TIRANE- Ndërsa në media ka qarkulluar lajmi se ndaj Artan Cukut ishte bërë edhe një tentativë për ta vrarë një ditë para krimit, teksa qëndronte në kafe, në dosjen e siguruar për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala mësohen të gjitha lëvizjet e autorëve.

I pandehuri pranon se nuk e njihte viktimën Artan Cukun, atë ia pat treguar porositësi i krimit duke shkarkuar një foto të tij nga interneti dhe duke i bërë të ditur automjetet me të cilat lëvizte viktima dhe vendin ku i parkonte para se të hynte në banesë”,- thuhet në dosjen e siguruar nga “BalkanWeb”.

Shallari ka treguar se tentativa u krye një ditë para vrasjes së Cukut dhe rolin e ekzekutorit e kishte marrë kushëriri i tij, Kristaq Leci, ndërsa armët i kishte siguruar Bledar Jambelli.

Plani i vrasjes u thur nga mesi i dhjetëditëshit të tretë të marsit dhe fillimi i prillit 2017; me porosi të Bledar Jambellit (organizatorit) dhe me ndihmën e Kristaq Lecit kushëririt të tij vëzhguan territorin rreth banesës së viktimës, dhe e ruajtën atë për të gjetur rastin e volitshëm. Një tentativë u synua të kryhej paraditen e datën 7 prill 2017, ku rolin e ekzekutorit e pati marrë përsipër djali i dajës së tij, Kristaq Leci, i veshur me të njëjtat tesha që të nesërmen i veshi i pandehuri”,- theksohet në dosje.
mikel-shallari-1
Në dosje përshkruhen me detaje pozicionet e tyre, madje Shallari tregon dhe arsyet pse tentativa dështoi.

Të dy u pozicionuan tek hapësira me bar përbri parkimit, përballë godinës së Universitetit “Marin Barleti” ku mbanin të fshehura edhe armët. E identifikuan viktimën, i cili u ul në një kafe aty pranë, i pandehuri Leci me armët në brez e ndoqi nga pas por nuk e kreu aktin nga frika e identifikimit, për shkak të lëvizjeve të shumta të njerëzve në atë orë. I pandehuri Shallari shpjegoi se si ata vëzhgoheshin nga organizatori Jamblelli, i cili i nxiti që të qëllonin”,- sqarohet në dosje.

Ai po ashtu ka treguar edhe takimin në mbrëmje në kafe me organizatorin dhe bisedën me tone fyese të tij si dhe porosinë e prerë që krimi të kryhej brenda ditës së nesërme.

Në mbrëmje vonë, të tre të pandehurit u takuan në një lokal, ku organizatori me tone fyese shprehu pakënaqësinë ndaj tyre dhe i nxiti që krimin ta kryenin të nesërmen. I vënë përpara presionit dhe i detyruar nga Jambelli për shkak se kishte pranuar para, Shallari pranoi ta kryente ai krimin. Një herë në dy ditë ai kishte marrë instruksione të qarta që të ndryshonte numrat e telefonit. Ai komunikonte vetëm me të pandehurin Leci, ndërsa me Bledar Jamblellin nuk ka komunikuar kurrë në telefon përveçse përmes këtij të fundit”,- thuhet ndër të tjera në dosjen e vrasjes së Artan Cukut.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb