Një 48-vjeçare nga fshati Çinar ka ndërruar jetë në ambientet e bashkisë Lushnje. Mësohet se Shpresa Cani, ka shkuar në zyrat e bashkisë  për të pyetur përse i është hequr ndihma ekonomike, por pasi është paraqitur në zyrën e informacionit, ajo është drejtuar drejtorisë së ndihmës sociale.

Sipas burimeve, viktima ka debatuar ashpër me punonjësit e kësaj zyre rreth faktit të heqjes se emrit nga lista e përkrahjes sociale dhe është nxjerrë me forcë nga kjo zyre.

Më pas 48-vjeçarja ka kërkuar takim me kryetaren e bashkisë Eriselda Sefa dhe është ngjitur në katin e dytë për të takuar kryetaren.

Sapo ka kryer takimin ajo është ndjerë keq dhe është lajmëruar ambulanca e spitalit Lushnjë. Pas mbërritjes së ambulancës shtetasja Shpresa Cani kishte ndërruar jetë në vend. Ndërkohë pas kësaj ngjarjeje policia e Lushnjes ka referuar materialet në prokurorin e rrethit për të hetuar shkaqet e vdekjes se 48-vjeçares.

Mësohet se viktima vuante nga disa sëmundje shëndetësore.

Njoftimi i policisë:

U referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi në datën 28.12.2022, në ambientet e bashkisë së Lushnjës, ka humbur jetën shtetasja Sh. C., 48-vjeçe, banuese në Fiershegan. Paraprakisht dyshohet se 48-vjeçarja e ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb