Të tjera detaje mësohen në lidhje me ekzekutorët e Bujar Çelës, mëngjesin e sotëm në Bradashesh të Elbasanit.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se atentatorët kanë qënë tre persona të maskuar që kanë qëlluar njëherazi mbi trupin e 62-vjeçarit Çela me dy pistoleta dhe një pushkë të shkurtër.

Autorët e kanë vëzhguar viktimën, kanë pritur që të ulet në lokal për të pirë kafen e mëngjesit dhe kanë qëlluar mbi të. Më pas ata janë larguar me një automjet tip “Brenz”.

Pak minuta pas ngjarjes policia gjeti tjetër mjet në flakë, ç’ka ngre dyshime se autorët kanë përdorur dy automjete për të vënë në zbatim planin e tyre.

Bëhet fjalë për një një ‘Renault’ me targa AA 876 DC që dyshohet të jetë përdorur gjatë atentatit. Autorët i kanë vënë flakën makinës në një rrugicë në fshatin Murras, përgjatë aksit Elbasan-Peqin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 05:45 të mëngjesit të sotëm në një lokal tek rrethrrotullimi i Bradasheshit. 62-vjeçari, i cili punonte si taksist (pa licencë) u ekzekutua teksa po pinte kafen e mëngjesit.

Pas ngjarjes, uniformat blu kanë ngritur postblloqe në hyrje dhe dalje të qytetit të Elbasanit, dhe në qytetet si Durrësi, Fieri dhe Tirana, për kapjen e autorëve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb