TIRANE

Detaje të reja zbardhen nga sasia e madhe e kokainës prej 1.1 ton, e kapur mbrëmjen e kaluar në një magazinë frutash, në Maqedoninë e Veriut.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se droga është futur në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër, me tre kamionë frigoriferikë, që drejtoheshin nga tre shoferë malazezë.

Siç mëson gazetarja Bezat, kokainë ka pasur vetëm në njërin prej kamionëve, ndërsa policia shqiptare ka marrë udhëzim që të lejojë kalimin e mjeteve pa verifikime të ngarkesës.

Lënda narkotike është sinjalizuar që në Itali, prej ku autoritetet atje kanë bërë zëvendësimin e kokainës me një lëndë tjetër, duke mbajtur nën vëzhgim kamionët, për të zbuluar destinacionin e tyre.

Ndërkohë, pasi kanë hyrë në Hanin e Hotit, mjetet i janë drejtuar pikës kufitare të Qafë Thanës, në Pogradec, duke kaluar në Maqedoninë e Veriut, aty ku u bë edhe ndërhyrja e autoriteteve. Në aksion u përfshinë DEA Amerikane, Guardia di Finanza, policia shqiptare dhe policitë e vendeve të tjera të rajonit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb