Gjykata e Shkallës së Parë Durrës e liroi nga burgu më 11 korrik por Apeli vendosi ta rikthejë në qeli të ashtuquajturin ‘baroni i drogës’ Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg në Itali për trafik narkotikësh. Por 43-vjeçari është zhdukur dhe Policia e ka rishpallur atë sërish në kërkim.

Duke u ndalur tek ky rast, gazetari Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa në “News 24” ka dhënë detaje për mënyrën se si ka funksionuar banda e Alket Hatijas.

“Kemi rastin e Durrësit, rastin e Alket Hatisë, një nga pjesëtarët e grupit të famshëm të Shijakut tregon se mënyra sesi ata kanë funksionuar është një art më vete. Pa shkelur fare në territorin italian ata kanë shmangur të gjithë sistemin e sigurisë së vendit tonë dhe të Italisë dhe kanë arritur të çonin sasi të jashtëzakonshme. Brenda 12 muajve u janë kapur 500 kg heroinë dhe 200 kg kokainë. Llogarite sa kanë çuar. Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro që kanë qenë në duart e tyre. Arrestimi i tij në 8 korrik në Durrës për t’u ekstraduar drejt Italisë dhe më vonë lirimi i tij tre ditë më pas, dëshmoi se sistemi ynë i drejtësisë nuk ka rrjeta për peshkaqenë, ka vetëm për cironka. Edhe pse struktura ka nisur hetimin ndaj gjyqtarit, kjo histori është akoma e paqartësuar. Ky person tashmë është i lirë, dhe duhet sistemi i drejtësisë të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin e ardhur nga Italia dhe atë brenda territorit shqiptar në mënyrë që të mos krijohet një konflikt me partnerin tonë strategjik në luftën kundër trafikut të narkotikëve, Italinë”, tha gazetari Artan Hoxha, raporton “BalkanWeb”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb