TIRANË

Policia e Tiranës jep detaje nga aksioni i zhvilluar një ditë më parë pranë “Shkollës së Bashkuar”. Policia njofton se ka arrestuar pesë persona, si dhe ka sekuestruar 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se në pranga kanë rënë shtetasit Gentian Kore, Taulant Çoku, Altin Gega, Erjon Prengaj dhe Gazmir Cani, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në ngjarje.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Xhamlliku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta.

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë.

Sekuestrohen 1 kilogram e 128 gramë lëndë narkotike kokainë, 3 automjete dhe 7 aparate celular.

Vihen në pranga 5 shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të marra se disa shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike kokainë në zonën e Xhamllikut, kanë zhvilluar operacionin e koduar “Xhamlliku”, në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

G. K., 47 vjeç, T. Ç., 34 vjeç, A. G., 28 vjeç dhe E. P., 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi E(E). P(S)., 33 vjeç, i dyshuar si bashkëpuntor në ngjarje. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Shtetasit e lartpërmendur janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Kujtim Laro”, në biznesin e shtetasit G. K., ku dyshohet se kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të katërt këta shtetas, sapo kanë parë shërbimet e Policisë kanë tentuar të largohen me vrap, por janë neutralizuar dhe prangosur nga Policia. Gjatë largimit, ata kanë fshehur lëndë narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, i shtetasit G. C., 26 vjeç, pasi ka kundërshtuar urdhrin e punonjësve të Policisë për të ndaluar për verifikim e tij dhe është larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.

Vijon puna, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore , për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve G. K., T. Ç., A. G. dhe E. P., dhe për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, në ngarkim të shtetasit G. C.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb