur patrullën e policisë, ka zbritur dhe u ka thënë bluve: “Kapeni personin që kam në makinë, mund të jetë vrasësi”. Ndërkohë, burimet e mësipërme pohuan se kanë qenë 4 persona që kishin parë skenën e ngjarjes. Ata janë shoqëruar në polici për të dëshmuar dhe për t’u pyetur nëse ndonjëri prej tyre kishte mundur ta njihte autorin. Gjyqtarja Fildeze Hafizi u qëllua me dy plumba pistolete, njëri prej të cilëve e kapi në kokë, sapo hipi në makinën e saj.

Arrestimi
Policia e Tiranës duket se do ta kishte të vështirë identifikimin e autorit që qëlloi për vdekje gruan 39-vjeçare. Burime të sigurta pranë policisë thanë dje për “Gazeta Shqiptare” se edhe pse zona ku ndodhi ngjarja është tejet e mbipopulluar, asnjë prej bizneseve aty pranë nuk kishin kamera sigurie. Sipas tyre, ngjarja do të kishte qenë e vështirë për t’u zbardhur në kohë rekord, nëse autori nuk do të tentonte që të largohej me një mjet që gjendej rastësisht i parkuar në vendin e ngjarjes. 53-vjeçari kishte të paktën një orë që priste ish-të shoqen të dilte nga parukeria dhe sapo e pa atë të hipte në makinë, iu afrua tek xhami. 39-vjeçaria, e frikësuar nga prezenca e tij ka tentuar të ndezë makinën e të largohej që aty, por veprimi i shpejtë i Fadil Kasemit nuk e la të ikte. Dëshmitarët okularë deklaruan në polici se autori u afrua gjakftohtë. Po sipas tyre, sapo ai nxori pistoletën, gruaja bërtiti duke i thënë: “Mos më merr në qafë”.

53-vjeçari pasi qëlloi për vdekje ish-bashkëshorten u largua menjëherë prej aty për t’iu arratisur policisë. Prej andej, autori ka parë të parkuar një furgon mallrash dhe menjëherë ka hipur në të duke kërcënuar shoferin me pistoletë në kokë që të ecte dhe ta çonte në periferi të Tiranës. Sipas burimeve, drejtuesi i mjetit, i frikësuar nga kjo situatë ka ndezur makinën dhe pasi ka bërë disa metra rrugë, në afërsi të komisariatit nr.1 ka parë një patrullë policie. Ka hapur krahun dhe ka zbritur menjëherë dhe ju është drejtuar uniformave blu: “Kapeni personin që kam në makinë, ai ka armë me vete, mund të jetë vrasësi”. Pas kësaj, oficerët e policisë kanë bërë shoqërimin e tij, ku rezultoi të ishte autori i vrasjes së rëndë. Me vete iu gjet edhe arma e krimit. 53-vjeçarit i është bërë edhe testi i alkoolit, i cili ka rezultuar 0.045%. Gjithashtu, policia po bën verifikimet për të parë nëse në telefonin e të ndjerës ka pasur mesazhe apo biseda kërcënuese nga ish-burri. Ndërkaq, policia dyshon se viktima ka marrë kërcënime të vazhdueshme edhe gjatë kohës që ish-bashkëshorti ka qenë në qeli. Në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të ndjerës, kurse pyetja e dy fëmijëve të saj do të bëhet në prani të psikologes.
Lajmin e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/09/02/detaje-deshmitari-agresori-gjakftohte-fjalet-e-fundit-te-gjyqtares-mos-me-merr-ne-qafe/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb