“BalkanWeb” zbardh të tjera detaje në lidhje me krimin që tronditi sot Laçin, ku një ish-polic u vra pranë biznesit të tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 07:23 të mëngjesit, në qendër të këtij qyteti, pranë një banke të nivelit të dytë.

Nga të dhënat e grupit hetimor, dyshohet se kanë qenë dy persona që kanë kryer atentatin ndaj Xhelal Reçit, i cili sapo kishte zbritur në mënyrë të befasishme nga mjeti i tij dhe ishte drejtuar biznesit që kishte në pronësi, një dyqan veshjesh. Mjeti i ish-policit nuk ishte parkuar mirë, duke zënë dhe një pjesë të rrugës, që për hetuesit e çështjes ngre dyshime se Reçi edhe mund të ketë kuptuar që ndiqej nga dikush.

Ai është qëlluar me armë zjarri ngjitur me biznesin e tij, ndërsa ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Fatmirësisht kjo zonë, ku shumë pranë është dhe banka, është e pajisur me kamera sigurie, të cilat do të hedhin dritë rreth identifikimit të autorëve. Këta të fundit janë larguar nga vendi i ngjarjes fill pas krimit me një makinë tip Toyota, të cilës i vunë flakët në Milot.

Burime për ‘BalkanWeb’ bëjnë me dije se pistë kryesore e policisë mbetet një atentat i dështuar që iu bë djalit të viktimës në gusht ët 2020-ës, ku teksa udhëtonte me makinën bashkë me familjen, dy persona në motor tentuan ta vrisnin. Por fatmirësisht ai mundi t’i devijonte ata, por falë edhe faktit se një prej atentatorëve iu bllokua edhe arma. Pavarësisht kësaj ngjarje, policia nuk ka përjashtuar edhe pistat e tjera.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: