Të tjera detaje dalin në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë në Dibër, ku u tentua që të fshihej plagosja që çoi në vdekjen e 60-vjeçarit.
Policia e Dibrës zbardhi dhe dokumentoi ngjarjen që ndodhi 5 ditë më parë, ku një 60-vjeçar u raportua se ishte rrëzuar nga mjeti aksidentalisht dhe ishte plagosur, plagë të cilat i sollën dhe vdekjen më vonë në spital.

Nga hetimet e thelluara policia ka zbuluar se 60-vjeçari Nuri Basha nuk u rrëzua aksidentalisht, por u plagos nga një 50-vjeçar pas një konflikti të çastit për motive të dobëta.

  • foto galeri

Gazetari Enver Doçi raporton për BalkanWeb se policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar, Osman Torba për plagosje të rëndë me dashje me pasojë vdekjen dhe ka proceduar penalisht tre persona të tjerë për moskallëzim të krimit.

Policia zbuloi se me datën 26 qershor në lagjen “Kamen” pranë një lokali 50-vjeçari Osman Torba ka shtyrë shtetasin Nuri Basha, i cili është rrëzuar në tokë duke marrë dëmtime të rënda. Megjithëse ai është dërguar në spitalin rajonal Dibër, me datë 28 qershor, Nuri Basha ka ndërruar jetë. Mbi Osman Torbën rëndon akuza penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, ndërsa për tre personat e tjerë që kanë qenë prezent, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë nën akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb